Prokuroria, 7 arsye për burgosjen e Prendit

Postuar në 16 Shkurt, 2013 07:44

 

Apelohet pafajësia në kufijtë e afateve: Komandanti vrau me dashje

Sokol Çobo

Dosja e “21 janarit” shkon formalisht në Gjykatën e Apelit. Prokuroria ka analizuar vendimin voluminoz përgjatë 48 orëve të fundit, ku krahas mbajtjes së shënimeve, i duhej që të shkruante edhe argumentet dhe provat për të kërkuar deklarimin fajtor të Ndrea Prendit dhe Agim Llupos me akuzat e vrasjes me dashje. Në limitin e kohës, dy prokurorët e Tiranës, Adriatik Cama dhe Blerim Tominaj, kanë shkruar pikat ku kundërshtojnë gjykatën, ku kjo e fundit pranoi pa asnjë mëdyshje prova dhe ekspertizat e mbrojtjes. Megjithatë, ajo çka shihet në apelim, është se tashmë çështja është më shumë procedurale dhe konceptuale, ku sërish katër viktimat janë në plan të dytë. Megjithatë, një tjetër pikëpyetje është përse prokuroria nuk ka filluar hetimet për ekspertin që këqyri rrobat e Ziver Veizit, i cili, megjithëse i filmuar, ka shtyrë një ashkël dhe e ka çuar afër vendit që ka prekur plumbi rrobat dhe më pas trupin. Megjithatë, prokurorët thonë se do të kërkojnë në apel dënimin e Ndrea Prendit me 23 vite burg dhe me 25 vite burg Agim Llupos, pasi më 21 janar 2011 vranë me dashje.

 

1.

Fakti i parashtruar dhe i hetuar nga organi i akuzës, sipas gjykatës, “nuk është paraqitur në mënyrë të plotë, pasi nuk është realizuar një hetim i njëkohshëm, gjithëpërfshirës, lidhur me ngjarjet e datës 21 janar 2011…”. Hetimet nuk kanë qenë të fokusuara vetëm për veprimet dhe mosveprimet e punonjësve të efektivave të Gardës së Republikës, por në kuadër të hetimit të plotë të procedimit penal Nr.285 të v.2011, ato kanë përfshirë veprat penale që lidheshin me organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullimin e manifestimin e paligjshëm, veprimet e dhunshme ndaj punonjësve të policisë e efektivave të Gardës së Republikës për shkak të detyrës, shkatërrimin e pronës etj. Megjithatë, pavarësisht këtij vlerësimi të gjykatës në tejkalim të kompetencave që i njeh ligji, theksojmë se gjykata nuk ka të drejtë të gjykojë e të marrë vendim jashtë fakteve objekt akuze dhe provave të verifikuara gjatë shqyrtimit gjyqësor, çka përcaktohet qartësisht në nenin 3/2 të K.Pr.Penale.

 

2.

“Organi i akuzës… nuk ka zhvilluar hetime në drejtim të intensitetit dhe rëndësisë së sulmit në raport me veprimet e të pandehurve…detyrën e tyre funksionale…”.

Në momentin që janë qëlluar me armë zjarri, viktimat kanë qenë jashtë objektit të Kryeministrisë, ku viktima Ziver Veizi ka qenë në trotuar në shoqërinë e një personi tjetër, duke qëndruar me duar në xhepa dhe duke mos kryer asnjë veprim ose akt dhune. Viktima Hekuran Deda, së bashku me dëshmitarët Fatos Mahmutaj, Hysni Peposhi e persona të tjerë, kanë qenë larg gardhit rrethues të Kryeministrisë pranë një pishe, të hipur në dy tavolina të vendosura nga gazetarët dhe po shikonin zhvillimin e demonstratës. Viktima Faik Myrto ka qenë në bulevard, në afërsi të dy kullave binjake, po aty afër ka qenë edhe viktima tjetër Aleks Nika, pra larg gardhit rrethues të Kryeministrisë, duke mos kryer asnjë veprim ose akt dhune. Vlen për t”u theksuar fakti i provuar në gjykim, se asnjë person nuk është vrarë apo plagosur brenda territorit të Kryeministrisë, asnjë nga këta persona të vrarë e të plagosur nuk ka tentuar në asnjë moment të futet brenda perimetrit rrethues të ndërtesës së Kryeministrisë.

 

3.

Mungesa e anës subjektive tek i pandehuri Ndrea Prendi,

sipas argumentimit të gjykatës, vepra penale e “vrasjes me dashje, e kryer në mënyrë të rrezikshme…”, kërkon domosdoshmërish ekzistencën e një objektivi të caktuar, pra qëllimin dhe synimin e vrasjes së një individi… të shoqëruar me motivin e autorit të veprës penale…

Në kundërshtim me këto “argumente” të paraqitura nga gjykata në vendim, vjen teoria e së drejtës penale shqiptare, si për sa i përket formës së dashjes, synimit, qëllimit kriminal, apo mungesës së motivit në veprimin e kundërligjshëm të të pandehurit Ndrea Prendi. Orientimi i veprimit konkludent të të pandehurit Ndrea Prendi, i shprehur në gjuajtjen drejt turmës së protestuesve në të paktën 5 (pesë) raste, konsiston dhe shpreh shtytjet e brendshme të të pandehurit në atë moment, shpreh më së miri qëndrimin e tij psikik ndaj pasojave që do të shkaktonte, si dhe domosdoshmërinë e shkaktimit të tyre. Kjo formë dashjeje e të pandehurit Ndrea Prendi, në doktrinën juridiko-penale, përbën një nga format e tjera të dashjes, të quajtur “dashje e përcaktuar” (dalus determinatus) Ref.Komentar i K.Penal të R.Shqipërisë, me autorë prof.dr.Ismet Elezi, dr.Maksim Haxhia, dr.Skënder Kaçupi.

 

4.

Gjykata nuk aplikon nenin 375 për ndryshimin e cilësimit juridik të veprës.

Gjykata shprehet: “…gjykata mund të bëjë këtë ndryshim të kualifikimit ligjor të veprës, vetëm nëse fakti është pasqyruar në mënyrë të plotë dhe hetimi është bërë në mënyrë të gjithanshme…”.

Vlerësojmë se ky qëndrim i gjykatës bie në kundërshtim të plotë me nenin 375 të K.Pr.Penale, vendimin Nr.50 dt.30.07.1999 të Gjykatës Kushtetuese, si dhe vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë, Nr.5/2003, në të cilat përcaktohen rastet dhe kushtet kur duhet të aplikohet neni 375 i K.Pr.Penale, që bën fjalë për ndryshimin e cilësimit juridik të veprës. Në asnjë rast si në K.Pr.Penale, ashtu edhe në vendimet e sipërpërmendura, nuk konfondohet që gjykata të kryejë hetime, pra të marrë një rol aktiv në ndryshim nga pozicioni i saj procedural e kushtetues, por vetëm përcaktohen kushtet se kur mund të kryhet ky ndryshim cilësimi, qoftë edhe për një vepër penale më të rëndë, mjafton që të jetë në kompetencë të asaj gjykate.

 

5.

Referenca në vendimin e Gjykatës së Strasburgut… me palë Giuliani dhe Gaggio, kundër Italisë…

“Çështja Giuliani dhe Gaggio, kundër Italisë”, nuk ka asnjë lidhje me rastin në shqyrtim, pra çështjen në ngarkim të pandehurve Ndrea Prendi, Agim Llupo për një sërë faktorësh si: a) Karabinieri italian ka qenë brenda automjetit, i rrethuar nga një turmë e madhe protestuesish të dhunshëm, ndërsa të pandehurit Ndrea Prendi e Agim Llupo, kanë qenë brenda rrethimit të ndërtesës, në “sektorin verior”, të pozicionuar dhe nuk u kanosej ndonjë rrezik real për jetën;

b) Karabinieri italian është goditur dy herë në trup, një herë me gur në kokë dhe një herë me fikse zjarri në këmbë, ndërsa i pandehuri Ndrea, sikundër u provua nga shqyrtimi gjyqësor, ka qëlluar me pistoletën e tij para se të dëmtohej në pjesën e vetullës, ndërsa i pandehuri Agim Llupo ka qenë në një pozicion ku ishte mjaft e vështirë që t’i shkaktoheshin dëmtime;

c) Në momentin që karabinieri ka qëlluar me armën e tij të zjarrit, ishte bërë objekti i një sulmi me fikse zjarri nga ana e viktimës Giuliani, i cili në momentin që është gjuajtur, ka qenë para kryerjes së një tjetër veprimi, ndërsa dy të pandehurit nuk u vërtetua se në momentin që kanë qëlluar, kanë qenë objekt i një sulmi të drejtpërdrejtë;

d) Protestuesi italian dhe bashkëprotestuesit që ishin afër tij, kishin të vendosur në kokë maskë për të mos u identifikuar, kishin në duar dërrasa e kazmë, kurse viktimat Hekuran Deda, Ziver Veizi etj., dhe të plagosurit nuk kishin asgjë të paligjshme në duar dhe ishin lehtësisht të identifikueshëm.

 

6.

Mungesa e hetimit të prokurorisë…

Në ndryshim nga sa argumenton gjykata, gjatë hetimit e gjykimit të çështjes, u provua plotësisht se përdorimi i armëve të zjarrit ndaj demonstruesve, është kryer në kundërshtim të hapur me normat e së drejtës dhe qytetarëve u është marrë jeta në kundërshtim me ligjin. Përdorimi i armëve të zjarrit ndaj demonstruesve, është kryer në kundërshtim të hapur me nenet 19 dhe 20, 21 të Kodit Penal.

 

7.

I pandehuri Ndrea Prendi është subjekt i posaçëm…

I pandehuri Ndrea Prendi nuk është subjekt i posaçëm, por është thjesht një subjekt i përgjithshëm, që me veprimet e tij individuale aktive, ka shkaktuar pasojën e kundërligjshme.

Organi i akuzës në asnjë rast dhe në asnjë moment të hetimit e gjykimit, nuk ka pasur parasysh dhe nuk ka konfonduar institucionin e Gardës Republikës me atë të pandehurit Ndrea Prendi, veprimet të cilat janë objekt gjykimi, pasi janë konkretisht veprimet e tij individuale aktive, të iniciuara në koshiencën e tij personale dhe jo si veprime të institucionit në përgjithësi. Akuza në rastin konkret është personalizuar në individin Ndrea Prendi dhe jo si përfaqësues institucioni.

 

 

Provat

Prokuroria depoziton në apel edhe fotot e ekspertimit në SHBA. Vrasja, jo nga një rikoshet

Fotot e videot e FBI-së: Agim Llupo qëlloi drejtpërdrejt Ziver Veizin

Prokuroria kërkon dënimin e Agim Llupos me 25 vite burg. Sipas saj, ai akuzohet edhe për vrasjen e Hekuran Dedës, megjithëse gjykata tha se nuk ka prova për këtë ngjarje, pasi viktima ka pasur plagë tejshkuese. Akuza thotë se për këtë vrasje ka dëgjuar dëshmitë e disa personave, të cilët kishin parë Llupon të qëllonte në drejtim të viktimës. “…Pasi mbaroi qitjen, nga ana jonë 5-6 qitje, ky person është kthyer me drejtim nga porta hyrëse e rrethimit, por nuk shikoja dot se kisha pishën, kur kalova pishën, pashë që ra personi (Ziver Veizi)…”, do të deklaronte një nga dëshmitarët.

Në lidhje me pretendimin e gjykatës se “predha te Ziver Veizi, është e dëmtuar në majë… ka bërë rikoshet…”, akuza tha se gjykata në kundërshtim të plotë me aktet e provat e verifikuara gjatë shqyrtimit gjyqësor, përshkruan në mënyrë tepër të pasaktë të dhënat nga ekzaminimet në dy aktet që lidhen me ekspertimin e predhës. Ndërkohë, nga administrimi i akteve të tjera të ekspertimit balistik të kësaj predhe si, akti i ekspertimit tekniko-balistik me numër 163G-SP-215 çështjeje, në laboratorin e FBI, në Quantico Virginia, si dhe akti i ekspertëve Gani Jahelezi e Dritan Zoto gjatë gjykimit, në asnjë rast nuk u evidentua dhe u përshkrua që kjo predhë të kishte një dëmtim në pjesën e majës. “Mungesa e papastërtive përreth vendeve të dëmtuara përforcon faktin se 2 (dy) ashklat e drurit, të cilat nuk ekzistonin në momentin e parë të këqyrjes në datë 21 janar 2011, sikundër përshkruan eksperti Dritan Zoto, jo vetëm që nuk kanë qenë në vrimën e këmishës, por tregon qartazi se veprimi i ekspertit Ndoc Çardaku, nuk është një veprim aspak profesional, por ai është një veprim tejet i qëllimshëm (në videon e prezantuar në gjykim, duket qartësisht veprimi i ekspertit Ndoc Çardaku, që shtyn me gisht një ashkël për në vrimën e hyrjes në këmishë dhe e ngjesh aty. Më vonë eksperti kërkon një “klemë” për ta hequr atë e për ta administruar si provë). Gjykata ka arritur në një përfundim të gabuar, pasi nuk ka vlerësuar faktet e pakundërshtueshme, të cilat do të mund ta çonin në një konkluzion logjik, si për sa i përket natyrës së dëmtimeve të evidentuara në predhën e gjetur në kufomën e të ndjerit Ziver Veizi, ashtu edhe sa u takon elementeve të tjera që lidhen me trajektoren e predhës brenda trupit të viktimës dhe trajektoren jashtë trupit të viktimës. Prokuroria thotë se vendimi i gjykatës për trajektoren e plumbit që preku Ziver Veizin është i pasaktë. “Jo vetëm fakti i vërtetuar katërcipërisht që predha nuk ka asnjë lloj dëmtimi në majën e saj, por edhe përfundimet e ekspertëve për këtë moment, gjykojmë se ky arsyetim i gjykatës që në fillim të artikulimit të tij është i pambështetur në prova dhe hipotetik. Në fotot e administruara në gjykim, në setin e imazheve, në mënyrë fare të qartë dhe pa pasur nevojë për asnjë koment, duket sesi është qëlluar, nga është qëlluar dhe çfarë “pengese” ka pasur në vijën e qitjes mes të pandehurit Agim Llupo dhe viktimës Ziver Veizi. Në këto foto e video, duket qartësisht distanca midis viktimës e të pandehurit, fakti që në lartësi të kësaj “vije qitjeje” sikundër arsyeton gjykata, nuk ka asnjë “degë peme, apo trung peme”, e cila të ketë ndikuar në ndryshim të trajektores së predhës”, pohon akuza. Edhe për këtë të pandehur, akuza thotë se ka vrarë me dashje. S.Ç.

 

KËRKOJMË

Ndryshimin e vendimit penal Nr.100 dt.07.02.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të të pandehurve Ndrea Pjetër Prendi dhe Agim Zarik Llupo dhe duke e gjykuar çështjen në fakt, të vendoset konform nenit 425/2 pika “b” të K.Pr.Penale, duke i deklaruar fajtorë për veprat penale që ata akuzohen, si dhe duke u caktuar një masë dënimi dy të pandehurve, në kufijtë e kërkesës së prokurorisë

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.