Moti keq, rrufeja vret një person. Hapen portat e 4 HEC-eve, dhjetëra hektarë tokë nën ujë

Postuar në 14 Mars, 2013 13:49

 

Reshjet e shumta kanë shtuar rrezikun për përmbytje në Lezhë, Milot dhe Shkodër, pasi prurjet e shumta të lumenjve kanë detyruar hapjen e portave të disa HEC-eve.

Reshjet e shumta të rëna gjatë ditëve të fundit kanë tejmbushur rezervuarët, prandaj është parë e arsyeshme që të hapen portat e hidrocentralit të Ulzës dhe Shkopetit.

Sipas informacioneve më të fundit nga Hidrocentrali i Shkopetit derdhen 350 m³/sec, ndërsa nga i Ulzës derdhen 300 m³/sec dhe të dy HEC-et punojnë me kapacitet të plotë. 

Nga hidrocentrali i Vau Dejës kanë nisur shkarkimet sot në 08:30 dhe portat po shkarkojnë 250-300 m3 ujë për sekondë.

 Prefektura ka njoftuar drejtuesit lokalë sidomos të komunave të nën Shkodrës, zona e Dajçit, e Bërdicës dhe Velipojës të monitorojnë situatën pasi mund të ketë probleme

Gjithashtu janë hapur edhe dyert e hidrocentralit të Komanit ku po shkarkohen nga 500 metër kub në sekondë. Rrezikohen komunat Berdice, Ana e malit dhe Velipoja.

Është rritur dhe niveli i lumit Kir, Buna dhe Drini. Deri tani e vetmja zonë që ka probleme për shkak të gërryerjes së tokave është komuna Rrethina fshati Bardhaj, ndërkohë që nën ujë janë tokat e Trushit të poshtëm dhe këneta e Velipojës te ura e Ded Gjo Lulit.

 Ndërkohë që hapja e portave të Hec Ulëz e Shkopet rrezikojnë fushat e Lezhës dhe të Kurbinit.

KESH: Hapëm portat e HEC-eve për të shmangur përmbytejet 

Sipas të dhënat më të fundit  të KESH-it Fierza është në nivelin 287.18 m, prurjet 1000 m3/s; HEC-I i Komanit është në nivelin 174.94 m, prurjet 1160 m3/s; HEC-I Vaut të Dejës 75.42 m ndërsa prurjet anësore 200 m3/s.

KESH njofton se për të menaxhuar sa më mirë këtë situatë dhe në zbatim të rregullores ka nisur shkarkimin në HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës. Në Hidrocentralin e Komani-t po punohet me 4 turbina/kapacitet maksimal dhe shkarkimet arrijnë në këto shifra: 600 m3/s nga porta dhe 670m3/s nga turbinat.

Gjithashtu edhe në Hidrocentralin e Vau i Dejës po punohet me kapacitet maksimal duke punuar me 5 turbina dhe shkarkimet janë në shifrat e 600 m3/s nga portat dhe 520 m3/s nga turbinat. Marrja e vendimit për nisjen e shkarkimet po bëhet në zbatim të rregullores dhe të miratuar nga Sekretariati Teknik të Shkarkimit të Plotave.

KESH gjithashtu thekson është në gatishmëri të plotë për të menaxhuar sa më mirë këtë situatë dhe për të garantuar me energji elektrike konsumatorin shqiptarë.

Dhjetëra hektarë tokë janë nën ujë në Qarkun e Shkodrës

Hapja e portave të Hidrocentralit të Vaut të Dejës dhe Komanit, ka sjellë sërish në vëmendjen e banorëve të zonës se Nënshkodrës përmbytjet. Dhjetëra hektarë tokë janë nën ujë në Qarkun e Shkodrës, ku edhe si rezultat i reshjeve të shumta të shiut dhe hapjes së portave të hidrocentraleve niveli i lumenjve Drin dhe Bunë, ka pësuar rritje dhe duke shënuar një situatë në kushtet e alarmit.

Prefektura e Shkodrës ka mbledhur komisionin e emergjencave civile dhe po mban kontakt të vazhdueshëm, me kryetarët e njësive vendore për monitorimin e situatës. Disa prej fshatrave të komunës Bërdicë, Ana e Malit ndodhen nën ujë, por prezencë uji ka thuajse në të gjithë zonën e Nënshkodrës.

Megjithatë, ajo çfarë pohohet nga të gjithë kryetarët e komunave bëhet me dije se ende nuk kemi asnjë shtëpi nën ujë por rreziku është ende i madh për vetë faktin se nëse do të ketë sërish reshje dhe shkarkimet nga hidrocentralet do të rriten atëherë situata pritet të jetë e njëjtë me ato të para dy viteve ku zona e Nënshkodres ishte e tëra nën ujë.

Shkodër, prezenca ujit vijon të rritet por nuk ka banesa të përmbytura

Situata në Qarkun e Shkodrës vijon të përkeqësohet. Fatmirësisht nuk ka banesa të përmbytura, ndërsa autoritet vendore theksojnë se prezenca e ujit vijon të rritet si pasoj edhe të mos pushimit të rënies së shirave.

Lushnjë, goditet nga rrufeja, ndërron jetë 50-vjeçari

Një 50-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht në banesën e tij në fshatin Krutje të Lushnjes pasi u godit nga një shkarkesë rrufeje. 

Viktima është identifikuar si 50-vjeçari Jorgji Goga. Ai ka humbur jetën pas shkarkesës elektrike teksa ndodhej pranë sobës, në banesën e tij. 

Rrufeja ka mundur të depërtojë në banesë nëpërmjet tubave të nxjerrjes së tymit. 

Familjarë dhe të afërm janë përpjekur ta shpëtojnë 50-vjeçarin duke e dërguar menjëherë në spital, por pa mundur dot. 

Lushnja, ashtu si gjithë pjesa tjetër e vendit tonë është përfshirë nga një mot i ftohtë me shi dhe erëra të forta, të cilat në shumë zona kanë shkaktuar edhe përmbytje. 

Fier, mblidhet Shtabi i Emergjencave: Rrezik dajla e Vjosës nga shtrati

Shtabi i Emergjencave është mbledhur në Fier për shkak të shqetësimit se reshjet intensive të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë ditës, mund të nxjerrin lumin Vjosë nga shtrati, e si pasojë të vijnë prurje të mëdha uji edhe drejt qytetit.

Shtabi i emergjencave, pas takimit për të vlerësuar situatën, ka dhënë direktiva për emergjenca evakuimi gjatë natës. 

Rreziku i përmbytjeve nga Lumi Vjosë ka mbledhur Shtabin Emergjencave ne rrethin e Fierit. Prefekti i qarkut, Robert Bitri, njëkohësisht kreu i Shabit të Emergjencave, u ka dhënë direktiva krerëve te komunave për shmangien e përmbytjeve.

Mësohet se reshjet e dendura në jug të vendit do të rrisin nivelin e Vjosës dhe rrezikohen të përmbyten një numër i madh fshatrash në Fier. Më të rrezikuar janë fshatrat Kafaraj, Ferres dhe Cerven 2, niveli i Vjosës është pak cm larg daljes nga shtrati.

Kamëz, bllokohen kanalizimet, përmbyten 1 mijë banesa

Reshjet e rrëmbyeshme të shiut dhe bllokimi i kanalizimeve janë bërë shkak për përmbytjen e banesave sot në rrugën “Iliria”, në Bashkinë e Kamzës. 

Banesat e rreth 1 mijë ndodhen sot në gjendje kritike, pasi uji ka hyrë në katet e para të banesave duke dëmtuar përveç oborreve, orenditë e shtëpive dhe mallrat e disa bizneseve.

Shkak për përmbytjen është bërë bllokimi i kanalizimeve. 

Pavarësisht se rruga është e rikonstruktuar, kanalizimet janë bërë në dimensione shumë të vogla duke mos përballuar situatën me reshjet që vijojnë prej ditësh.

Aksi Gjirokastër-Tepelenë, vështirësi qarkullimi

Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar vështirësi qarkullimi në aksin Gjirokastër-Tepelenë. Rruga është e përmbytur nga uji dhe kalohet me vështirësi, ndërsa përveç prezencës së ujit ka edhe rrëshqitje dherash  në aksin Gjirokastër-Tepelenë. Ndërkohë, në aksin rrugor Gjirokastër-Këlcyrë ka rrjedhje të ujit nga mali. 

 Reshjet, rrëshqitje dherash në kodrën e Currilave 

Reshjet e shiut kanë shkaktuar rrëshqitje të dherave edhe në kodrën e Currilave, në qytetin e Durrësit. Një masiv dheu ka bllokuar plotësisht rrugën dhe për pasojë edhe qarkullimin e automjeteve në këtë zonë.

Më të rrezikuarat nga rrëshqitjet e dherave janë banesat dhe bizneset e ngritura në krahun e kodrës. Mësohet se rrëshqitjet në këtë zonë janë rishfaqur për të pestën herë gjatë këtij sezoni dimëror.

Rrëshqitjet në kodrën e Currilave në Durrës kanë nisur të shfaqen dukshëm pas viteve 2000, kur filluan të ndërtoheshin godina, jo vetëm pranë rrugës, por edhe mbi kreshtën e saj.

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.