Lagjja e re në Kukës pa infrastrukturën minimale jetike.

Prej vitesh lagjja e re e qytetit të Kukësit gjendet mes shumë problemeve pasi në këtë zonë mungon infrastruktura më bazike për të jetuar. E ndërtuar si zonë informale pas viteve '90, në këtë lagje nuk është bërë asnjë ndërhyrje për rehabilitimin e infrastrukturës ku për rrugë dytësore të shtruara, trotuare e ndriçim publik as që bëhet fjalë.
Ndërkohë që ndërtimet e shtëpive po i afrohen edhe brigjeve të liqenit të Fierzës. Në këtë lagje ende mbeturinat hidhen në tokë pasi mungon shërbimi i pastrimit dhe kontinierët për hedhjen e tyre. Mungesa e ujit të pijshëm duket se është shqetësimi kryesor i kësaj lagjeje.
Uji në disa banesa vjen vetëm një orë në ditë ndërsa në të tjerat mungon prej muajsh. Banorët thonë në katër vitet e fundit këtë lagje më të populluar të qytetit nuk e kanë mbështetur asnjëherë institucionet e pushtetit vendor.
Banorët veç keqardhjes mbi këtë gjendje që mbizotëron, kërkojnë që bashkia të jetë e pranishme me investimet e saj dhe të ketë një plan urbanistik.
Lagjja e re e ndërtuar në periferi të qytetit banohet me të ardhur kryesisht nga zonat e thella. Megjithëse plani urbanistik i qytetit i miratuar katër vite më parë parashikonte edhe zhvillimin e lagjes së re por deri më tani asgjë nuk është realizuar .
Add new comment