Konformizmi social dhe përgjegjësia e secilit (II)

Postuar në 13 Korrik, 2013 03:19

Prof. Dr. Ylli Pango

Një influencë të jashtëzakonshme sociale ka pasur mbi shqiptarët dhe konformizmin e tyre social, sidomos autoriteti social i imponuar i njëshit. Natyrisht, më i madhi syresh në të shkuarën totalitare ishte vetëm ai i një lideri, ai i kryeliderit të partisë në pushtet, i sovranit (diktator). Nuk është sot fjala vetëm për një, por për disa autoritete të tilla sociale, me mendim të pagabueshëm, me vendim e fjalë të prerë, me gjykim gati sovran. Sot janë disa, natyrisht më të moderuar, por gjithashtu imponues të konformizmit social. Sigurisht, jo çdokush ishte e është në kontakt direkt me komandantin a komandantët. Por edhe masa e gjerë e ndjen pushtetin e tij a të tyre gati direkt, të përçuar nëpërmjet dhjetëra apo qindra komandantëve a kryetarëve, shefave, kryepartiakëve lokalë, a drejtorëve më të vegjël, e deri në drejtues ndërmarrjesh a institucionesh e sidomos sekretarë partish dikur, apo ca më poshtë, që impononin nënshtrimin e verbër ndaj autoritetit të tyre social. Secili syresh modelonte te vetja nëpërmjet imitimit të sovranit të madh, një autoritet në miniaturë të ngjashëm me të, duke u identifikuar herë-herë me një diktator të vogël, apo sot një njeri që të ka në dorë. Këta kërkojnë a imponojnë në një mënyrë ose tjetër konformizëm tek masa e vartësve apo punonjësve. Personalitete të tillë autoritarë e perceptojnë botën të ndarë në të fortë e në të dobët. Lidhjet e tyre me njerëzit vihen gjithmonë në lëvizje nga një stimul i fuqishëm; lufta për pushtet a mbajtje pushteti. Ata iu nënshtrohen atyre që i ndjejnë më superiorë se vetja dhe janë përbuzës e autoritarë me ata që i konsiderojnë inferiorë. E kanë të vështirë të pranojnë ambiguitetin dhe kanë tendencë të adaptojnë principe tepër konvencionale. Janë të paaftë të pranojnë dobësitë personale (madje as si mundësi), tendencat agresive apo dobësitë te vetja. Të gjitha këto cilësi të padëshirueshme ata i projektojnë te të tjerët. Janë mjaft të ndjeshëm ndaj ideologjive të tipit diktatorial. Të tilla autoritete priren e realizojnë nënshtrimin e njerëzve dhe kjo ushqen e është përsëri në vazhdën e konformizmit social.

Autoriteti social i imponuar, ai diktatorial sidomos, bashkëjeton për mrekulli me konformizmin. Një skenë tipike që e ilustron më së miri këtë ishte tepër e njohur për të gjithë shqiptarët asokohe: Një udhëheqës i lartë partiak e shtetëror flet përpara një auditori kuadrosh. Të gjithë si nxënës kanë ulur kokat mbi blloqe për të mbajtur shënime me shpejtësi. Janë të sigurt, madje edhe ata që njohin stenografinë, se shumë gjëra nuk do t’i shënojnë dot dhe kështu as fjalimin a bisedën nuk do ta dëgjojnë siç duhet. Tek e fundit janë të bindur se ky fjalim do të botohet nesër, pasnesër e do ta blejnë. Megjithatë, të bindur mbajnë shënime, ndonëse askush nuk ua ka kërkuar një gjë të tillë. Por kështu vepronte shumica, dhe po të mos veproje kështu mund të bije në sy për keq. Drejtuesve për më tepër u pëlqente kjo. Edhe më tipike ka qenë skena e ngritjes së dorës nga qindra apo mijëra njerëz në votimet unanime nëpër mbledhje apo rezultatet 99,9%, madje një herë edhe 100% në zgjedhje. Sot militantizmi shfaqet duke kërkuar të bjerë në sy të lidershipit, të vënies në shërbim pa rezerva, në aktivizimin formal e të zhurmshëm, në brohoritjet e tipit të së kaluarës, e deri edhe në bindjen pa hezitim (natyrisht më rrallë) karshi urdhrave të ngjashme me ato të kohërave të shkuara. Historia e këtyre 23 vjetëve ka njohur raste të tilla bindjeje të verbër, që i kanë çuar më pas konformistët extreme, të bindurit, në funde të palumtura personale. Në thelb, drejtuesit më të lartë kanë dalë sërish pa lagur.

Me komponentë të tillë si servilizmi, paaftësia, bindja e nënshtrimi i verbër, konformizmi ka qenë ndër aleatët më të mirë të diktaturave dhe është ende sot një ndër pengesat më të mëdha të ndërtimit të një demokracie reale. Mungesa e guximit qytetar, megjithë vështirësitë e mëdha të shprehjes së tij në sistemin diktatorial, ka qenë përreth gjysmë shekulli një ndër minuset më të mëdha të shoqërisë shqiptare dhe një ndër gjeneratorët e fuqizimit të pushtetit diktatorial dhe të autoriteteve të rreme sociale e atyre diktatoriale. Sot në një formë më të kamufluar dhe natyrisht jo të atyre përmasave, konformizmi përthyhet në dhjetëra konformizma më të vegjël, karshi mjaft liderëve partiakë, njerëzve më pushtet, njerëzve që përfaqësojnë forcën, qoftë edhe atë kriminale. Pluralizmi formalisht goditi konformizmin monopartiak, e atë ndaj pushtetit absolut unik diktatorial, por thelbi i konformizmit nuk qëndron këtu. Tek ne sidomos, ai qëndron në mentalitetin e nënshtrimit e në paaftësinë për të gjykuar me mendjen e vet. A nuk është mëse tipike konformiste, pamja e turmave në fushatat e mëdha elektorale, e disi démodé krahasuar me zgjedhjet demokratike në Perëndim. Kryetari i partisë që mëton për pushtet flet për investime, subvencione, taksa progresive e të sheshta, integrime etj. (fjalë të pakuptueshme apo të pazbërthyeshme në detaj për mjaft dëgjues), dhe njerëzit marrin pjesë, duket sikur dëgjojnë a kuptojnë, brohorasin në intervale të caktuara. Po të vihet re me kujdes, njëra fytyrë është e drejtuar diku jashtë podiumit, një tjetër flet me shokun, një i tretë ka ulur kokën e seç mendon, dikush qesh, një tjetër shfaqet i papërqendruar. Kur papritmas dëgjohet një brohoritmë e orkestruar, të gjithë i bashkohen, bërtasin, ngrenë duart lart, e sado të pavëmendshëm karshi fjalimit (shumica), brohorasin, duartrokasin, kalojnë në histeri. Turma është prezente, ajo konformohet. Lideri ngjiret, por efekti arrihet. Për ta plotësuar analogjinë me të kaluarën, në podium dalin djem artistë, grupe muzikore, vajza me kostume kombëtare, bie dajrja e daullja dhe gjithçka përsërit konformizmin e gati 50 vjetëve të shkuara, tashmë dedikuar jo më një partie, por shumë, mjaft më shumë partive të ndryshme. Pushteti ka tashti shumë kokë. Ai jep mundësi për më shumë komandantë, por edhe për më shumë konformizma, ngjyrimesh të ndryshme. Konformizmi ka më shumë zgjedhje. Pastaj kjo shpërblehet me poste, ofiqe, për më të konformuarit, më militantët, dhe siç e kemi thënë, hierarkia e vlerave, goditet sërish. Konformizmi godet hierarkinë e vlerave. Në thelb jemi përsëri konform me komandantin (tët), por në interes të përfitimit, jo aq si dikur të frikës.

Pothuaj askush nga njerëzit që mbushin sheshet sot, nuk mendon disi ndryshe nga komandanti: të rrallë janë ata që bien në mendime për ato që dëgjojnë, askush nuk pëson ndonjë ndryshim brenda vetes a të pasurohet në ide a bindje të reja, së paku pas disa muajsh fushatë ku paraqiten programe, sa shumë programe të reja, të thella, të ndritura, për të ardhmen e vendit. Fushatat, sidomos për zonat e shumta e sidomos të largëta provinciale, janë në një aspekt evenimente të rralla, një lloj feste popullore, ushqim për kuriozët, një lloj ekrani i madh ku njerëzit shohin live komandantët që i kanë parë aq shumë në ekrane. Mjaft syresh madje, deri diku shushaten, magjepsen, kur i shohin aq nga pranë, aq të gjatë a aq të gjallë, figurat aq shpesh amplifikuar nga media. Sugjestionimi është maksimal sidomos kur lideri u jep ndonjë shtrëngim dore, përgëzim, rrahje shpatullash. Fushatat sot janë një lloj koncerti, shfaqjeje, evenimenti, ngjarjeje e pazakontë, aq e rrallë, një herë në 2 apo 4 vjet, saqë duhet kuptuar a mirëkuptuar edhe pjesëmarrësi, qoftë militant ose jo. Sidomos në mungesën e variacionit, zbrazësinë e aktiviteteve kulturore a artistike aq të rralla për provincat tona. Por fushatat konformiste janë edhe një lloj sporti, (edhe sporti tek ne, për mungesë mbështetjeje financiare, nuk arrin të ngopë nevojën e njerëzve për iluzion e konsum adrenaline, si në mjediset sportive e stadiumet e mëdha të botës), një lloj tifozllëku ku adrenalina rrjedh lumë, ku njerëzit ngjiren, ulërijnë, bëjnë tifozin, të lirë tashmë të shajmë kundërshtarin a kundërshtarët. Skuadrën kundërshtare. Vini re sa me vend e ka quajtur Rama, skuadër, thjesht skuadër, ekipin e vet politik: sipas modelit skuadër sportive, siç e duan tifozët, por edhe skuadër sipas modelit të së shkuarës, skuadrave të pionierit, të punës, të Timurit etj.. Tifozi ynë konformist ka kështu “lirinë” (pa frikë nga polici a spiuni si dikur, ç’liri!), të qeshë a shpotisë hapur. I kënaqur me talljet që komandanti ynë X, i bën komandantit sharlatan Y a komandantëve të tjerë kundërshtarë, sado të mëdhenj e me pushtet të jenë ata (demokraci jo shaka). Madje disa nga turma, ata më të guximshmit a të programuarit, po të duan vetë, mund të marrin fjalën e të shajnë kundërshtarin duke marrë rrahje krahësh nga komandanti në tribunë (ishallah nuk vjen në pushtet ai tjetri). A nuk është “antikonformizëm” ky? Dhe së fundmi tifozeria shkon në shtëpitë e veta dhe i tregojnë njëri-tjetrit a atyre që nuk ishin, se ç’panë, sa e bukur ishte shfaqja e si ia plasi komandanti atij tjetrit. E përsëri shumica nuk kupton se është konformuar. Në një masë të madhe me diçka që nuk e dinë si do përfundojë, me ide, programe që rrallë i njohin. (Nganjëherë vetëm nga ngjyra e kopertinës). Përjashto këtu konformistët-pragmatistë, që nëpërmjet këtij konformimi, (në rast se fitojmë), do të “kapin” një punë të mirë, një shkollë a një post, pse jo. Sidomos kur konformisti ka rënë mirë në sy të liderit partiak fitimtar.

Nobelisti Saramago në romanin e tij ndërton situatën hipotetike të mosvotimit të shumicës. Vetëm 2-3 % votojnë dhe pjesa tjetër nuk beson asnjë palë. Në kushtet e mosbesimit ndaj të gjitha palëve, ndofta kjo e dyta do të ishte më pranë situatës demokratike, jo konformiste. Ndonëse për ne sureale e për botën demokratike më pranë së vërtetës. Apo e anasjellta.

Konformizmi social ka qenë e mbetet një fenomen me përmasa tepër të gjera në Shqipëri. Ndikimi i tij në jetën sociale shqiptare përreth gjysmë shekulli nuk mund mos ketë pasoja për të tashmen e për të ardhmen. Ai është pothuaj e pamundur, të zhduket menjëherë e përgjithmonë, së paku për kohërat tona. Madje edhe në kushtet e një demokracie tepër të avancuar do të ishte e zorshme të pranoje zhdukjen e tij të plotë. Shumë-shumë te ne mund të pretendohet për zvogëlimin e përmasave të tij, por në një masë të madhe, kjo do të arrihet relativisht më vonë. Sigurisht, nga brezi i më të rinjve me formim perëndimor, me arritjen e një niveli më të lartë kulture të përgjithshme e në veçanti të një niveli kulture demokratike qytetare e pjesëmarrjes më masive. Për ta arritur këtë shkolla duhet të japë një edukim antikonformist demokratik më bazal, teorik e praktik. Po kështu duhet ta ushqejë këtë antikonformizëm familja qytetare e kulturuar. Kjo do të vijë natyrisht edhe kur të reformohen partitë në sensin e antikonformizmit, të ringrihet hierarkia e vlerave, të formohen besimet e qëndrueshme, bindjet e vërteta, idetë, qëndrimet personale. I gjithë ky kompleks ndryshimesh është gradual dhe kërkon kohë, por është i pashmangshëm. Me kushtin e ndërgjegjësimit dhe pjesëmarrjes të sa më shumë njerëzve në të.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.