Igli Cara: Telefonata e fundit e Olldashit, Policia erdhi shpejt, ambulanca dhe zjarrfikësia vone

Deputeti Igli Cara, personi që ka njoftuar i pari policinë për aksidentin ku humbi jetën kolegu i tij Sokol Olldashi, rrëfen për MAPO-n momentin e lajmit të aksidentit, rrugën drejt vendit të ngjarjes dhe përballjen me pamjen shokuese. Cara thotë se ka qenë shoferi i z. Olldashi ai që e ka njoftuar, pasi në momentin e aksidentit ai ka qenë duke folur me të dhe gjatë bisedës ka dëgjuar një zhurmë. Ata janë nisur me urgjencë drejt vendit të ngjarjes dhe rrugës Cara ka njoftuar policinë, e cila ka shkruar 2-3 minuta pas tyre në vendin e aksidentit. Deputeti i Durrësit tregon se bashkë me shoferin e Olldashit kanë tentuar të hapin dyert e makinës, e cila ka qenë e përmbysur, por pa mundur ta nxjerrin trupin prej automjetit, pasi dyert nuk mund të hapeshin. Vonesa e nxjerrjes së trupit sipas Carës ka të bëjë me gjendjen e automjetit, i cili ishte i përmbysur duke krijuar vështirësi në nxjerrjen e trupit, pasi ai nuk ndodhej në vendin e shoferit. Deputeti demokrat thotë se ambulanca dhe zjarrfikësja, e cila duhet të hapte dyert e automjetit, kanë mbërritur me 45 minuta deri në një orë vonesë. Deputeti demokrat konfirmon se Sokol Olldashi ka qenë i vetëm në automjetin e tij dhe nxjerrja e trupit është vonuar për rreth dy orë, pasi ishte tepër e vështirë të hapeshin dyert e makinës. Cara thotë se ka qëndruar në vendin e ngjarjes derisa është larguar ambulanca me trupin e pajetë të mikut të tij, deputetit Olldashi, ku i pranishëm ka qenë edhe shoferi i deputetit të ndjerë.
Z. Cara, ju jeni personi i parë që keni njoftuar policinë për aksidentin ku humbi jetën z. Sokol Olldashi. Si e morët njoftimin për këtë ngjarje?
Unë kam qenë duke e pritur vet i tretë, bashkë me shoferin e tij afër “Valleverde”, tek një lokal i quajtur “Artisti” (Pranë Radio-Televizionit Shqiptar), ku kemi qenë duke ngrënë darkë. E prisnim të vinte nga momenti në moment. Shoferi ishte përjashta dhe në një moment hyri me urgjencë dhe më tha: “Igli, shpejt, duhet të ikim se ka bërë aksident shefi”. Gjatë rrugës për në vendin e ngjarjes shoferi më tha se ka qenë duke folur në telefon me shefin dhe ai ishte aksidentuar në vendin e quajtur “Lokali i Kiut”. Shoferi e dinte vendin e ngjarjes, pasi Sokoli i kishte thënë se nga po vinte. Kemi shkuar shpejt në vendin e aksidentit. E kemi gjetur me makinë të përmbysur. Makina ishte komplet e mbyllur dhe Sokoli ka qenë brenda.
Në momentin e aksidentit, shoferi ishte duke folur me z. Olldashi? Si është vënë në dijeni se kishte ndodhur një aksident automobilistik?
Shoferi tha se ka qenë duke folur në telefon me Sokolin dhe në moment ka dëgjuar një zhurmë. Pastaj telefonata është ndërprerë. Menjëherë pas kësaj është kthyer në lokal dhe më ka thënë të iknim, pasi Sokoli kishte bërë aksident.
Pasi mbërritët në vendin e ngjarjes, ju dhe shoferi i z. Olldashi kryet ndonjë veprim në automjet, tentuat të hapnit makinën për të nxjerrë prej saj personin e aksidentuar?
Gjatë kohës që po shkonim drejt vendit të ngjarjes, unë kam njoftuar 129 (policinë) dhe ambulancën. Policia ka ardhur shumë shpejt, realisht. Ka ardhur rreth 2-3 minuta pas nesh. Aty kemi tentuar të shpërthejmë dyert dhe kemi parë që Sokoli ka qenë i vetëm.
Dyert i keni shpërthyer ju apo policia?
Një nga dyert tentuam ta hapnim ne, por nuk e hapëm dot plotësisht, pasi automjeti ishte i përmbysur dhe pozicion i tij ishte i keq. Pastaj polica erdhi dhe kreu veprimet e nevojshme. Nuk prekëm dot gjë brenda automjetit, pasi nuk kishte mundësi, sepse pozicioni i automjetit ishte shumë ters. Më pas vendi i ngjarjes është marrë në administrim nga polica, e cila ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme.
Ju thatë se keni mbërritur të parët në vendin e ngjarjes dhe 2-3 minuta pas jush ka ardhur edhe policia. Mediat raportuan se trupi i z. Olldashi është nxjerrë nga automjeti rreth dy orë pas aksidentit. Sipas jush, përse u vonua kaq shumë nxjerrja e trupit?
Makina ishte e përmbysur. Nuk kishte pamje të mirë brenda, sepse sediljet kishin lëvizur dhe trupi nuk ishte në pozicionin e shoferit. Pra kishte lëvizje të sediljeve dhe trupit, çka e vështirësonte nxjerrjen e tij në momentet e para. Pozicioni ishte shumë ters, ndërsa makina ishte shumë e rëndë dhe nuk mund të lëvizte nga aty ku ishte. Policia nuk pranoi që ne të ndërhynim dhe të tentonim të nxirrnim trupin nga automjeti i aksidentuar. Policia nuk lejoi kryerjen e veprimeve, pasi aty kishte gjak jashtë. Policia rrethoi vendin e ngjarjes dhe më pas kreu veprimet e nevojshme. Unë kam njoftuar policinë dhe ata e gjetën vendin nga ne, pasi nuk e dinin ku ndodhej
Ju dhe shoferi i z. Olldashi keni qëndruar deri në fund në vendin e ngjarjes?
Unë kam qëndruar në vendin e ngjarjes derisa është larguar ambulanca e fundit. Gjatë kësaj kohe me ne ka qenë edhe shoferi i z. Olldashi. Aty kanë qenë edhe punonjësit e policisë, të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes bashkë me ne që në momentin e parë. Më pas aty ka ardhur edhe ministri Tahiri, z. Patozi, Noka, Taulant Balla e disa deputetë të tjerë. Në momentin që u lajmëruan dhe u deklarova se kush isha, duke i thënë policisë se kush ishte në makinë, aty u bë alarm dhe ata kanë ardhur shumë shpejt.
Z. Cara, po zjarrfikësja dhe ambulanca a kanë mbërritur në kohën e duhur?
Ambulanca ka ardhur me vonesë. Zjarrfikësja gjithashtu ka ardhur me vonesë. Ambulanca ka ardhur rreth 45 minuta-1 orë pasi kishim mbërritur ne. Gjithashtu edhe zjarrfikësja që do të hapte dyertëe automjetit ka mbërritur me shumë vonesë. Por specialistët e policisë na e bënë të qartë se çfarë kishte ndodhur, pavarësisht vonesës së ambulancës dhe zjarrfikëses.
Ju mbërritët i pari në vendin e ngjarjes. E konfirmoni që z. Sokol Olldashi ka qenë i vetëm në automjetin e tij?
Unë e thashë edhe më parë. Në vendin e ngjarjes kemi mbërritur unë dhe shoferi i Sokolit dhe kemi gjetur automjetin e tij të përmbysur. Z. Olldashi ishte i vetëm në automjet. Është provuar shkencërisht që ngjarja ka qenë aksidentale, pasi ekspertët thanë se ka patur rrëshqitje të gomave, edhe pse shpejtësia me të cilën udhëtonte automjeti ka qenë normale.
Paraprakisht, ekspertët thonë se automjeti lëvizte me rreth 50-60 kilometra në orë. Mund të ketë qenë kjo shpejtësi shkak i aksidentit, apo ka patur arsye të tjera?
Në vendin ku ndodhi aksidenti kthesa ishte shumë e fortë dhe me këtë shpejtësi rrezikon që automjeti të dalë nga rruga. Në momentin e ngjarjes ka patur reshje të dendura shiu dhe z. Olldashi nuk e kishte vendosur rripin e sigurimit.
Mapo
Add new comment