Basha: Të ndalojmë blerjen e votës dhe të demokracisë

Postuar në 10 Nëntor, 2013 09:40

Menjëherë pas thirrjes në “Facebook”, që u bëri qytetarëve ish-kryeministri Berisha, për të dalë nesër në protestë kundra vjedhjes së votës, vjen edhe deklarata e kreut aktual të PD-së, Lulzim Basha. Nëpërmjet një deklarate për mediat, Basha i ftoi qytetarët që të ngrihen e të ndalojnë blerjen e votës dhe blerjen e demokracisë.

“Të ngrihemi të ndalojmë blerjen e votës para se blerja e votës të ndalojë demokracinë”. Ajo që ndodhi në Korçë, sot një javë, është paralajmërimi ogurzi i shkatërrimit të zgjedhjeve nesër, me metodën kriminale të vjedhjes së votës dhe blerjes së abstenimit me paratë e krimit të organizuar dhe mafies politike dhe ekonomike. Kjo është një kambanë alarmi për demokracinë shqiptare që ka nisur të bjerë që në zgjedhjet e 23 qershorit. Ky është poshtërim i mbarë popullit shqiptar”, -deklaroi Basha.

Kreu i PD-së theksoi se protesta do të jetë paqësore dhe qëllimi i saj është ti komunikojë mazhorancës se qytetarët nuk do t’i dorëzojnë zgjedhjet e lira dhe demokracinë.

“PD u bën thirrje të gjithë qytetarëve, të bashkohemi nesër në marshimin tonë paqësor të protestës, për të komunikuar se zgjedhjet e lira nuk i dorëzojmë, se demokracinë dhe lirinë e të drejtat tona nuk i japim. Të mblidhemi nesër, në orën 14.00, për të ndalur kërcënimin ndaj të ardhmes. Jo sot, jo nesër, jo përgjithmonë blerjes së votës”, -u shpreh Basha.

Shekulli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.