Shqipëria, gati të pranojë armët kimike, “për para dhe prestigj

Postuar në 01 Nëntor, 2013 03:52

Qeveria shqiptare rrëzoi ligjin për importin e mbetjeve, por mediat ndërkombëtare thonë se për prestigj dhe para është gati dhe entuziaste të pranojë armët kimike të Sirisë. Vendi ynë nuk ka as ekspertët, as eksperiencën, as mjetet dhe as lehtësirat logjistike (porte, aeroporte, uzina, mjete apo rrugë) për të ndihmuar në shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë. E megjithatë, sipas një dokumenti sekret të OKB-së dhe burimeve nga kjo organizatë të cituara nga nationaljournal.com, vendi ynë ndodhet i pari në listën e shteteve që mund të pranojnë një sasi apo madje të gjithë masën prej 1000-tonëshe me përmbajtje vdekjeprurëse, që kanë vrarë mijëra njerëz në Siri.

“Shqipëria m’u përshkrua si më entuziastja”, thotë për National Journal Charles Duelf, ish-zëvendëskryetar i UNSCOM, Komisioni Special i OKB-së për çarmatimin e Irakut. Ndërsa ish- shefi i këtij komisioni, Richard Butler thotë në të njëjtin artikull pwr Shqipwrinw se: “ndoshta ata do të bëjnë para nga kjo dhe sepse kjo do t’i tregojë si qytetarë të mirë të botës” .

Aleanca Kundër Importit të Plehrave e sheh këtë si shkelje të ligjit dhe angazhimit që qeveria mori që ditën e parë të punës për të mos importuar mbetje, ndërsa mësohet se vendi ende ka probleme me dhjetëra ton kimikate ushtarake të cilat po i paketon me ndihmë të OSBE-së.

Nga ana e saj, qeveria shqiptare në fakt e ka lënë në heshtje këtë histori, duke mos reaguar as pas një letrës publike të ambientalistëve, tri ditë më parë që kërkonin që vendi ta refuzonte propozimin nga OKB. Ndërkohë dje disa faqe online të mediave në SHBA (National Journal një ndër to) amerikane sugjeronin se Shqipëria ishte jo vetëm një nga kandidatët më të mundshme për të bërë demontimin, por edhe vendi favorit për të pranuar gjithë sasinë e frikshme të lëndëve armëve kimike. Arsyet se pse do të zgjidhej Shqipëria në vend të një shteti që ka ndërkohë edhe mundësitë për ta bërë demontimin mbeten të paqarta, por që kryesisht vërtitet rreth legjislacioneve. Vende si SHBA, Norvegjia apo Gjermania, nuk mund t’i pranojnë armët për shkak të ligjeve për mjedisin që kanë edhe pse kanë teknologjinë dhe specialistët për t’i shkatërruar ato. Por Aleanca Kundër Importimit të Plehrave thotë se edhe ligji shqiptare e pengon importimin. Në fakt një nga vendimet e para që mori qeveria Rama ishte pikërisht abrogimi i neneve që favorizonin importin e mbetjeve, pranimi nga ana tjetër i futjes së sasive të mëdha të armëve kimike në vend do të shkelte këtë ligj dhe minimalisht do të godiste moralisht qëndrimin e qeverisë dhe angazhimin e saj kundër futjes në vend të mbetjeve të rrezikshme.

“Qeveria e z. Rama, duke marrë parasysh vullnetin e popullit, me vendimin e vet të parë kur mori detyrën, ndaloi importimin e të gjitha mbetjeve, të rrezikshme dhe jo të rrezikshme, në mënyrë absolute. Prandaj, theksojmë se hyrja në Shqipëri e lëndëve kimike helmuese / luftarake është në kundërshtim të hapur me legjislacionin shqiptar, si dhe me interesat afatshkurtra dhe afatgjata të shtetit shqiptar”, thuhet në njoftimin për shtyp të Aleancës.

Nga ana tjetër Shqipëria ka ende disa dhjetëra ton kimikate ushtarake të pashkatërruara dhe vendi nuk është i aftë t’i zgjedhë vetë këto probleme. Një raport i OSBE i lëshuar disa ditë më parë njoftonte se këto ishin ruajtur deri tani në vende jo të përshtatshme dhe pranë zonave të banuara dhe ishte OSBE që po bënte të mundur ripaketimin dhe eliminimin e tyre me financime të Republikës Çeke dhe Turqisë. Projekti ka nisur vetëm në 14 tetor 2013 dhe më herët organizata ishte shprehur e shqetësuar për gjendjen dhe ruajtjen e këtyre elementëve që rrezikonin rrjedhje.

OKB, SHBA dhe Rusia sidoqoftë duket se kanë në mendje faktin që Shqipëria ishte vendi i parë në botë pa armë kimike. Amerikanët e kanë vlerësuar si eksperiencë të suksesshme shkatërrimin e 16 ton armëve kimike që Shqipëria zotëronte në Qaf Mollë të Tiranës. Por të paktat gjëra shqiptare në atë operacionin ishin armët dhe vendi. Rezart Lahi, që punuar si ndihmës për logjistikën pranë kompanisë amerikane që mori përsipër shkatërrimin e këtyre armëve në 2006, tha për Mapon se asnjë shqiptarë nuk punonte brenda vendit ku kryhej demontimi. Ai shpjegon se gjithë procesi ishte kryer nga një kompani dhe ekspertë gjermanë të cilët ishin kontraktuar nga kompania amerikane. Pajisjet që u përdorën në demontim dhe shkatërrimin ishin prodhuar enkas në Gjermani dhe u sollën prej atje, ndërsa u çmontuan dhe u rimorën pas menjëherë pas përfundimit të procesit. “Vendi ku u krye demontimi është tani fushë”, thotë Lahi, pra Shqipëria nuk ka një vend të posaçëm për çmontimin e këtyre armëve. Sipas Lahit i cili thotë se kishte marrë pjesë në një sërë trajnimesh, gjatë projektit që shkatërroi armët kimike që Shqipëria kishte trashëguar nga diktatura, vendi nuk ka as mundësitë për t’i transportuar ato dhe as kapacitete për t’i shkatërruar. Të vetmit shqiptarë që iu afruan vendit ku kryhej demontimi ishin forcat komando që ruanin perimetrin e godinës.

National Journal që citon burime nga OKB, e pranon se vendit ka mangësi të mëdha teknike, nuk ka një port të përshtatshëm për shkarkimin e anijeve dhe kontenierëve me armë kimike dhe sipas saj për shkak të korrupsionit dhe mungesës së sigurisë në vend rrezikohet që ato të trafikohen. Duke cituar përfaqësues të OKB-së gazeta shkruan se arsyet pse Shqipëria është treguar entuziaste dhe e gatshme të pranojë marrjen e këtyre armëve janë përfitimet ekonomike që mund të vijnë prej kësaj dhe rritja prestigjit në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë mediat bëjnë me dije se ka qenë Rusia që ia ka propozuar këtë mundësi Shqipërisë edhe pse duket se negocimi po kryhet me SHBA. Në takimin e fundi me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euro Azisë, Hoyt Yee, kryeministri Rama garantoi SHBA se Shqipëria do t’i mbështeste në “çdo front, brenda dhe jashtë”. Nuk dihet nëse ky është një konfirmim i bashkëpunimit pa kushte që do të nënkuptonte përfshirjen e vendit në shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë. Nga ana tjetër kjo nuk do të ishte hera e parë që Shqipëria merr përsipër të “ndihmojë” SHBA, për çështje që një pjesë e mirë e vendeve refuzojnë.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.