Blerim Gashani: Shkrimi i Arben I. Kastratit "Hashim Thaçit: Sutor, ne ultra crepidam", një klithje ksenofobike

Postuar në 15 Janar, 2014 05:47

Ka diçka shumë të problematike, shumë të jashtëkohshme, shumë makabre, shumë morbide, shumë fyese, shumë primitive, shumë të ultë, shumë ksenofobike, shumë raciste (në kuptimin modern të fjalës), shumë anakronike, shumë jomorale, shumë joqytetare dhe shumë të mjerueshme në tekstin e Arben I. Kastratit (http://respublica.al/author/arben-i-kastrati), që duke u zgjatur pambarim, dëshpërimisht kërkon dhe gjakon të ketë një gjini, të bëhet një analizë, një koment a kolumnë, kurrë pa ia arritur.

 

Në një shumësi paragrafësh, pa koherencë mes vete, përveç një konsistence fataliste dhe nihiliste, përveç një konsistence të mjerueshme për stigmatizim të dikujt dhe diçkasë që e trajton si të huaj, si tjetër, si inferior, si fajtor, si “zezak”, si “barbaroi”, ky autor ia ndërton vetes një vend të sigurt si protagonist i tregimit të Kritzingerit, në filmin “Conspiracy” (për ata që s’e kanë parë filmin, tregimi është për një djalosh të shkatërruar nga urrejtja për babain e tij, aq shumë sa që jeta e tij e humb kuptimin, sapo babai i tij vdes). Autori na tregon qartë se i takon taborit të atyre, që nuk kanë asgjë në jetë dhe ekzistojnë vetëm për të na treguar oponencë, kundërshti, rivalitet, armiqësi dhe urrejtje kundër palës tjetër, e cila qenka fajtore për të gjitha që ata nuk mund t’i arrijnë në jetë. Dhe shih çudinë, sapo të zhduket ajo palë “armike”, kjo klasë venitet e zhduket. Për një arsye të thjeshtë: nuk kanë kënd ta fajësojnë për dështimin dhe dështimet e tyre.

 

Ka shumë urrejtje në këtë shkrim, por ka edhe një të mirë. Nuk lë ndonjë nevojë për shumë komente shtesë. Ato tregojnë mjaft në vetvete. Prandaj, vetëm sa për ilustrim po i përmendi disa margaritarë ksenofobie dhe racizmi. Ndërsa sa i takon përdorimit gjeoracist (e huazova këtë nga Xh. Ahmeti) të fjalës katundar, nuk e shoh si të denjë komentimin. Kush s’e ka kuptuar se shumica e shqiptarëve (dhe më tej, e ballkanasve), kanë formim dhe background katundari – pa ngarkesë pezhorative – nuk mund ta kuptojë këtë nga unë. Ndoshta “Historia e Ballkanit 1804-1999” e Misha Glennyt do të ndihmonte pak në këtë rast.

 

Shkrimi pretendon analizën e një fenomeni, por hyn drejtpërdrejt në analizë të personalitetit me konkluzionin që e arrinë në paragrafin e parë (sic!). Duke e quajtur ‘targetin’ në mënyrë pezhorative katundar, thotë se “është një njeri përsosshmërisht i papërsosur”. Pastaj vjen xhevahiri tjetër, si citat nga Xhaxhai (sic! erudicioni, humanizmi dhe toleranca paska traditë në këtë familje) i autorit: “Katundarët janë të mirë nganjëherë, por e kanë një të keqe, shtohen shumë” (a po ju kujtohen këto akuza për plleshmërinë e shqiptarëve dhe elaboratet për frenimin e kësaj energjie?!). Vazhdon të na “edukojë” autori: “katundarit i është ndaluar të mendojë, madje edhe me kushtetutë, edhe me libra fetarë edhe me çdo gjë”. Me “fisnikëri” dhe nga një stad më i lartë i thotë bashkëkombasit të tij se ai “ende është në fazën e shijimit të gatimit të restoranteve”. Dhe vazhdon me numërimin e dështimeve, që (mendoj unë) janë të tilla, jo vetëm pse subjekti i sulmuar është në pozitë, por pse një autor i tillë është në “opozitë”. Dhe kjo na dërgon në një çështje tjetër.

 

Pas një parade të paparë shfryrjesh dhe fyerjesh, që s’janë për t’u publikuar (edhe një herë), ky shkrim i “lodhtë” na e jep një përgjigje. Paradoksalisht, na mëson diçka. Kjo klithje ksenofobike na tregon se shqiptarët nuk janë në këtë gjendje ku janë pse kanë udhëheqës të këqinj (dhe kjo është shumë e vërtetë), por pse vazhdojnë të prodhojnë klasa njerëzish që kërkojnë me ngulm të na “shpëtojnë” nga ta dhe që janë në lartësinë morale, kombëtare e humane të njëjtë me të parët. Dëmi neve nuk na vjen (vetëm) nga hajnat, të korruptuarit, të padijshmit, të pamoralshmit, primitivët...po nga “kritikuesit” që janë kopje e tyre dhe i sulmojnë ata vetëm nga xhelozia që s’janë me ta ose në vend të tyre (për më shumë dhe më mirë shih http://ina-online.net/opinione/27627.html).

 

Ne jemi ku jemi, sepse (s’mund ta paramendoj dot?!) autori i këtyre rreshtave i thotë vetes intelektual, aktor, njeri i artit e i kulturës. Dhe, pret që ne t’i besojmë se ai është ndryshe dhe përfaqëson diçka ndryshe nga ajo çfarë sot u ofrohet shqiptarëve. Me këso adresime (dhe duhet ta dimë se, sikur ka thënë latini i vjetër: scripta manent), ai tenton të na tregojë se lufton për vlera tjera nga ato që i përfaqëson armiku i tij i sotëm dhe idhulli i tij i djeshëm. Duke e lexuar tekstin e tij, s’mund të mos mendosh: sa larg vlerave qytetare që është, sa larg!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.