Qeveria: Tre moratoriume për ndërtimet

Postuar në 31 Tetor, 2013 04:16

Suela Topi 

Qeveria do të përcaktojë rregulla të reja për ndërtimet në gjithë territorin e vendit. Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit nis konsultimin për të gjitha ndryshimet që do të bëhen në legjislacionin për territorin. Brenda dhjetorit Qeveria do të përfundojë konsultimet me gjithë faktorët për të përcaktuar piketat kryesore ku do të përqendrohen ndryshimet. 

Akuza për vendorët

 “Nga konstatimet e deritanishme ky ligj nuk është zbatuar dhe për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe për shkak të mosnjohjes nga njësitë e qeverisjes vendore”- deklaroi dje ministrja Gjermeni lidhur me ligjin “Për planifikimin e territorit”. Sipas saj, është bërë e domosdoshme ndërhyrja në ligj duke rishikuar në detaj çdo problem të hasur deri tani i cili ka çuar në krijimin e një kaosi të vërtetë me ndërtimet. 

Moszbatueshmëria është shkaku i parë i ndërhyrjeve që ne parashikojmë si dhe konsistenca brenda ligjit për shkak të ndërhyrjeve që janë realizuar. Ndërhyrja jonë synon që ligji të bëhet më i zbatueshëm dhe të njihet nga të gjithë faktorët që merren me planifikimin territorit në Shqipëri. I gjithë procesi i rishikimit dhe i hartimit të draftit është brenda muajit dhjetor”, - deklaroi dje ministrja e ministrja Gjermeni. 

Ajo shtoi se ky proces bëhet në përputhje me prioritetet dhe si pjesë integrale e programit të Qeverisë Shqiptare për zhvillimin e qëndrueshëm urban dhe kontrollin e territorit, por si edhe në përgjigje të nevojave të autoriteteve të planifikimit, zhvilluesve dhe qytetarëve për qartësimin e bazës ligjore të planifikimit. Plani i qeverisë së re për territorin parashikon në radhë të parë 3 moratoriume të rëndësishme për ndalimin e aktivitetit ndërtimor në Bregdet, në burime pyjore dhe sipërfaqe ujore e në të gjitha zonat me rëndësi për Turizmin. Gjithashtu do të krijohet baza e integruar e të dhënave për territorin. 

Konsultimet

 Gjatë fazës së parë të procesit gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes do të ketë takime, diskutime dhe sugjerime ndërmjet aktorëve të përfshirë, do të qartësohen çështjet ligjore për të cilat kërkohet ndërhyrje dhe do të merren komentet përkatëse. Ndërsa në fazën e dytë, e cila parashikohet të zgjasë deri në qershor të vitit 2014, do të realizohet hartimi i ndryshimeve ligjore, në ligj dhe aktet nënligjore, si edhe do të miratohen ndryshimet e nevojshme për të pasur një kuadër të plotë dhe të zbatueshëm ligjor për planifikimin e territorit. 

Në takimin e djeshëm ishin përfaqësues nga ministritë e linjës dhe nga Autoritetet Kombëtare të Planifikimit, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT), Adelina Greca, si edhe përfaqësues të USAID-it, duke qenë se ky proces do të realizohet me mbështetjen e projektit për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore në Shqipëri. Takimet konsultuese parashikohet të vijojnë me Autoritetet Vendore të Planifikimit dhe me grupet e interesit, si zhvillues, profesionistë, pronarë, shoqëri civile, etj. 

Pas viteve ‘90, ndryshimet politikoekonomike dhe sociale në vendin tonë u shoqëruan edhe në zhvillime të pakontrolluara të territorit dhe urbanizimit, si në zënien e hapësirave publike deri në ndërtime informale në periferi të qyteteve kryesore. Gjithashtu, dhënia e lejeve të ndërtimit pa kriter dhe studime urbanistike bëri që zhvillimi i territorit të ishte spontan, pasoja të cilat po ndjehen në shumë fusha të tjera.

Prishjet, qeveria fonde shtesë për 3 ministri

Qeveria shton buxhetin për tre dikastere ministrore të cilat janë përfshirë në prishjen e ndërtimeve pa leje të planifikuara në gjithë vendin. 

“Vendim për një shtesë fondesh në buxhetin e vitit 2013, miratuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, për mbulimin e shpenzimeve për strukturat e angazhuara për ndërhyrjen e mbrojtjen mjedisore dhe rehabilitimin e territorit”, - thuhet në vendimin e marrë dje nga Ekzekutivi. Të tre këto ministri po punojnë për të vënë në zbatim një zërë vendimesh të marrë nga Ekzekutivi ku më të fundit janë plani për zonën ekonomike Tiranë-Durrës, për kurorën e gjelbër të Tiranës rehabilitimin dhe kthimin në identitet të zonave mjedisore që janë të ruajtura, si parqet kombëtare si dhe mbrojtja e zonave dhe objekteve të trashëgimisë kulturore. Vetëm për mbrojtjen e Parqeve Kombëtare, rezervave natyrore apo zonave të cilësuara si peizazh i mbrojtur është parashikuar prishja e rreth 500 objekteve. 

Objektet janë të shpërndara në 54 zona të ndryshme me një shtrirje në të gjithë territorin e vendit. Vetëm në zonën e Llogorasë, një nga peizazhet më të bukura janë ndërtuar 45 ndërtime pa leje. Pjesa më e madhe e këtyre objekteve janë ndërtuar për qëllime biznese, dhe më konkretisht janë 23 lokale. Vetëm 4 shtëpi pa leje janë ndërtuar në këtë zonë. Lezha dhe Pogradeci kanë pësuar një masakër të vërtetë mjedisore. Edhe në zonën e Bunës, bumi i ndërtimeve pa leje ka qenë katastrofik si pasojë e neglizhencës së institucioneve shtetërore të cilat nuk kanë ndërhyrë. Janë në total 30 ndërtime të konstatuara nga ekspertët e ministrisë së Mjedisit gjatë verifikimit në terren. 20 prej objekteve që gjendjen në këtë zonë janë lokale, ndërsa 10 objekte të tjera janë në ndërtim.

 Sipas të dhënave të ministrisë së Mjedisit në Shqipëri, 460 mijë ha gëzojnë statusin e zonës së mbrojtur, ose thënë ndryshe 15.5% e territorit. Deri në vitin 2020 përmes planeve të menaxhimit për zonat e mbrojtura, synohet që kjo sipërfaqe të shkojë jo më pak se 17%. 1Pak ditë më parë u shemb me eksploziv godina 7-katëshe e planifikuar për hotel në vendin ku dikur ndodhej ish Turizmi i Vjetër, në zonën e Skelës. Ndërsa më herët Policia e Shtetit në bashkëpunim me Inspektoratin Ndërtimor prishi një ndërtesë 5- katëshe pranë Fakultetit Ekonomik në hyrje të qytetit Studenti. Pritet që prishjet të vijojnë dhe në të gjitha zonat e parashikuara tashmë me vendime qeverie ndërkohë që paralelisht po punohet për hartimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar të Territorit.

 Ndërtuesit: Ligji ekzistues i pazbatueshëm

 Shoqata e Ndërtuesve dhe Arkitektëve mbështet ndryshimet në ligjin “Për planifikimin e territorit”. Gjatë një takimi me ministren e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjemeni ata janë shprehur se ashtu siç ekziston ligji aktualisht është shumë i ngarkuar me terminologji dhe akte nënligjore çka krijon konfuzion në zbatimin e tij. Ministrja deklaroi në takim se ndryshimet synojnë pikërisht kthimin e këtij ligji në të zbatueshëm. Ministrja theksoi se do të ketë takime dhe konsultime të vazhdueshme me grupet e interesit dhe të gjithë aktorët, në mënyrë që të grumbullohet ekspertiza më e mirë e mundshme për të reflektuar më pas ndryshimet në ligj. 

Ricaktimi i kompetencave për vendorët

 Rishikimet në ligjin “Për planifikimin e territorit” pritet të saktësojnë kompetencat e vendorëve për të rritur efikasitetin e tyre në zbatim të bazës ligjore. Kështu bashkitë dhe komunat do të duhet të miratojnë rregulloret vendore të kontrollit të zhvillimit, të marrin vendime për lejet zhvillimore, për lejet e objektit, lejet infrastrukturore apo lejet e veçanta. Duhet të administrojnë dhe marrin masa për një politikë aktive në menaxhimin e tokës dhe të zhvillimit në të. Një tjetër detyrim ligjor është regjistrimi i të dhënave të përgjithshme dhe individuale në fushën e planifikimit të territorit për territorin e tyre administrativ. 

Pushteti vendor e ka për detyrë të bashkëpunojë me autoritetet e planifikimit të çdo niveli dhe të raportojë rregullisht për gjendjen e planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit të territorit nëpërmjet regjistrit dhe metodave tradicionale të informimit publik. Gjithashtu këto struktura duhet të informojnë publikun për të gjithë procesin planifikues e zhvillimet në territor, dhe të sigurojnë akses të plotë e të lehtë në të dhënat e lidhura me këtë proces. Sigurimi dhe zhvillimi i burimeve të nevojshme njerëzore e profesionale për planifikimin e territorit, kontrollin e zhvillimit, përmirësimin e mjedisit dhe administrimin e regjistrit është një tjetër detyrë e bashkive dhe komunave. 

  SHEKULLI

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.