Denoncimi në Fiks Fare, prokuroria nis hetimin për blerjen e votave nga PS në Korçë. Reagon Basha

Pas denoncimit në emisionin investigativ Fiks Fare në Top Channel, prokuroria ka nisur hetimet për blerjen e votave nga shtabi i PS në qytetin e Korçës. Sipas burimeve zyrtare nga prokuroria, mësohet se ky institucion pritet të sekuestrojë në cilësinë e provës, listat e shtabit të PS.
Mbrëmjen e së hënës, në emisionin Fiks Fare u shfaqën pamje që tregonin qartë me zë e figurë sesi shtabi socialist në Korçë kishte blerë votat e studentëve në këmbim të 20 mijë lekëve të vjetra. Kamerat e “Fiks Fare” kanë filmuar të gjithë procesin e pagesës prej 2 mijë lekë që iu është bërë studentëve në këmbim të votës. Një shtab pune i ngritur posaçërisht për fushatën ishte kujdesur deri në detaje. Qëllimi kryesor për ta në këto zgjedhje ishte votim i studentëve korçarë që vazhdonin studimet e larta në Tiranë. Mënyra për t’i tërhequr drejt kutive të votimit, ishte mbulimi i shpenzimeve të udhëtimit gjatë fundjavës, pra, 2000 lekë të reja për çdo votë pro, PS-së. Gazetarët e “Fiks Fare” kanë zbuluar me detaje mënyrën se si shtabi i PS-së operonte me studentët, të cilët më përpara kontaktoheshin në telefon, ku u tregohej fillimisht që duhet të votonin e më pas të shpërbleheshin. Të gjithë studentët që do të votonin kandidatin e PS-së ishin të regjistruar në një listë të cilën e mbanin disa të rinj, anëtarë të shtabit të z.Filo. Në këto lista studentët ishin të regjistruar me numra telefoni celular. Pasi verifikonin që studentët kishin votuar nëpërmjet bojës në gishtin e madh të dorës, atëherë bëhej pagesa prej 2 mijë lekësh.
Gazetarët e “Fiks Fare” arritën të komunikonin vetë me disa studentë të cilët pohuan se ishin kontaktuar në telefon nga shtabi i PS-së së Korçës në bazë të një liste të përpiluar nga vetë ata, ku dhe u është komunikuar shpërblimi prej 2000 lekësh të reja në shkëmbim të votës. Të gjithë këta studentë të cilët ishin telefonuar nga shtabi i PS-së dy ditë përpara ditës së zgjedhjeve, referuar pamjeve filmike drejtoheshin tek zyra e ngritur posaçërisht për të marrë shpërblimin prej 2000 mijë lekësh të reja.
Pas skandalit me blerjen e votave ka reaguar dhe selia blu e PD e cila ka kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve në Korçë.
Zgjedhjet e pjesshme vendore në Korçë u zhvilluan pas emërimit të ish kryetarit të bashkisë Korçë, Niko Peleshi, si zëvendëskryeministër i qeverisë së majtë pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Sipas rezultatit përfundimtar të KQZ, kandidati socialist Sotiraq Filo u shpall fitues me 10 mijë vota para kandidatit të PD-së, Sotiraq Stratobërdha.
Basha: Hetim organizatorëve dhe burimit të financimit të blerjes së votave. Do kërkojmë anulimin e zgjedhjeve
Pas publikimit të lajmit për nisjen e hetimeve nga ana e prokurorisë për zgjedhjet lokale në Korçë, ka reaguar kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Nëpërmjet një deklarate për mediat, Basha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka damkosur dhe shkatërruar me paratë e pista, zgjedhjet e mbajtura ditën e diel në qytetin e Korçës.
“Emisioni investigativ “Fiks Fare”, i televizionit “Top Channel” kapi me presh në duar një prej bandave të rrjetit kriminal, organizuar me regjistra, me kompjuter dhe para të thata, për të blerë votën e qytetarëve korçarë, në bazë të një plani të detajuar, të përgatitur me kujdes në zyrat e Partisë Socialiste. Dëshiroj të falënderoj stafin e këtij emisioni, për shërbimin e vyer që i ka bërë të vërtetës së zgjedhjeve në Korçë. Banda e filmuar nga kamerat e “Fiksit” dhe simotrat e saj, të vendosura në pika të ndryshme të qytetit, për të blerë vota, për të blerë abstenimin e zgjedhësve të supozuar si kundërshtarë të Partisë Socialiste dhe për të ushtruar presion mbi zgjedhësit në përgjithësi, e ushtruan veprimtarinë e tyre kriminale nën hundën dhe me bekimin e Edi Ramës dhe mbarë kupolës së qeveritarëve dhe mercenarëve të tyre që kishin zbarkuar në Korçë dy ditë me radhë, për të drejtuar dhe siguruar operacionin e manipulimit të zgjedhjeve me metodën e tyre perverse dhe kriminale të blerjes së votës”, ka thënë Basha.
Ai ka kërkuar prokurorisë të bëjë një hetim të shpejtë për ngjarjen dhe ka paralajmëruar se do të kërkojë anulimin e zgjedhjeve në Korçë. “I kërkojmë të kryejë sekuestrimin e të gjitha materialeve, në të gjitha zyrat e Partisë Socialiste në Korçë, të kryejë një hetim të shpejtë, të plotë dhe të gjithanshëm të ekzekutorëve që blenë votat, në shkëmbim të parave por mbi të gjitha të organizatorëve që përdorën para të mafias, për të blerë pushtetin e Bashkisë së Korçës.
Ky hetim duhet domosdoshmërisht të shtrihet tek burimet e financimit. Ku u gjetën paratë, si u transferuan, kush janë financuesit e këtij krimi që tronditi shqiptarët?! Vetëm hetimi i plotë i këtij krimi dhe parave të krimit, do e bëjë të besueshëm këtë proces. Kemi përgatitur dhe do të zyrtarizojmë kërkesën për anulimin e zgjedhjeve botërisht të manipuluara të së dielës në Korçë dhe krijimin e kushteve për përsëritjen e tyre në një kohë të përshtatshme, me garancitë e domosdoshme ligjore dhe kushtetuese”, ka thënë Basha.
Shqip
Add new comment