Largohen ekspertët autoteknikë Hetimi i aksidenteve në ngërç.

Nëpërmjet një urdhri Ministria e Brendshme ka hequr nga komisariatet të gjithë ekspertët autoteknike të cilët përcaktonin shkaqet dhe fajtorët e aksidenteve me pasoja të rënda. Këta ekspertë ishin të ndarë në të gjitha komisaritet e vendit ndërsa urdhri ka krijuar problem dhe me procedurat e Prokurorisë.
Ministria e Brendshme ka lëshuar një urdhër nëpërmjet të cilit heq të gjithë ekspertët autoteknikë në komisariate duke krijuar kështu probleme me përcaktimin e shkaqeve të aksidenteve por edhe me punën e Prokurorisë. Burime pranë prokurorisë së Tiranës bëjnë me dije se urdhri i firmosur nga Tahiri është shpërndarë për të gjitha komisariatet e vendit më 28 Mars të këtij viti.
Tashmë për të gjitha aksidentet me pasoja të rënda nuk do të ketë më ekspertë autoteknikë të cilët përcaktonin shkakun e aksidentit por vetëm oficerë të policisë gjyqësore të cilët do të kryejnë të gjitha procedurat.
Kjo ka krijuar probleme për organin e akuzës, sidomos në rastet e aksidenteve me pasoja të rënda pasi në vendimet e gjykatave për të caktuar fajtorët, trupi gjykues kërkon gjithmonë një raport të ekspertit autoteknik. Në këto kushte, Prokuroria është detyruar të sigurojë privatisht ekspertë të tillë ndërkohë që ka adresuar shqetësimin e saj dhe tek ministri i Brendshëm.
Add new comment