Meta mbështet Berishën:16- vjeçarët të votojnë, por duhet konsensus i palëve

Postuar në 12 Mars, 2013 08:51

 

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka mbështetur propozimin e aleatit të tij kryeministrit Sali Berisha për uljen e moshës së votimit në 16 vjeç.

“LSI mendon se 16-vjeçarët e meritojnë të votojnë dhe të marrin përgjegjësitë e tyre për arsye se ata e kanë të gjithë informacioni e duhur për të bërë vlerësimin dhe gjykimin e duhur. E dini se LSI është e para forcë politike që ka ndryshuar statusin për ti dhënë të drejtën e votës kësaj moshe, por duhet konsensusi i palëve për të realizuar këtë gjë”, tha Meta. Sipas tij edhe nëse konsensusi për të realizuar këtë ndryshim nuk arrihet përpara këtyre zgjedhjeve, patjetër në të ardhmen 16-vjeçarët do të kenë një rol më të madh se sa e kanë sot.

Kreu i LSI-së theksoi se bashkëpunimi mes forcave politike duhet shtrirë në të gjitha nivelet me qëllim miratimin e tre ligjeve, por edhe krijimin e një klime pozitive në kuadër të zgjedhjeve elektorale të 23 qershorit.

I pyetur për pritshmëritë e misionit vëzhgues të OHDIR, i cili nisi sot axhendën e takimeve në Tiranë, Meta vlerësoi angazhimin e OHDIR për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, duke shprehur angazhimin e LSI-së për zhvillimin e zgjedhjeve të standardeve më të larta evropiane.

“Ne mirëpresim angazhimin e OHDIR dhe vlerësuam gjithë punën që është bërë dhe synon të realizojë në të ardhmen për të garantuar një transparencë maksimale të vëzhgimit të zgjedhjeve, para, pas dhe gjatë ditës së votimit. Ne vlerësuam angazhimin maksimal të LSI për zgjedhje të standardeve më të larta evropiane në 23 qershor. Nënvizuam rëndësinë e bashkëpunimit të të gjithë forcave politike pavarësisht programeve të tyre elektorale për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, theksoi Meta.

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.