Lamtumirë Sokol Olldashi! Qeveria shpall ditë zie kombëtare

Lamtumirë Sokol Olldashi! Qeveria shpall ditë zie kombëtare
21 Nëntor 2013 | : Kryesoret | Autor: Gazeta Shqip
6
Pas një aksidenti me makinë në rrugën Tiranë – Elbasan, deputeti i Partisë Demokratike Sokol Olldashi mësohet se ka humbur jetën. Olldashi, 41 vjeç, nuk i mbijetoi plagëve të marra pasi makina e tij me targa AA 003 HN humbi kontrollin, doli nga rruga dhe ra në humnerë.
Forcat policore dhe autoambulancat fillimisht e patën të vështirë të nxirrnin nga makina trupin e deputetit Sokol Olldashi, për shkak të motit të keq dhe dëmtimit që kishte pësuar automjeti. Të ndihmuar edhe nga forcat zjarrfikëse, pas rreth dy orësh ata kanë mundur të rrotullojnë makinën e përmbysur dhe bënë të mundur nxjerrjen e trupit të deputetit.
Me t’u mësuar lajmi i aksidentit tragjik, në vendngjarje kanë mbërritur me radhë familjarët e deputetit të ndjerë, ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, kryetari i Kuvendit Ilir Meta, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, deputetë të tjerë të Partisë Demokratike e deputetë të Partisë Socialiste, e po ashtu shumë miq të tij. Trupi i pajetë i Olldashit ka dalë nga morgu i QSUT-së rreth orës 04:30 të mëngjesit të së enjtes dhe është drejtuar për në banesën e tij, ku morti është hapur pak minuta pas konfirmimit të lajmit të hidhur.
Policia: Shkak i aksidentit, pakujdesia dhe lagështia në rrugë
Një grup prej 5 ekspertësh prej orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme kanë shkuar sërish për të bërë ekspertizën në vendin ku humbi jetën deputeti Olldashi. Ndërkohë mësohet se në ekspertizë kanë marrë pjesë edhe dy prokurorë nga Tirana. Sipas ekspertizës paraprake automjeti ka dalë nga rruga dhe është përmbysur 154 metra më larg në një rrugë rurale që lidh aksin kombëtar me Qafë Krrabën.
Ekspertet sqarojnë se pjerrësia e vendit të ngjarjes është 45 gradë dhe se shkak i aksidentit dyshohet të jetë bërë një moment pakujdesie dhe mosvënia e rripit të sigurisë.
Ekspertët vazhdojnë të jenë në vendin e ngjarjes dhe punojnë për dokumentimin e provave .
Homazhet në Kuvend
Arkëmorti me trupin e pajetë të Sokol Olldashit ka dal nga apartamenti ku ai jetonte bashkë me gruan dhe dy fëmijët, rreth orës 11:400. Më pas makina me arkivolin e tij është zhvendosur pranë Kuvendit, ku po zhvillohen homazhe nga familjarë, miq, kolegë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë dhe qytetarë të shumtë.
Kryetari i PD-së Lulzim Basha ishte i personi i parë i cili u përkul para arkivolit të të ndjerit. Me lot në sy, pasi takoi familjarët Basha shkroi dhe një përshtypje në librin e kujtimeve. Ish-kreu i PD-së Sali Berisha, e cilësoi humbjen e Sokol Olldashit një humbje të jashtëzakonshme për politikën shqiptare.
“Shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe dua të them që Sokol Olldashi jeton dhe do jetojë midis nesh me veprën e tij, me veprimtarinë e tij për gjithçka që ka bërë për Partinë Demokratike dhe për të gjithë kombin” është shprehur Berisha në një prononcim të shkurtër për mediat.
Ndërsa Jozefia Topalli e vlerësoi si një njeri me kurajo të jashtëzakonshme. ”E kam dash shumë Sokolin. Ishte një njeri i rrallë. Një demokrat i jashtëzakonshëm. Ngushëllimet më të sinqerta. Kemi humbur një koleg të jashtëzakonshëm”, tha ajo.
Kreu i grupit Gramoz Ruçi, u shpreh se vdekja e Olldashit:“Eshtë një humbje tragjike për familjen, bashkëshorten fëmijët, për publicistikën shqiptare, për opozitën shqiptare, për politikanët shqiptarë. Pavarësisht se jemi kundërshtarë politikë, ne me dhimbje jemi këtu të gjithë si grup parlament për të nderuar dhe respektuar si njeri, politikan, vëlla e mik, kolegun tonë Sokol Olldashi”.
Kryeministri Edi Rama i është drejtuar Kuvendit, sapo ka mbërritur nga Londra, ku po zhvillonte një vizitë zyrtare. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, kryeministri Rama u përkul përpara trupit të pajetë të deputetit Olldashi, u shprehu ngushëllimet familjarëve të deputetit dhe më pas i pikëlluar la edhe një shënim në librin e kujtimeve.
Ish-kryeministri Fatos Nano është përkulur përpara trupit të pajetë të Sokol Olldashit dhe ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët e deputetit.
“Sokol Olldashi ishte një nga ne politikanët e tranzicionit, me sakrificat, kontributet dhe debatet. Fatkeqësia është që iku pa radhë, nuk ishte radha e tij”, tha Nano.
Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të deputetit Sokol Olldashit.
“Do ta kujtojmë Sokol Olldashin për kontributin e tij të gjithanshëm në jetën politike e publike në vend, për përpjekjen e tij të palodhur për demokracinë. Do e sjellim ndër mend Sokol Olldashin si një zë të fortë, këmbëngulës në kryerjen e detyrave që i qenë ngarkuar që në fillimet e karrierës së tij si gazetar dhe më vonë si politikan.Familja e tij të jetë e sigurt se do ta ndjejë përherë ngrohtësinë jo vetëm të atyre që e kanë njohur nga afër, gjurma e jetës së tij nuk do të shuhet kurrë dhe në këtë bindje le të gjejë forcën për ta përballuar këtë humbje kaq të rëndë”, thuhet në mesazhin e Presidentit.
Qeveria shpall ditë zie kombëtare
Qeveria shpall sot ditë zie kombëtare në nderim të Sokol Olldashit. Me anë të një njoftimi, kryeministria ka njoftuar se këshilli i ministrave ka marrë vendimin për të shpallur ditë zie kombëtare në nderim të të ndjerit Sokol Olldashi, deputet dhe politikan i shquar.
“ Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe të pikë s 8, të kreut VII, të ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë, të miratuar me vendimin nr.229, datë 23.4.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen ditë zie kombëtare, ditën e enjte, datë 21.11.2013, në nderim të të ndjerit, Sokol Olldashi, deputet dhe politikan i shquar.
2. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtize.
3. Ceremonia e homazheve organizohet ditën e enjte, datë 21.11.2013, nga ora 11.00 deri në orën 14.00, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
4. Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga institucioni organizator i ceremonialit. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në njoftim.
Mesazh ngushëllimi nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara Alexander A. Arvizu
“U trishtova shumë kur mora vesh se Sokoli ndërroi jetë. Kam qenë me fat që pata mundësinë ta njihja gjatë kohës sime në Shqipëri, dhe do ta kujtoj gjithnjë si dikë që e donte shumë Shqipërinë dhe dëshironte që ta bënte vendin e tij një vend më të mirë, për të gjithë.
Kur e takova për drekë disa javë më parë, më tregoi sa shumë e shijonte mundësinë për të kaluar më shumë kohë me familjen e tij. Më tregoi për planet që kishte për të vizituar Shtetet e Bashkuara në pranverë dhe unë i thashë se do e prisja me kënaqësi takimin me të në anën tjetër të Atlantikut.
Mendimet dhe lutjet e mia më të ndjera dhe të kolegëve të mi të Ambasadës Amerikane janë me familjen, miqtë dhe mbështetësit e tij në këtë kohë të vështirë”.
Kosovë, mesazhe ngushëllimi për Olldashin
Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën me ngushëllimet për familjen Olldashi, parlamentin shqiptar, Partinë Demokratike dhe gjithë qytetarët e Shqipërisë.
Presidentja kosovare Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaci, kryetari i kuvendit Jakup Krasniqi, kryetari LDK-së Isa Mustafa dhe lidërt e tjetër të partive politike kanë dërguar telegrame ngushllimi për familjen Olldashi dhe shtetin shqiptar. Njezeri i janë bashkuar ngushellimeve edhe deputetet e pakicave etnike në Kosovë.
Ahmeti telegram ngushëllimi për familjen Olldashi
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti përmes një telegrami ngushëllimi ka shprehur ngushëllime në adresë të familjes Olldashi, lidhur me vdekjen tragjike të birit të tyre dhe deputetit Sokol Olldashi në aksidentin që ndodhi mbrëmë në aksin rrugor Tiranë – Elbasan.
“Lajmin e kobshëm për humbjen e parakohëshme të mikut tim dhe deputetit të kuvendit të Shqipërisë Sokol Olldashi e pranova me hidhërim të thellë, andaj në emër të BDI dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet e mija më të sinqerta për këtë humbje të madhe për të gjithë ne. Kontributi i Sokolit në të gjitha zhvillimet demokratike në Shqipëri është i lartë dhe vepra e tij do të kujtohet me shumë respekt dhe mirënjohje nga të gjithë shqiptarët në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe në çdo vend tjetër ku ata jetojnë. Të gjithë ne bashkëndjejme me dhimbjen e familjes suaj dhe ju mbajmë në lutjet tona gjatë këtyre ditëve të vështira për ju dhe të gjithë ne”, theksohet në telegramin e kryetarit të BDI-së.
Ngushëllimet e kolegëve në rrjetin social Facebook
Ndarja e papritur nga jeta e deputetit demokrat Sokol Olldashi ka tronditur miqtë dhe kolegët e tij të politikës. Nëpërmjet rrjetit social Facebook, emra të njohur të politikës shqiptare kanë shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet për familjen e tij.
Oerd Bylykbashi: Koli, Do të të kujtoj ashtu si në ditën e parë kur u njohëm në gjimnaz në 1988. Do të të kujtoj si nxënës i shkëlqyer, inteligjent, i shkathët, poet i talentuar dhe me kitarën tënde në dorë. Të mbaj mend në qindra momente të tjera në këto 25 vite miqësi e pune. Mbi të gjitha, do të të kujtoj atë ditë të ftohtë të shkurtit 1991, në palestrën e gjimnazit Naim Frashëri, kur mes nxënësve që protestonim dhe solidarizoheshim me grevën e urisë së studentëve, ti u ngjite mbi kokat tona mbi një shkalle druri të mbështetur në mur. Në atë moment ti u bëre lider i të gjithë neve. Ai do jetë imazhi që do ruaj përgjithmonë për ty, mik i vjetër! U prehsh në paqe Koli!
Sali Berisha: In Memoriam! I dashur Sokol, lajmi i zi per aksidentin tragjik permbyti me dhimbje, pikellim dhe zi te madhe, zemrat, shpirtrat, e bashkeshortes, djemeve, prinderve, miqve, te afermve tuaj por dhe te demokrateve dhe demokratëve dhe mbare shqiptareve. I rritur ne kampet e punes te rregjimit barbar, si enfant prodige i vuajtjes, sakrifices, kurajos dhe qendreses njerezore, Sokol Olldashi me guximin, mençurine, shpirtin e tij te pamposhtur, do te hynte ne levizjen demokratike te viteve 90 dhe do te shkelqente si njeri prej yjeve me te shendriteshme te saj. Bashkeshortja, djemte, prinderit, miqte, te afermit e tu humben mbreme njeriun e tyre me te dashur, Partia Demokratike, demokratet dhe mbare shqiptaret humben njerin prej drejtuesve, personaliteteve me te vendosur dhe me te shquar te ketyre dy dekadave, humben njerin prej politikanëve me te talentuar, qeveritareve tane me te afte . Parlamenti shqiptar humbi oratorin me llogjike te kristalte, ligjberesin e zote, avokatin e zjarrte te qytetareve dhe interesit te tyre. Publicistika, studiot, arenat e debateve nuk do te kene me yllin e tyre te paperseritshem. Kurse une nuk do te kem më jo vetem nje mik te çmuar por dhe njerin prej bashkepunetoreve me te afert, me te afte, me te guximeshem te jetes sime politike.
I dashur Sokol, sot dhimbja ne zemrat tona eshte me rende se guri, zija me e zeze se nata, me e zeze se ajo kthesa qe te zuri prite dhe vitin e dyte te rinise se burrit te çoi tinezisht miku yne i dashur ne banesen e perjetesise. Ora qe une po shkruaj keto pak fjale ka kaluar kater e mengjesit dhe te them te verteten syte ne ndonje cast dhe me njomen dhe lëpehen dhe ne ndonje fjale germat edhe me zbehen, por une te siguroj se keto jane vetem çaste. Ne nuk mund vajtojme dhe kurre nuk do te vajtojme per ty. Ti je dhe do mbetesh perjete i gjalle midis nesh. Ti jeton ne krenarine,ne frymezimin, vizionin, guximin tone. Ti jeton ne zemrat e te rijnjve qe ngrije peshe, ne shkrimet e tua perla te publicistekes sone, ne fjalimet, debatet, batutat e tua te paperseriteshme, jeton ne vepra qe kane ndryshuar kete vend pergjithmone.
Miku une, ne me kitaren tende, tingujt e saj melodioze gjithnje do kendojme dhe festojme se bashku ty, vepren tuaj te pavdekshme, vepren tone. Po Koli, prehu i qete ,me deshiren e Zotit ne paqen e merituar. Lamtumire mik i dashur, lamtumire Sokol, ti perjet je midis nesh. I lehte qofte mbi ty, dheu i tokes sone!!
Ilirjan Celibashi : Hidhërim dhe tronditje nga humbja e parakohshme e kolegut Sokol Olldashi. Ngushëllime të sinqerta familjarëve për këtë mungesë kaq të rëndë. Paqja qoftë me ty Sokol!
Fatos Nano: Me hidherim te thelle morra vesh lajmin trondites te ndarjes nga jeta te deputetit te Partise Demokratike, Sokol Olldashi. Ngushellimet me te sinqerta per familjen e te afermit, miqte, dhe koleget. U prehsh ne paqe !
Mesila Doda: Lamtumirë miku im! Ishe më i mirë se ç’duhej për këtë botë! Zoti të dhëntë paqen e tij!
Majlinda Bregu: Lamtumirë Koli! Lamtumirë miku im i mirë! Paç paqe në atë botë më shumë se trazirat e kësaj që le!
Eglantina Gjermeni: E tronditur nga largimi i parakohshëm nga jeta i kolegut Sokol Olldashi. Ngushëllime të sinqerta familjarëve për këtë humbje të rëndë. U prefsh në paqe Sokol!
Taulant Balla: Një lajm i hidhur në këtë mbrëmje për të gjithë ndarja nga jeta e kolegut tonë Sokol Olldashi. U prefsh në paqe Sokol !
Tritan Shehu: Humbëm një shok, një mik. Humbje e tmerrshme për atë dhe familjen. Humbje e tmerrshme për politikën e shoqërinë. Ngushëllimet më të thella.
Ramush Haradinaj: Në këto momente të rënda të dhimbjes e të pikëllimit, u përcjell ngushëllimet më të thella juve personalisht, ish-kryeministrit Berisha dhe të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Duke bashkëndjerë me të gjithë ju për humbjen e madhe, më lejoni t’jua përcjellë respektin e thellë për figurën dhe personalitetin e z. Olldashi, për kontributin e tij të shquar në ngritjen dhe zhvillimin e Shqipërisë, të demokracisë dhe të shtetit shqiptar në kohën e tranzicionit, e veçanërisht në dekadën e fundit, ku z. Olldashi la gjurmë dhe u shqua në të gjitha përgjegjësitë, qoftë si ministër, qoftë si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Duke qenë me juve në këto momente, ua përcjellë bindjen se do të gjeni forcën dhe kurajon për ta përballuar dhimbjen për humbjen e kolegut të mirë dhe politikanit të shquar shqiptar, z. Sokol Olldashi.
Behgjet Pacolli: Ngushëllime të sinqerta familjes Olldashi. Vlerësoj lartë kontrubutin e deputetit Olldashi. Ndarja e parakohshme nga jeta e Olldashit është e dhimbshme.
Erjon Braçe: U prehtë në paqe Sokol Olldashi!
Piro Lutaj: I trishtuar pa masë për aksidentin tragjik, i cili i mori jetën kolegut tim Sokol Olldashi, nuk gjej fjalë për të ngushëlluar familjarët e Sokolit, në mënyrë të veçantë bashkëshorten dhe 2 djemtë. U prehtë në paqe Sokoli i paharruar!
Rudina Seseri: Ngushëllime dhe keqardhje për Sokol Olldashin dhe familjen e tij në këtë mbrëmje të vështirë.
Andis Harasani: Refuzoj ta besoj lajmin për mikun tim, Sokol Olldashi!
Alfred Peza: E tmerrshme… E takova mikun dhe kolegun tim Sokol Olldashi sot ne 18:30 ne bar-in e Hotel Rogner…
Kastriot Islami: I dashur Koli! Sonte morëm vesh një lajm tronditës deri në fund të pabesueshëm. Një ngjarje e rëndë për familjen e të afërmit, miqtë, kolegët, të gjithë ne… Uroj të prehesh i qetë. Zoti i dhëntë forcë familjes!
Gerti Bogdani: Një lajm i tmerrshëm dhe fatkeq, që sikurse shkreptima e natës kur vjen, prishi qetësinë e familjes, miqve, atyre që e kanë njohur apo jo!!! Një humbje jashtëzakonisht e rëndë për familjen, miqtë, shoqërinë dhe politikën shqiptare!!! Lutjet shkojnë për shpirtin e tij që të prehet në paqe dhe për familjen që Zoti t’i japë forcë në momentin më të vështirë të jetës së tyre! R.I.P. MIK!
Shegushe Ligori: Kam biseduar me të kur ishte ministër i Transporteve për punimet në rrugën që i mori jetën! Fliste me shumë pasion për këtë investim! Madje edhe për ristrukturimin e rrugës së vjetër për ta bërë atë turistike… Ngushëllime familjes dhe të afërmve të deputetit e politikanit të karrierës, Sokol Olldashi!
Jakup Krasniqi: Vdekja e Sokol Olldashit është humbje e madhe. Humbje e madhe për familjen dhe për Kuvendin. Familja ka humbur njeriun më të dashur
Lulzim Basha: Koli do të mbetesh përjetë mes nesh!
Jetëshkrimi, kush ishte Sokol Olldashi
Sokol Olldashi ishte një nga figurat më të spikatura të jetës politike shqiptare, disa herë ministër dhe kandidat për kreun e Partisë Demokratike.
I lindur më 17 dhjetor 1972, Sokol Olldashi ka qenë një ndër studentët e ngjarjeve të Dhjetorit ’90 dhe ishte për të katërtën herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë, i zgjedhur së fundmi si drejtues i listës së Partisë Demokratike në qarkun e Fierit. Shkollimin e mesëm e kreu në vendlindje ndërsa studimet e larta për drejtësi i kreu më 1995 dhe në vitin 2004 Kolegjin e Mbrojtjes, pranë Komandës së Doktrinave. Që nga koha e studimeve fillon të punojë si gazetar në Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe bëhet kryeredaktor i televizionit ATN pastaj zgjidhet në krye të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, dhe në vitin 2001, zgjidhet deputet në Parlament.
Në vitin 2005, Sokol Olldashi arrin të rizgjidhet në Kuvend, duke shkaktuar një nga përmbysjet më të mëdha politike të atyre zgjedhjeve, me fitoren në Shijak ndaj deputetit Agron Duka, duke kontribuar edhe në fitoren e Partisë Demokratike.
Sokol Olldashi u emërua në krye të Ministrisë së Brendshme, post të cilin e mbajti nga viti 2005 deri në fillim të vitit 2007, për ta lënë për shkak të kandidimit për kryetar të Bashkisë së Tiranës, garë që ai e humbi përballë Edi Ramës.
Më pas, zoti Olldashi mori detyrën e ministrit të Transporteve dhe Punëve Publike, detyrë në të cilën shërbeu deri në shtator të këtij viti. Pas humbjes së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit dhe dorëheqjes së Sali Berishës, Olldashi kandidoi për postin e kryetarit të PD, në garë me kryetarin aktual të PD-së, Lulzim Basha.
Gjatë angazhimit të tij politik, zoti Olldashi ka drejtuar Forumin Rinor të Partisë Demokratike, ka qenë kryetar i PD-së së Tiranës, anëtar i forumeve më të larta, kryesisë dhe Këshillit Kombëtar.
Shqip
Add new comment