Aksion kundër billbordeve në autostradë

Postuar në 21 Tetor, 2013 03:53

Policia e Shtetit dhe Inspektoriati i Ndërtimit, në një aksion të përbashkët, shkatërruan gjatë mbrëmjes së të dielës të gjithë “billborderat” përgjatë autostradës Tiranë-Durrës. 

Pas urdhrit të dhënë nga Ministria e Brendshme, aksioni nisi rreth orës 19:00, me qëllim shkatërrimin e të gjitha “billbordareve” të ngritura në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Sipas një analize, rezultonte se të gjitha nuk e kishin respektuar largësinë e detyrueshme nga rruga, duke u kthyer në jo pak raste edhe në burim aksidenti, për shkak të humbjes së vëmendjes nga to.

Aksioni, i nisur nga Tirana në drejtim të Durrësit, pritet të përfundojë të hënën në orët e mesditës, për shkak edhe të numrit të madh të “billborderave” të vendosura në këtë autostradë.

Më pas, aksioni do të vijojë në të gjitha rrugët nacionale, ku nuk është respektuar ligji për vendosjen e tyre.

Ministria e Brendshme bëri me dije se, për më shumë se një javë i kishte dërguar firmave, që i zotërojnë ato, të respektonin ligjin dhe t’i zhvendosnin në largësinë e detyruar, por asnjë prej tyre nuk i është përgjigjur thirrjes së Inspektoriatit të Ndërtimit.

Për këtë arsye, pasi ka përfunduar edhe afati i lënë, ka vijuar aksioni për shkatërrimin e plotë të tyre.

Ministria e Brendshme tha se aksioni është i mirëmenduar dhe nuk do të ngelet vetëm te “billborderat”. Pasi të jenë pastruar të gjitha rrugët nacionale nga to, do të fillojë prishja e të gjitha ndërtesave të ndërtuara buzë rrugës dhe që nuk kanë respektuar legjislacionin përkatës.

 

 

 Top Channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.