Fundi i vitit e gjen vendin me 30 miliardë lekë më pak

Postuar në 30 Gusht, 2013 04:18

Qeveria në ikje i ka “larë” duart nga përgjegjësitë e saj financiare. Dhe këtë e ka bërë para institucioneve ndërkombëtare, duke ja hedhur gjithë atë cfarë pritet të ndodhë qeverisë së re. Përgjigjet e dhëna nga qeveria në ikje për specialitët e FMN-së kur ishin në Shqipëri për të “skanuar” financat shqiptare, kanë qenë një delegim i të gjithë përgjegjësive për qeverinë e re, duke cilësuar si “sukses” të tyre lëhtësimin e taksave për biznesin edhe pse ky ka një efekt negativ deri në 5 miliardë lekë. Në këtë mënyrë pritshmëritë e financave shqiptare sipas Ridvan Bodes, janë tashmë në dorë të qeverisë së re, por nuk ka harruar të thotë se deri në fund të vitit buxhetit do ti mungojnë 30 miliardë lekë nga parashikimi i bërë. Ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar nuk kanë mundur në këtë mënyrë të zgjidhin shumë pikëpyetje që shqetësojnë ekonominë shqiptare, pasi pjesa më e madhe e përgjigjeve kanë mbetur pezull nga qeveria në ikje, edhe pse ajo vazhdon të jetë në detyrë, ku pse nuk e kishte parashikuar largimin e saj nga pushteti, duket se nuk kishte asnjë strategji vec rritjes së borxhit publik për të mbajtur “në këmbë” ekonominë shqiptare. Nga ana tjetër qeveria e re, ende pa marrë detyrën e saj gjendet përballë presioneve të asaj cka ka premtuar në fushatën e saj zgjedhore, por me këtë buxhet që gjen i mbetet thuajse asgjë për të bërë.

Pyetësori i FMN-së

Ekspertët e FMN-së kanë qenë të qartë në kërkesat e tyra për të marrë përgjigje për ekonominë shqiptare. Përmes pyetsorit ata kanë dashur të dinë rreth ndryshimeve të bëra për taksat dhe efektet e tyre në buxhet, cfarë po bëhet për ekonominë informale, si do të jetë në të ardhmen ecuria e borxhit, deficiti, epo kështu nuk kanë harruar ta pyesin ministrin në ikje as për energjinë, apo për privatizimet të mundshme në këtë periudhë. Vetëm nga ulja e taksave, efekti në buxhet do të jetë negativ, me të paktën 5 miliardë lekë, megjithatë vendimet fiskale të qeverisë në ikje janë marrë. E përgjigja për privatizimet nga qeveria në ikje është interesante. “Në vitin 2013 nuk mendohet se do të materializohet ndonjë privatizim shtesë, përveç atyre që janë kryer tashmë (privatizimi i katër hidrocentraleve). Lidhur me periudhën e vitit 2014 dhe më tej, një pikëpamje më e saktë për privatizimet gjithashtu dhe për politikat e privatizimeve për periudhën afatmesme do të mund të jepet vetëm në shtator, nga qeveria e ardhshme”. Duke “shpëtuar” me argumentin e qeverisë së re të shtatorit, kjo qeveri ka “larë” përgjegjësitë e saj para faktorit ndërkombëtar, por nuk e ka bërë atë para shtetësve të saj. Pasi në cdo mbledhje të fundit të Qeverisë, kryeministri në ikje nuk ka lënë privatizim apo dhënie me koncension HEC-esh, apo rastin e shëmtuar të shitjes së Albetrol për të mbuluar borxhet e Rezatr Tacit.

Ja disa nga përgjigjet e shmangura të ministrit në ikje

Jepni vlerësime lidhur me deficitin fiskal të projektuar (përfshirë tendencën e të ardhurave dhe përbërësit e shpenzimeve). Sa po ndikon ngadalësimi ekonomik në të ardhurat nga taksat dhe shpenzimet?

Paraprakisht ne projektojmë një mungesë në të ardhurat buxhetore prej rreth 30 miliardë lekësh, në krahasim me ligjin aktual të buxhetit, të miratuar në fund të vitit të mëparshëm.

Deficiti për vitin 2013, bazuar në ligjin ekzistues do të jetë të paktën 4.6 për qind e GDP, nga i cili 3.5 për qind e GDP është miratuar fillimisht që të financohet përmes huamarrjes (si e brendshme ashtu dhe e huaj) dhe shtesa prej 1.1 për qind e GDP do të financohet përmes të ardhurave nga privatizimi që do të arkëtohen në vitin 2013 (kryesisht katër hidrocentralet), të cilat nuk ishin përfshirë në planin ekzistues të buxhetit. Ligji ekzistues i buxhetit për vitin 2013 përcakton se burimet shtesë financiare që vijnë nga privatizimi duhet të përdoren ose për shpenzime kapitale, ose për të reduktuar financimin neto të planifikuar për vitin 2013. Duke pasur parasysh buxhetin aktual për gjysmën e parë të 2013, ka shumë pak të ngjarë që ndonjë pjesë e këtyre privatizimeve të shkojë për reduktimin e huamarrjes neto.

Deficiti final buxhetor varet nga ecuria e të ardhurave për muajt e mbetur si dhe nga aftësia dhe vendimet për të kontrolluar shpenzimet, duke pasur parasysh gjithashtu hapësirën e lënë për kursime.

Pas krijimit të qeverisë së re në fillim të shtatorit, ka të ngjarë që të ndodhë një rishikim i buxhetit, ku do të qartësohen të dhënat e fundit. Për momentin, nuk mund të japim një përgjigje më të qartë të kësaj pyetjeje.

Gjithashtu, rishikimi i Kuadrit Makroekonomik e Fiskal për 2014 – 2016 ka të ngjarë që të kryhet në shtator.

Cila është perspektiva për privatizime në 2013-14 duke pasur parasysh mjedisin e pasigurt global?

Në vitin 2013 nuk mendohet se do të materializohet ndonjë privatizim shtesë, përveç atyre që janë kryer tashmë (privatizimi i katër hidrocentraleve). Lidhur me periudhën e vitit 2014 dhe më tej, një pikëpamje më e saktë për privatizimet gjithashtu dhe për politikat e privatizimeve për periudhën afatmesme do të mund të jepet vetëm në shtator, nga qeveria e ardhshme.

Cilat janë synimet e autoriteteve përsa i përket objektivave të borxhit publik në afatin e mesëm?

Cili është kufiri fiskal pas heqjes së tavanit të borxhit prej 60 për qind të PBB-së? Ky është gjithashtu një vendim që do të merret nga qeveria e re, si rrjedhojë nuk mund të ketë përgjigje të paktën deri në vjeshtë.

Cilat janë synimet e autoriteteve në të ardhmen?

Në shtator 2013 do të fillojmë procesin e hartimit të strategjisë së re të borxhit në linjë mekuadrin e ri makroekonomik dhe ligjin vjetor të buxhetit. Objektivat e strategjisë aktuale për 2013-2015 janë në linkun: http:/ëëë.minfin.gov.al/minfin/Strategies_503_2.php). Synimet janë që të menaxhohen rreziqe të ndryshme duke marrë në konsideratë minimizimin e kostove dhe përmirësimit të tregut të letrave me vlerë të qeverisë duke zgjeruar bazën e investitorëve. Objektivat do të kuantifikohen nga numri i treguesve të rrezikut dhe objektiva të tjerë të lidhur me raportin e borxhit të brendshëm ndaj atij të jashtëm.

Pushteti vendor si ai qëndror, nuk realizon dot të ardhurat

Edhe pushteti lokal, që para pak ditësh Ministri Bode e cilësoi si fajtor për mos realizimin e të ardhurave, ka thelluar më tej deficitin buxhetor. Në të dhënat 7 mujore të këtij pushteti, taksat e mbledhura janë rreth 1.1 miliardë lekë më pak se parashikimi. Nga të dhënat e Ministrisë së Financave për treguesit fiskal sipas buxhetit të konsoliduar për 7-mujorin, vihet re se të ardhurat nga pushteti vendor janë 6.4 miliardë lekë, nga 7.5 miliardë që ishte planifikimi në fillim të vitit. Edhe pse është kërkuar shpesh nga institucionet qendrore një rritje e eficiencëssë vendorëve në mbledhjen e të ardhurave, kjo nuk ka dhënë rezultatin e pritshëm. Ndërkohë, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, shpenzimet për buxhetin vendor për 7-mujorin kapin vlerën e 17.4 miliardë lekëve, ndërkohë që ishin planifikuar 15.6 miliardë lekë. Aktualisht, taksat e pushtetit vendor, të ardhurat e të cilave shkojnë në buxhetin e shtetit, janë taksa mbi pasurinë, mbi biznesin e vogël dhe taksa lokale. Ecuria e dobët e mbledhjes së të ardhurave nga pushteti vendor, sipas ekspertëve të ekonomisë vjen si rrjedhojë e një manaxhimi jo të mirë, si dhe nga niveli i ulët i kapaciteteve njerëzore nga këto njësi. Jo në pak raste është theksuar edhe idea e mbledhjes së taksave vendore nga administrata qëndrore fiskale, ndërsa njësitë vendore të përfitonin një përqindje të këtyre të të ardhurave. Ndërkohë, në total të ardhurat në buxhetin e shtetit gjatë kësaj periudhe ishin 185.3 miliardë lekë me një mosrealizim prej rreth 11.5 miliardë lekësh nga planifikimi fillestar. Shpenzimet arritën në 233.1 miliardë lekë, duke krijuar një deficit buxhetor prej rreth 47.7 miliardë leke.

 

 

DITA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.