Reforma, pritet një shkurtim prej 30% të personelit të Ministrisë së Jashtme

Sekretari i përgjithshëm - Ministri i Jashtëm ka emëruar dy javë më parë sekretarin e ri të përgjithshëm të ministrisë, i cili është diplomati i karrierës, Qirjako Qirko. Ai është zgjedhur përmes një konkursi
Raportet e ambasadorëve - Ministri Bushati është zotuar të ulë numrin e emërimeve politike të ambasadorëve, krahasuar me ata diplomatë që marrin këtë pozicion mbi bazën e karrierës së gjatë në shërbim
Të liruarit e parë - Kreu i diplomacisë, Bushati, ka dërguar deri tani një listë me 23 ambasadorë në zyrën e Presidentit Nishani. Për ta kërkohet lirimi i bazuar mbi argumentime të veçanta për secilin
Ndryshimi
Ndryshimi i organigramës së diplomacisë. Shkruhen drejtorët e përgjithshëm
Fatjona Mejdini
Struktura e Ministrisë së Jashtme pritet të ndryshojë shumë shpejt, si pasojë e direktivës që është marrë në këtë dikaster për uljen me 30 për qind të numrit të punonjësve brenda ministrisë dhe po kështu në ambasadat shqiptare nëpër botë. Burimet nga Ministria e Jashtme theksojnë se procesi i ristrukturimit të organigramës nuk po kryhet vetëm në emër të shkurtimeve, por edhe si pasojë e reformës në diplomaci, e cila është premtuar nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Kështu, burimet bëjnë të ditur se procesi i shkarkimit ka nisur në lidhje me përfaqësuesit në ambasadat shqiptare nëpër botë, duke nisur nga të punësuarit gjatë kohës së tranzicionit të pushtetit dhe ata që kanë hyrë në ambasada pa zbatuar kriteret e ligjit për shërbimin diplomatik. Nga ana tjetër, së shpejti në Ministrinë e Jashtme në Tiranë pritet të ketë një shkurtim prej 54 punonjësish, si pasojë e zbatimit të shkurtimit me 30 për qind të një stafi që është i përbërë prej 180 të punësuarish. Nga ana tjetër, burimet brenda Ministrisë së Jashtme bëjnë të ditur se reforma “Bushati” do të eliminojë edhe postin e drejtorëve të përgjithshëm në këtë ministri, duke pasur si pozicion më të lartë pas sekretarit të përgjithshëm, thjesht atë të drejtorit. Kjo pjesë e strukturës së ministrisë pritet të shkurtohet si pasojë e mbingarkimit të stafit të këtij dikasteri me pozicione drejtuese dhe numrit të vogël të specialistëve që kanë ngelur si pasojë e një organigrame të tillë.
Ndryshimet në ministri
Në Ministrinë e Jashtme kanë nisur ethet e shkurtimeve te punonjësit, si pasojë e strukturave të fryra që gjenden aktualisht. Burimet bëjnë të ditur se pritet të shkurtohen rreth 30 për qind e stafit, i cili është i përbërë nga 180 punonjës dhe për pasojë numri i atyre që pritet të lirohen nga detyra parashikohet të kapë shifrën e 54 punonjësve. Nga ana tjetër, së shpejti ministri Bushati pritet të dorëzojë edhe një organigramë të re të kësaj ministrie, skemë e cila suprimon postet e drejtorëve të përgjithshëm. Aktualisht në këtë ministri janë katër drejtori të përgjithshme, ajo e Çështjeve Europiane, e Çështjeve Globale dhe Organizatave Ndërkombëtare, e Amerikave, Azisë dhe Afrikës dhe e Shërbimeve Mbështetëse. Marrja e një mase të tillë do të vijë si pasojë e një strukture tepër vertikale që ka aktualisht organika e Ministrisë së Jashtme. Një reformë e tillë, sipas gjasave, do ta “shfryjë” paksa zinxhirin e gjatë komandues që kanë aktualisht strukturat dhe po kështu të vendosë një raport më të drejtë për sa u përket funksioneve drejtuese dhe atyre zbatuese në këtë ministri.
Politika ndaj ambasadave
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka nisur procesin e ndryshimeve në nivelet e dyta dhe të treta të ambasadave tona nëpër botë. Burimet bëjnë të ditur se këto lëvizje po kryhen si pasojë e lirimeve të të emëruarave politikë dhe me lidhje nepotike gjatë kohës së tranzicionit të pushtetit politik dhe po kështu atyre që janë emëruar në kundërshtim të hapur ndaj kritereve ligjore. Paralel me këtë proces po shkon dhe ai i largimeve të ambasadorëve, të cilët janë aktualisht me një mandat të mbaruar. Po kështu, burimet bëjnë të ditur se nga ana e ministrit të Jashtëm, Presidentit Bujar Nishani i është kërkuar dhe shkarkimi i atyre ambasadorëve që kanë mbushur moshën e pensionit.
Postet - Reforma “Bushati” do të eliminojë dhe postin e drejtorëve të përgjithshëm në këtë ministri, duke pasur si pozicion më të lartë pas sekretarit të përgjithshëm, thjesht atë të drejtorit
Numri - Shqipëria ka aktualisht 55 përfaqësi diplomatike të saj të shpërndara në të gjithë botën
Shkurtimet - Reforma në shërbimin diplomatik në vend pritet të ulë edhe numrin e këtyre përfaqësive, për shkak të shpenzimeve të larta
Buxheti - Ministri Bushati ka premtuar se buxheti i Ministrisë së Jashtme për vitin 2014 do të jetë më i lartë se më parë
Qëndrimi - Kryediplomati ka theksuar se tashmë ka përfunduar koha kur ambasadat shqiptare shërbenin si konvikte për njerëzit me pushtet
Statusi kandidat
Bushati dhe Gjosha, lobim intensiv me stafin e Hollande
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, dhe ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, i kanë kërkuar mbështetje në procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat, të ngarkuarit për Çështjet Europiane në Ministrinë e Jashtme franceze, Thieri Repentin. Në një takim që kanë zhvilluar me funksionarin e lartë të diplomacisë franceze, për sa u përket çështjeve europiane, Bushati dhe Gjosha kanë kërkuar mbështetje për avancimin e Shqipërisë në etapën e hapjes së bisedimeve për anëtarësim. Diplomati francez theksoi në fjalën e tij, se Franca do e mbështeste Shqipërinë në këtë rrugëtim, por shtoi se qeveria shqiptare duhet të vijojë reformat, kryesisht në respektimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Bushati, gjatë vizitës zyrtare në Paris, zhvilloi një takim dhe me dy këshilltarë diplomatikë të Presidentit francez, Fransua Hollande, përkatësisht Pol Zhan Ortiz dhe Fabien Penone. Gjatë takimit, Bushati shprehu ambicien e qeverisë së re shqiptare për të ecur sa më shpejt në rrugën e integrimit.
Shqip
Add new comment