Letra e opozitës drejtuar Ramës mban vetëm firmën e Lulzim Bashës

Partitë e djathta
Mungon Ndoka. Teksti: Tërhiq aktin, të nisim bisedimet për konsensus
http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">
Votimi - Afati i lënë nga Rama për gjetjen e një konsensusi deri të mërkurën nënkupton se këtë të enjte, mazhoranca, e cila i ka 84 vota, mund ta kalojë për votim atë
Denoncimi - Pak ditë më parë, Partia Demokratike iu drejtua zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese, ku i kërkoi kësaj të fundit që të shfuqizojë aktin normativ të qeverisë
Statusi - Duket se mazhoranca kërkon konsensusin e opozitës, pasi ditët e fundit është rritur edhe presioni i ndërkombëtarëve, të cilët në këmbim të dhënies së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, kërkojnë vijimësinë e konsensusit ndërpartiak për realizimin e reformave
Herion Mesi
Një ditë pas ftesës së mazhorancës për konsensus me opozitën në lidhje me aktin normativ të ligjit për nëpunësin civil, kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka mbledhur dje aleatët e djathtë për të diskutuar mbi qëndrimin e opozitës lidhur me këtë çështje. Të pranishëm në takimin që zgjati rreth 1 orë ishin Fatmir Mediu i PR-së, Shpëtim Idrizi i PDIU-së dhe Dashamir Shehi i LZHK-së. Ndërsa ra në sy mungesa e kreut të PDK-së, Nard Ndoka. Ndërkohë, ashtu siç lajmëroi kreu i republikanëve pas takimit, Mediu, partitë opozitare iu drejtuan kreut të mazhorancës me anë të një letre të hapur, që mban logon e PD-së dhe të kryetarit të saj, Lulzim Basha.
Mungesa e Ndokës
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, gjatë një bisede të shkurtër telefonike të zhvilluar pasditen e djeshme, sqaroi për gazetën Shqip arsyet e mungesës së tij në takimin e djeshëm mes aleatëve të opozitës të thirrur nga kreu i PD-së, Lulzim Basha. Në prononcimin e tij, Ndoka, duke mohuar se kjo mungesë ishte e qëllimshme, theksoi se nuk ishte në Tiranë gjatë ditës së djeshme për arsye private dhe jo politike. “Është e vërtetë që nuk isha sot në takim, por për arsye private nuk ndodhem në Tiranë sot (dje). Nesër do të kthehem”, tha Ndoka. Ndërsa i pyetur se kjo mungesë e tij vjen nga ndonjë “pakënaqësi” ndaj kryetarit të PD-së, kreu i PDK-së e mohoi kategorikisht mundësinë e ndonjë krisjeje të raportit të tij me Bashën dhe aleatët e tjerë. “Jo, jo. S’ka lidhje fare. Nuk kam asnjë problem jo vetëm me zotin Basha, por me asnjërin nga aleatët. Unë jam pjesë e opozitës dhe aludimet për ndonjë prishje të raporteve mes nesh janë të pavërteta”, u shpreh dje për gazetën Shqip, kreu i PDK-së, Nard Ndoka.
Kreu i PR-së
Pas përfundimit të takimit që u zhvillua në selinë e Partisë Demokratike, i pari që u prononcua dje për mediat ishte kreu i PR-së, Fatmir Mediu. Në vlerësimin e tij, akti normativ për statusin e nëpunësit civil është antikushtetues dhe si të tillë, opozita e ka dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese. “Akti normativ është antikushtetues e ne s’mund ta pranojmë atë. S’ka njeri që të dalë mbi autoritetin e një konsensusi. Ne kemi diskutuar sot (dje) mbi bazën e një letre; ka një reflektim me shkrim nga ana jonë dhe do të shikojmë hapat e mëtejshëm edhe në bashkëpunim me ndërkombëtarët”, theksoi dje kreu i republikanëve, Fatmir Mediu.
Letra e opozitës
Në letrën e hapur drejtuar mazhorancës parlamentare, opozita shprehet se prekja nëpërmjet një akti normativ të miratuar vetëm nga Këshilli i Ministrave e çdo ligji të miratuar nga Kuvendi me shumicë të cilësuar, aq më shumë unanime në këtë rast, është një akt arbitrariteti i skajshëm antikushtetues, si dhe shprehje e një përçmimi, jo vetëm ndaj konsensusit parlamentar si vlerë, por edhe ndaj Parlamentit si institucioni më themelor i republikës. Sipas së djathtës, nëse mazhoranca kërkon me të vërtetë të gjejë rrugën e humbur të dialogut dhe arsyetimit me opozitën atëherë zgjidhja është e thjeshtë dhe evidente, të tërheqin aktin normativ, me të cilin u shkelmua konsensusi e bashkë me të edhe besueshmëria e PS-së për t’iu përmbajtur angazhimeve. Dhe duke vijuar më tej, opozita thekson se ky nuk është kusht, por “kjo është rruga e arsyes për të gjetur zgjidhjen së bashku”, theksohet në letrën e djeshme që opozita ua dërgoi krerëve të partive parlamentare të mazhorancës së majtë.
Korrespondenca
Dy ditë më parë, Kryeministri Edi Rama u është drejtuar me një letër publike katër kryetarëve të partive parlamentare të opozitës, Lulzim Bashës të PD-së, Shpëtim Idrizit të PDIU-së, Nard Ndokës të PDK-së dhe Fatmir Mediut të PR-së, për t’u ulur në një tryezë të përbashkët për të diskutuar mbi aktin normativ të qeverisë për pezullimin deri në 6 muaj të ligjit “Për nëpunësin civil”. Me anë të kësaj letre, Rama i ftoi katër krerët e partive të zgjedhin ditën e hënë, të martë ose të mërkurë për të diskutuar për aktin normativ. Por, ende pa iu tharë boja letrës së Kryeministrit Rama drejtuar krerëve të partive parlamentare të opozitës, ka ardhur reagimi i kreut të PD-së, Lulzim Basha, i cili e refuzoi ftesën e mazhorancës duke e kushtëzuar atë me tërheqjen nga ana e mazhorancës të aktit normativ të qeverisë, që e shtyn afatin e hyrjes në fuqi të ligjit për shërbimin civil me gjashtë muaj të tjerë. Ky refuzim ka pasur njëherësh edhe kundërreagimin e liderit të PS-së, i cili ka hedhur poshtë dialogun me kushte të ofruara nga ana e opozitës.
SHQIP
Add new comment