“Qeveria fshehu të dhënat, e frikshme çfarë mund të zbulohet në shtator”

Postuar në 19 Korrik, 2013 03:25

Milva Ekonomi: Normal të kemi “frikë”. Kujdes PBB-në

 

Cila është e vërteta mbi ekonominë e vendit? Është një pyetje që bëhet shpesh kohët e fundit, pas alarmit që hodhi kryeministri i zgjedhur Edi Rama, duke marrë si shembull Greqinë, qeveria e së cilës manipuloi të dhënat, deri sa shpërtheu kriza. Milva Ekonomi thotë se në kushtet që po kalon Shqipëria, statistikat marrin rëndësi të dorës së parë, por jo vetëm në aspektin e publikimit në kohë të të dhënave, por ato duhet të jenë më cilësore. Sipas saj, duhet rishikuar metodologjia e nxjerrjes së papunësisë, ndërsa ngre me habi faktin se pse rezultatet e PBB dalin me vonesë?! Duke folur për “Shqip”, ish-drejtoresha e INSTAT-it thotë se, “shqiptarët dinë pak të vërteta mbi ekonominë, pasi më parë i kanë kaluar qeverisë”.

Sa të rëndësishme janë statistikat, sidomos në kohët që po kalon vendi?

Besoj që statistikat janë gjithmonë të rëndësishme për një vend. Ato janë matësit më të mirë për të orientuar politikat publike. Por këto kohët e fundit kur Shqipëria ka probleme të dukshme të uljes së nivelit të jetesës, mungesës së investimeve të huaja, shtimit të borxhit publik dhe masës së kredive të këqija, statistikat marrin rol të dorës së parë.

Ajo që është më e rëndësishme të theksohet është se statistikat duhet të jenë neutrale, ato nuk mund të jenë mjete informimi që duhet t’i njohë më parë dhe plotësisht qeveria dhe publiku të përdorë më vonë një pjesë të vogël të tyre.

Prandaj statistikat duhet të mundësojnë njohjen e barabartë të realitetit për të gjithë. Për këtë duhet vetëm që të dhënat të dalin në kohë, të mbërrijnë njëkohësisht tek të gjithë përdoruesit, por duhet të jenë të cilësishme. Ato duhet të lejojnë të gjithë përdoruesit të rrisin vlerat e kërkimeve të tyre duke sjellë gjetje premtuese për shoqërinë tonë; në fushën e ushqyerjes, shëndetit, edukimit, ndërtimit, energjisë, bujqësisë, përdorimit të ujit, teknologjisë, shërbime financiare si dhe të hapjes së ekonomisë dhe të qeverisjes.

Ka një perceptim në opinion se “na është fshehur e vërteta” mbi gjendjen reale të vendit. Me aq sa e keni ndjekur situatën, sa “frikë” duhet të kemi për këto të vërteta që kryeministri i ardhshëm pret të na i tregojë në shtator?

Të dhënat elementare nuk janë lejuar të përdoren në këto vite, rezultatet e dala kanë qenë disi të ndryshme nga kërkimet e pavarura dhe shpesh ka pasur mospërputhje midis tyre. Kjo situatë në mënyrë të natyrshme të bën të kesh “frikë” për vërtetësinë e të dhënave. Disa seri kohore të dhënash me kalimin e kohës do të vetësistemohen, por në këtë moment kur duhet për të ndërtuar politika të reja, ato nuk janë aty.

Shtatorit nuk mund t’i japim përgjegjësinë e të vërtetave statistikore, por shtatorit duhet t’i japim përgjegjësinë e “peer-review” të prodhimin statistikor.

Mendoni se duhet të ndryshojë metodologjia e matjes së papunësisë?

Mendoj që Shqipëria duhet të ndjekë së pari metodologjinë e BE në matje dhe së dyti, duhet të zhvillojë konsensus statistikor mbi këtë matje, ashtu siç rekomandon Zyra Ndërkombëtare e Punës. Metodologjia e BB aktualisht po gjen vend në matjen e papunësisë, por hapja drejt një konsensusi në matje është joekzistent. Pjesë e metodologjisë së BE-së është edhe forma e prezantimit të të dhënave, të cilin Instituti i Statistikave nuk e ndjek. Të dhënat e punësimit/papunësisë duhet të bëhen të arritshme dhe kërkimet mbi punësimin, luhatjet e numrit të të punësuarve sipas sektorëve të ekonomisë duhen të jenë pjesë e dialogut politikëbërës në të ardhmen. Instituti i Statistikave duhet të hapet drejt publikut.

Si e konsideroni cilësinë e të dhënave për Prodhimin e Brendshëm Bruto?

Një nga problemet që shoh në këto të dhëna është koha e gjatë e publikimit. Besoj që në vend ka mjaftueshëm, ekspertë, akademikë, biznese shërbimesh që mund ta orientojnë këtë më mirë dhe të ulin kohën e prodhimit. Teknologjitë e reja që përdoren sot mbarë globit duhet të gjejnë vend edhe te ne dhe të sjellin një “revolucion të dhënash”.

Mendoni se duhet të forcohet mbledhja e të dhënave nga Gjendja Civile dhe në to të përfshihen edhe të dhëna për njerëzit e larguar në emigrim jashtë vendit apo të zhvendosur brenda vendit?

Mendoj se duhet përdorur për qëllime statistikore regjistri aktual i Gjendjes Civile. Ka informacion të papërdorur në rreshtat e këtij regjistri, sikurse ka nevojë që për qëllime statistikore atij t’i kontrollohet cilësia. Krahasimi i të dhënave sipas burimeve do të krijojë një mundësi të parë për statistikat migratore. Vetëm pasi të shihet kjo (që nuk është bërë deri tani) atëherë mund të mendojmë si të forcohet Gjendja Civile. Harxhohen para për regjistrin, censusin, anketat, zgjedhjet, por të dhënat mbi personin asnjëherë nuk janë krahasuar për të nxitur përmirësimin e statistikave migratore.

Si do të rritet punësimi në sektorin e bujqësisë, kur kjo kategori konsiderohet e vetëpunësuar?

Duke krijuar punë dhe puna vjen duke industrializuar bujqësinë që kemi aktualisht. Shqipëria në vitin 2012, edhe pse rriti popullsinë e saj urbane, nuk u bë një vend urban. Industrializimi që zakonisht shoqëron transformimin e një vendi nga urban në rural, nuk ishte rasti i Shqipërisë, urbanizimi shqiptar ndodhi sepse fshati u braktis nga mungesa e burimeve për punë. Unë besoj se orientimi më i mirë i politikave bujqësore, ambietaliste, turistike dhe energjetike do të japë shanse për punësim më të madh dhe të shpejtë në bujqësi.

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.