Zgjedhjet në Shqipëri do të testojnë ambiciet për në BE

Nga Andrew Gardner
European Voice
Shqiptarët do të votojnë më 23 qershor në një palë zgjedhje që janë cilësuar si një test i rëndësishëm për ambiciet e vendit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Votimet do të bëhet katër ditë përpara një samiti të BE, në të cilin liderët e vendeve të BE do të hapin dritën jeshile për Serbinë dhe Kosovën që të avancojnë në fazën tjetër të përpjekjeve të tyre për t’u bashkuar me BE-në.
Por ky votëbesim është në kontrast me progresin e avashtë që Shqipëria ka bërë që kur aplikoi për anëtarësimin në vitin 2009.
Në fillim të fushatës zgjedhore, Komisioni Europian kritikoi qeverinë shqiptare, e cila kishte planifikuar të mbante një referendum për reformat e kërkuara nga BE.
Stefan Fuele, Komisioneri Europian për Zgjerimin, tha se referendumi nuk është rruga për të anashkaluar mungesën e dialogut dhe bashkëpunimit konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës sa i përket axhendës evropiane.
Qeveria hoqi dorë nga plani për referendumin, por incidenti tregoi se sa i polarizuar është sistemi politik. Prej kohësh ai është dominuar nga dy parti me pushtet thuajse të njëjtë, që drejtohen nga dy rivalë të ashpër, kryeministri Sali Berisha dhe lideri i opozitës, Edi Rama.
Sondazhet e realizuara së fundmi sugjerojnë se Rama është në avantazh me shtatë pikë përqindje, ndërkohë që partia e tij siguron pak mbi 50 përqind të elektoratit.
Megjithatë, projeksionet janë të komplikuara për shkak të sistemit elektoral që i ndan mandatet në nivel rajonal dhe kombëtar.
Standarde të larta
Në prill, Catherine Ashton, kryediplomatja e BE, tha se BE i sheh këto zgjedhje si shumë të rëndësishme, në mënyrë që ato të mbahen në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane.
Të dhënat fillestare nuk janë premtuese, me premtime për blerje votash, presion ndaj nëpunësve të shtetit, mbulim mediatik të njëanshëm dhe një listë zgjedhësish me probleme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po ashtu është goditur nga një përplasje që erdhi pasi një anëtar u zëvendësua në prill nga parlamenti dhe tre anëtarë të tjerë dhanë dorëheqje si pasojë e këtij veprimi.
Ambasadori amerikan, Alexandër Arvizu, tha se ky komision duhet të jetë i lirë nga ndërhyrjet e çdo individi apo institucioni, përfshi këtu parlamentin e Shqipërisë. Komisioni tani ka katër anëtarë.
Zgjedhjet në vitin 2009 prodhuan një impas. Rama pretendonte se Partia Demokratike e Berishës kishte vjedhur zgjedhjet dhe për një kohë bojkotoi parlamentin.
Situata u përkeqësua në janar të vitit 2011, kur forcat e sigurisë vranë katër demonstrues të opozitës.
Zgjedhjet lokale në maj të vitit 2011 prodhuan fitore për Partinë Socialiste të Ramës, por sërish ai akuzoi PD-në për parregullsi.
Ngërçi politik bëri që aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE të mbetet në akull deri në vitin 2012, kur të dy partitë ranë dakord për reformat e kërkuara nga BE.
Marrëveshja bëri që Komisioni të rekomandonte që vendet anëtare të BE-së të hapin bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë, me kusht miratimin parlamentar të reformave. Parlamenti e miratoi paketën më 30 maj.
TEMA
Add new comment