Thaçi: Deklarata e Nikoliqit, gënjeshtër tradicionale serbe

Prishtinë, 12 mars - (E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka quajtur kontroverse deklaratat e presidenti serb Tomisllav Nikoliq lidhur me dialogun që po zhvillohet në Bruksel. “Deklarata e Nikoliqit tregon një pa pjekuri të madhe politike dhe është krejtësisht e pavërtetë. Është një gënjeshtër tradicionale tipike e Beogradit.
Aq sa ka qenë e vërtetë deklarata e Milloshoviqit më 1999 se ka fituar luftën në Kosovë aq e vërtetë është deklarata e mbrëmshme e Nikoliqit” ka thënë Thaçi para ligjvënësve ku ka raportuar për takimin e fundit që ka pasur me homologun e tij serb, Ivica Daçiq. Ai ka thënë se asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jetë në pajtim të plotë me ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe sipas tij, do të jetë i njëjtë me asociacionin e aktual të komunave të Kosovës.
“Ata që kanë paqartësi për ecurinë e dialogut do të njoftohen për së afërmi nga garantuesja e këtij dialogu Baronesha Catherin Ashton e cila këtë javë viziton Prishtinën” ka deklaruar Thaçi. Shefi i ekzekutivit të vendit ka thënë se në kuadër të dialogut, në fund do të nënshkruhet një marrëveshje ndërmjet dy kryeministrave dhe baroneshës Ashton si garantuese. “Nëse arrihet marrëveshje për asociacionin e komunave, atëherë do të jetë më lehtë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve” është shprehur Thaçi.
Kryeministri ka marrë mbështetje nga grupi parlamentari i PDK-së ndërsa LDK-ja ka kërkuar dokumente me shkruara për dialogun. Ndërsa Glauk Konjufca nga Vetëvendosje ka thënë se bisedimet ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit po e thellojnë edhe më shumë ndarjen e Kosovës.
Kuvendi i lejoi kryeministrit të raportojë për bisedimet me Daçiqin
Prishtinë, 12 mars - 10:44 - (E plotësuar) Më 55 vota për, 12 kundër e 3 abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan kërkesën e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, që kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, t’i mundësohej të raportojë rreth bisedimeve të fundit me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq. Grabovci kishte kërkuar këtë edhe në mbledhjen e kaluar të Kuvendit, por deputetët ishin deklaruar kundër “ngutjes”.
Deputeti Grabovci kërkesën e tij e arsyetoi me motive se axhenda e kryeministrit gjatë ditëve të ardhshme është shumë e ngjeshur dhe nuk do të ketë mundësi të përmbush detyrimin kushtetuese për raportim në mbledhjen e ditëve të ardhshme të Kuvendit.
Vetëm Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes u deklarua kundër.
Në këto momente kryeministri ka filluar raportimin.
Nga Kuvendi varet nëse sot do të raportojë kryeministri
Prishtinë, 12 mars - 08:56 - Sot i vazhdon punimet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës e 8 marsit, me pikat e mbetura të rendit të ditës. Deputetët, ndërkaq, do të vendosin për kërkesën e kryeministrit Thaçi për të raportuar në Kuvend lidhur me takimin e tij të gjashtë me kryeministrin e Serbisë, në Bruksel.
Deputetët pritet të shqyrtojnë Planin e Veprimit për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit, Programin e Punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2013, shqyrtimin e dytë të Projektligjit për avokaturën shtetërore, shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, shqyrtimin e Raportit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit kundër diskriminimit, si dhe shqyrtimin e Raportit të punës së Komisionit për Reformën Zgjedhore për periudhën 22 prill 2011 deri më 29 gusht 2012.
KOHA DITORE
Add new comment