Basha: Qeveria, sulm institucioneve të pavarura

Postuar në 24 Tetor, 2013 10:04

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka garantuar Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin, Christian Danielsson, se opozita është e përkushtuar të bëjë gjithçka, për hapjen sa më parë të negociatave për anëtarësimin në BE.
Gjate takimit, Basha shprehu shqetësimin për shkeljen e kushtetutës dhe ligjeve, agresivitetin ndaj opozitës, fushatën e sulmeve ndaj presidentit të Republikës dhe institucioneve të pavarura: KLD, ILKDP, INSTAT, KQZ, etj nga mazhoranca.
Ai nënvizoi goditjen që mazhoranca i bëri konsensusit për ligjin e nëpunësit civil, përmes një akti antikushtetues normativ, duke nëpërkëmbur parimet e dialogut dhe gjithpërfshirjes.
“Qeveria çdo ditë po zëvendëson profesionistët në administratën publike, me militantë dhe emërime klienteliste, duke rënë ndesh me parimet e stabilitetit dhe vijimësisë, që nënvizohen në progres-raportin e Komisionit Europian”- tha Basha, duke shtuar shqetesim edhe per aktin normativ për buxhetin, si një akt të paligjshëm, pasi qeveria mund të marrë hua për të financuar investimet publike, por jo për të mbuluar rroga apo shpenzime operative.
“Përmes aktit normativ, – theksoi zoti Basha, – i cili në mënyrë të paprecedentë ligjëron heqjen dorë nga qeveria të mbledhjes çdo muaj, të 80 milionë dollarëve më pak se parashikimi, pritet të përkeqësojë treguesit e zhvillimit ekonomik të vendit dhe të cënojë rëndë mirëqenien e çdo shqiptari”
Nga ana e tij Danielsson ka vlerësuar përpjekjet e bëra gjatë mazhorancës së PD, për të përmbushur detyrimet për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe nënvizoi se duhet punë dhe përkushtim, për të përmbushur kushtet e vendosura për hapjen e negociatave. Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin, Christian Danielsson ka vlerësuar përkushtimin e opozitës, për të mbështetur procesin integrues të vendit.

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.