Ish-kreu i hetuesisë: Arsyet pse u inskenua 2 Prilli ’91

Ditari i Kryetarit të Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, i cili ka shërbyer në këtë detyrë nga viti 1982 deri më 1992, sjell fakte për shumë ngjarje që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe vendimtare për Shqipërinë. Dorëshkrimi i këtij libri u mbajt për 21 vite me radhë në sirtar, për të parë dritën e botimit vetëm tani. Së shpejti Shtëpia botuese “Onufri” sjell para lexuesve rrëfimin e parë të plotë të kryehetuesit Qemal Lame, duke filluar me demonstratën e heshtur në Shkodër në vitin 1990, për të vijuar me ngjarjet në stadiumin e Kavajës, ku u hodhën parullat e para antikomuniste, lëvizjet antikomuniste në Tiranë, e për ta mbyllur rrëfimin me ngjarjet e 2 Prillit 1991 në Shkodër. A.T
Pjesë nga dorëshkrimi i kryehetuesit
Në detyrën shtetërore si Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, veprimtarinë si anëtar i Plenumit të Komitetit Qendror dhe me kontributin në media, me të drejtë mund të thuhet se duhej të isha mbrojtës tipik i interesave të Partisë së Punës dhe shtetit të diktaturës së proletariatit! Kjo mund të shtrohet natyrshëm dhe me të drejtë në çdo kohë. Por në realitetin e qëndrimeve dhe veprimeve të mbajtura, kanë dominuar mbështetja në parimet e drejta politike dhe normat kushtetuese. Nuk pajtohesha me kërkesat për veprime në kundërshtim me këto parime, për të ruajtur pozitën që kisha, ose për më shumë. Qëndrimet që mbaja krijonin natyrshëm distancime dhe reagime nga drejtuesit kryesorë të atëhershëm të partisë dhe të shtetit. Me rëndimin e situatës politike dhe shtimin e presionit të organizuar dhe dhunës shtetërore për mbajtjen dhe ruajtjen me çdo mjet të pushtetit nga udhëheqja më e lartë, binte më shumë në sy, ndryshimi midis funksionit politik e shtetëror që kisha dhe mendimeve për një sistem të ri që bëja të njohura në organet më të larta të partisë, të shtetit dhe në media për opinionin publik…..
Drejtuesit e Partisë së Punës, reaguan me të gjitha mjetet edhe kundër mendimeve të mia politike dhe qëndrimeve që mbaja me veprimet e kryera, duke u bazuar në interpretimin dhe zbatimin e drejtë të Kushtetutës dhe të ligjit. Puna ime me përkushtim u interpretua si devijim dhe u bë arma me të cilën filluan të më ndëshkojnë për sabotim të politikës së Partisë dhe shtetit. Akuzat u bënë publike nga udhëheqja e Partisë, Sigurimi i Shtetit, Policia, u mbështetën edhe nga drejtuesit kryesorë të Prokurorisë e të Gjykatës, si dhe nga fanatikët e indoktrinuar.
Duke mos pasur mundësi për shkarkimin nga Kuvendi, inskenuan dhe shfrytëzuan kërkesën e opozitës për sqarimin e ngjarjes, së 2 Prillit 1991, në Shkodër, si një kusht për marrjen pjesë në Kuvend. Kështu u ngrit padrejtësisht dhe me qëllim të paramenduar për herë të parë një komision hetimor. Në bazë të vendimit të parapërgatitur nga forca politike e PPSH-së, e përfaqësuar në Parlament, përfundimisht u arrit qëllimi që unë të shkarkohesha nga detyra dhe të bëhesha shembull për ata që nuk mbronin me besnikëri “interesat e partisë”…. Drejtësia bëri zbatimin teknik të Kodit Penal dhe të Kodit Procedurës Penale, aq sa lejonte dhe i interesonte udhëheqjes politike të kohës. Vlerësoj se nuk u arrit të çohej deri në fund zbulimi i së vërtetës, veprimtaria e autorëve kryesorë, qëndrimi i organeve më të larta shtetërore dhe partiake në kushtet e situatës së rëndë politike dhe shoqërore, përgjegjësia penale direkte dhe përgjegjësia politike e personave më të rëndësishëm në krye të Partisë dhe të shtetit. Autorët, ekzekutorët, ndihmësit dhe bashkëpunëtorët që realizuan vrasjet e katër personave dhe arritën të fshehin gjurmët e tyre, nuk u arrit të vihen para përgjegjësisë penale… Problemi themelor në moszbulimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe të përgjegjësisë së fajtorëve, qëndron pikërisht në rëndësinë politike që kishte në atë kohë inskenimi i një ngjarjeje të rëndë, derdhja e gjakut dhe acarimi i gjendjes politike dhe shoqërore, për të shpejtuar rënien e sistemit politik socialist. Me gjithë ndryshimet demokratike, drejtësia nuk arriti të depërtojë në kulisat politike dhe gërshetimin e tyre me veprimtarinë e fshehtë agjenturore të brendshme dhe të jashtme, të përfshira në këtë luftë politike, siç ka treguar edhe përvoja e asaj kohe në ndryshimet e bëra në vendet e Europës Lindore. Presionet e mëdha në formën e persekutimit politik për çështjen në Shkodër, ishin në vazhdim të terrorit psikologjik të bërë direkt, pasi urdhërova lirimin e të ndaluarve për rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës. Pas lirimit të të ndaluarve për rrëzimin e bustit të Enverit, është bërë një peticion nga “Shoqata e Enverit” me mbi 15 000 firma nga ushtarakë, punëtorë operativë dhe persona të ndryshëm të revoltuar nga lirimi i të ndaluarve, ku i kërkonin ndihmë edhe anëtarit të Byrosë Politike dhe Ministrit të Mbrojtjes, Kiço Mustaqi, për arrestimin tim…Presionet e gjithanshme synonin për të më penguar në zbulimin e së vërtetës, të më mbyllnin gojën dhe për të më larguar sa më parë nga funksionet shtetërore. Propaganda më vuri në radhët e kundërshtarëve të drejtuesve të Partisë së Punës. U përsërit qëndrimi i njohur në atë kohë, si armik, tradhtar etj. Në Mbledhjen e Këshillit Presidencial, që në fillim, Ramiz Alia deklaroi se kishte marrë në mbrojtje kryetarin e Hetuesisë së Përgjithshme dhe Prokurorin e Përgjithshëm, në takimin me militantët e revoltuar për rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës dhe lirimin e të ndaluarve. Në kundërshtim me këtë deklarim, mbledhja tregoi menjëherë qëllimin e vërtetë për orientimin e paramenduar për shkarkimin e këtyre dy funksionarëve të lartë. Në situatën e tensionuar politike të ngritjes së ushtarakëve kundër rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës dhe urdhrit të dhënë prej meje për lirimin e të ndaluarve të akuzuar për rrëzimin e monumentit, ish-Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Haxhi Lleshi, kërkoi (në mbledhjen e Këshillit Presidencial) që unë të shkarkohesha dhe të merreshin masa deri ekstreme, te arrestohesha…Më erdhi keq se propozimi për shkarkim nuk u kundërshtua nga kryeministri, Fatos Nano dhe nga Ministri i Punëve të Brendshme, Gramoz Ruçi, pasi në marrëdhëniet e përditshme, ata tregoheshin miqësorë në marrëdhëniet e përbashkëta dhe vlerësonin punën time. Anëtarët e tjerë të Këshillit Presidencial nuk ishin dakord me atë propozim dhe reaguan menjëherë duke argumentuar kundërshtimin e tyre. Në kushtet që anëtarët e tjerë u shprehën kundër, Ramiz Alia donte të ndryshonte mendimin e tyre dhe ndërhyri duke thënë se: “Thuhet se ti, Qemal, ke devijuar nga vija jonë e Partisë dhe duket se po i shërben Partisë Demokratike!”. Në atë kohë, unë isha anëtar i Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, ku Ramiz Alia ishte i zgjedhur dhe ushtronte funksionin e sekretarit të parë të Komiteti Qendror… Kështu u cilësova, qartë dhe konkretisht, si tradhtar. Me këtë motivacion u kërkua padrejtësisht shkarkimi dhe deri edhe arrestimi. Menjëherë pas kërkesës për arrestimin tim, në vazhdim të mbledhjes, pa pushim, pjesëtarët më ekstremistë të Këshillit Presidencial, shtruan një propozim për internime masive të 200 deri 300 banorëve në pjesën veriore të qytetit të Kavajës, ku kishte më shumë tensione dhe rezistencë kundër politikës së PPSH-së dhe masave për mbrojtjen e rendit nga organet e punëve të brendshme. Por nuk u pranua dhe nuk u argumentua se një masë e tillë do të shkaktonte pasoja të tjera të pamundura për t’u kontrolluar. Gjendja do të rëndohej më shumë. Pas kundërshtimit të qartë të shumicës së anëtarëve të Këshillit Presidencial, në përfundim, nuk u vendos dhe u mjaftua me detyrën për organet e punëve të brendshme që të forconin kontrollin dhe evidenconin më mirë masat për parandalimin në kohë të ngjarjeve të rënda.
MAPO
Add new comment