Rama: Stop kumarit online. Kazinotë, larg nga shkollat e bankat

Postuar në 26 Tetor, 2013 08:33

Krimi - Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se biznesi i lojërave të fatit është bërë strehë e parave të krimit të organizuar
Detyrimet - Qeveria u ka dhënë paralajmërim bizneseve të ligjshëm të lojërave të fatit që të paguajnë detyrimet e prapambetura
Hapja - Dje kanë nisur të hapen në Tiranë një pjesë e kazinove që u mbyllën për verifikim me nisjen e “Fundit të marrëzisë”
Ekzekutivi

Qeveria merr vendime drastike. Eskortë 24 orë për drejtoreshën Luneda Sufali

Jehona - Lajmi se Shqipëria ka bllokuar hedhjen e basteve “online” për qytetarët shqiptarë ka gjetur dje një jehonë të madhe në mediat botërore. Kjo, për shkak të interesave të mëdha ekonomike në këtë fushë
Fushata - Kryeministri Rama premtoi dy ditë më parë nisjen e fushatave të tjera radikale, në kuadër të krimit ekonomik dhe atij të organizuar. Sipas tij, këto nisma do të ndërmerren në muajt e ardhshëm.
Fatjona Mejdini

Qeveria shqiptare ka vendosur ta trajtojë në mënyrë radikale problemin e lojërave të fatit, duke e konsideruar këtë pjesë të biznesit si “cak” i errët i krimit të organizuar në vend. Në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së djeshme të qeverisë, Kryeministri Edi Rama deklaroi se në kuadër të një reforme ligjore kundër lojërave të paligjshme të fatit dhe bashkëpunimit me ministritë e linjës, ai komunikoi disa masa të marra për të luftuar këtë fenomen, i cili duket se përveçse një problem ekonomik është kthyer në një plagë sociale për Shqipërinë. Një nga masat më radikale ishte ajo e mbylljes së të gjitha faqeve të internetit ku mundësohen bastet “online” për shqiptarët. Sipas Ramës, qeveria në bashkëpunim me ekspertët e huaj ka zbuluar se janë 500 deri në 700 milionë dollarë çdo vit që “fluturojnë” nga Shqipëria drejt këtyre faqeve të internetit me premtimin se lojtarët do të bëhen milionerë. Por, sipas Ramës, qeveria është e vendosur të zbatojë me përpikëri ligjin aktual për lojërat e fatit, duke nisur nga respektimi i distancave të këtyre objekteve nga shkollat, spitalet, bankat etj. Kryeministri dje dha një mesazh edhe për ata sipërmarrës në lojërat e fatit që janë të licencuar në mënyrë korrekte. Rama deklaroi se biznesmenët e ligjshëm duhet të derdhin një orë e më parë të gjitha detyrimet ligjore të prapambetura dhe duhet të përgatiten seriozisht për zbatimin e ligjit në fuqi dhe masat e reja të qeverisë. Ai nuk nguroi të theksojë se qeveria po bënte si fillim atë që ishte më e rëndësishme, ndërprerjen e lidhjeve të politikës dhe policisë së shtetit me krimin ekonomik dhe kryesisht atë në fushën e lojërave të fatit. Këto masa u shoqëruan dje dhe me një vendim qeverie, i cili merr në mbrojtje të veçantë drejtoreshën e njësisë së lojërave të fatit, Luneda Sufali, e cila do të ruhet me një eskortë policie e cila do ta shoqërojë për 24 orë në ditë. Kjo masë është marrë për shkak të faktit se grupet e interesit të lojërave të fatit konsiderohen si tepër të fuqishme dhe për pasojë mund të kërcënojnë drejtoreshën e cila sapo është emëruar në këtë pozicion.
Masat ndëshkuese

Një nga masat më të rëndësishme në kuadër të frenimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit në Shqipëri është dhe ajo e prezantuar nga kryeministri Rama dje, mbyllja e faqeve nga ku personat apo kompanitë mund të hedhin baste përmes internetit. Sipas Ramës, kjo masë ishte vendosur sepse të dhënat tregonin shuma tepër të konsiderueshme që dilnin jashtë vendit si pasojë e këtyre faqeve të internetit, duke shkaktuar probleme të thella sociale apo ekonomike. “Kemi marrë vendimin që përmes ministres së Inovacionit të kërkojmë bllokimin e të gjithë website-ve ku derdhen kursime të emigracionit për familjet shqiptare këtu në Shqipëri, apo derdhen paratë e fundit të familjeve në kushte të vështira, jashtë Shqipërisë. Shifra që Shqipëria dhe shoqëria jonë dhe familjet shqiptare humbasin në aventurën e basteve online, në destinacione jashtë Shqipërisë, brenda një viti varion nga 500 në 700 milionë dollarë. Është një shifër tërësisht e papranueshme”, deklaroi Rama. Ai theksoi gjithashtu se ligji aktual në fuqi i lojërave të fatit do të zbatohej me përpikërinë më të madhe, duke spostuar një herë ato aktivitete që ishin në afërsi të shkollave, spitaleve dhe qendrave të tjera publike. Rama u bëri thirrje të gjithë të licencuarve në këtë fushë të shlyejnë detyrimet e prapambetura dhe të zbatojnë ligjin në fuqi.
Siguria e drejtoreshës

Qeveria dje ka miratuar në mënyrë zyrtare një vendim që i siguron drejtoreshës së njësisë së lojërave të fatit, Luneda Sufalit mbrojtje 24 orë. “Qeveria vendosi marrjen e masave për sigurimin fizik dhe garantimin e ushtrimit të funksioneve të drejtorit të njësisë së mbikëqyrjes së lojërave të Fatit”, thuhet në vendimin e qeverisë. Kjo mbrojtje, përmes një eskorte të siguruar nga Ministria e Brendshme vjen në një moment kur bizneset parregullta të lojërave të fatit po goditen në emër të luftës kundër krimit ekonomik.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.