Lojërat e fatit, 50% e parave do t’u kthehet kumarxhinjve

Kumarxhinjtë shqiptarë do të kenë mundësi të marrin 50 për qind të atyre që lënë në lojërat e bixhozit. Kompania austriake “Austrian Lottery”që tashmë ka fituar të drejtën të ushtrojë biznesin e lojërave të fatit, e vetme për 10 vitet e ardhshme në Shqipëri, do të ndajë 50 me 50 fitimet me lojtarët. Komisioni parlamentar i Ekonomisë e ka firmosur dje mes debatesh kontratën me austriakët. Deputetet në fakt nuk kanë patur shumë kohë të diskutojnë. Është vendosur krejt befas pa u parashikuar në rend të ditës që kontrata e lotarisë bashkë me kontratën e shitjes së katër HEC-ve të miratohet dje nga komisionet parlamentare për të marrë miratimin final të hënën në seancë plenare. Licenca e Lotarisë kombëtare, sipas përcaktimeve ligjore, përfshin të gjitha lojërat numerike, të cilësuara lojëra fati ose siç i njihen ndryshe lotaritë. Këtu përfshihet loja “loto”, që është lojë fati, në të cilën zhvillohen baste për shansin e fitimit të disa numrave. Numrat fitues përcaktohen me hedhje publike të shortit. Shuma e përgjithshme e çmimeve të fitueshme ndahet në disa kategori fitimi, ku brenda secilës kategori të gjitha fitimet janë të barabarta. Lotaria kombëtare përfshin gjithashtu loton “loja shtesë”, që është një lojë fati, e cila mund të zhvillohet vetëm në lidhje me lojërat e tjera, që lejohen të organizohen nga i licencuari. Fitojnë ata lojtarë, numri i biletës së të cilëve përputhet plotësisht ose pjesërisht me numrin fitues. Në licencën për lotarinë kombëtare përfshihet edhe loja “keno”, që është një lojë fati, në të cilën loja lidhet me shanset e fitimit të kombinimeve të numrave, ku lojtarët fitojnë nëpërmjet përputhjes së kombinimeve përkatëse të numrave me numrat fitues të përcaktuar. Përfshihet edhe “loto me shifra”, që është një lojë fati në të cilën organizatori pranon dhe zhvillon lojën për shansin e fitimit të një ose më shumë numrave ose simboleve, nga një sasi e përcaktuar numrash a simbolesh. Fituesi i licencës së Lotarisë kombëtare përfshin lojëra fati, në të cilat pjesëmarrësi i lojës mund të konstatojë menjëherë nëse ka fituar, duke kontrolluar a është printuar një çmim fitues në biletën e tij. Në këtë licencë përfshihen edhe lotaritë elektronike, që janë lotari në të cilat kontrata e lojës lidhet nëpërmjet medieve elektronike, vendimi mbi fitimin apo humbjen merret ose vihet në dispozicion në një mënyrë qendrore dhe pjesëmarrësi i lojës mund të marrë dijeni për rezultatin e këtij vendimi menjëherë pas pjesëmarrjes në lojë.
MAPO
Add new comment