Zjarr pas 15 katëshit, shpëtohen nga asfiksia 9 banorë e 3 zjarrfikës

Postuar në 24 Gusht, 2014 15:18

Një pallat pas 'Hotel International', i njohur ndryshe edhe si 15 katëshi, në Tiranë është përfshirë nga zjarri rreth orës 20:30 të mbrëmjes së sotme duke rrezikuar jetën e 9 banorëve të cilët kishin mbetur të bllokuar.

Mësohet se zjarri ka rënë fillimisht në bodrumin e pallatit, pas përfshirjes nga flakët të një makine tip "Opel", në pronësi të pronarit të parkingut, dhe më pas tymi përmes aspiratorit është përhapur deri në katin e shtatë të tij. Si rrjedhojë e përhapjes së tymit mbetën të bllokuar 9 banorë të pallatit, nga të cilët 6 pjesëtarë të një familje, 1 person në ashensor, dhe dy të një familje tjetër.

Në vendngjarje shkuan menjëherë forcat e zjarrëfikëses, forca të shumta policie, autoambulanca, të cilët bënë të mundur evakuimin e banorëve dhe dërgimin e tyre në spital, si dhe neutralizimin e flakëve, fatmirësisht pa viktima.

Tymi i përhapur në të gjithë pallatin krijoi vështirësi, çka bëri që zjarrëfikësja të përdorë shkallët e saj për t'u ngjitur dhe për të shpëtuar banorët.

Ndërhyrja e forcave të zjarrfikëses bëri të mundur evakuimin e 9 banorëve të pallatit, mes të cilëve edhe një fëmijë 5 vjeç, dhe dy gra, ku njëra ishte shtatzënë. Po ashtu bëhet e ditur se edhe personi i cili kishtie mbetur i bllokuar në ashensor janë arritur të shpëtohen. Të gjithë banorët janë dërguar me urgjencë në spital, pasi kishin probleme me asfiksie, si pasojë e tymit.

Ndërkohë gjatë operacionit të shpëtimit kanë mbetur të asfiksuar edhe 3 zjarrfikës, të cilët janë transportuar me urgjencë drejt spitalit. Mësohet se ata kanë pasur probleme me pajisjet e ajrimit, ku njërit prej tyre i është prishur bombola e ajrit.

Nga të dhënat e para të siguruara nga A1 Report mësohet se disa nga banorët e shpëtuar janë Gëzim Kallmeti 65 vjeç, Xhesika Kallmeti 5 vjeç, Kevin Cani, Ines Cani si dhe Xhesika Cani 40 vjeç. Ndërsa 2 prej 3 zjarrfikësve të mbetur të asfiskuar janë, Agron Shiba dhe Gramoz Koçollari.

Përfshirja nga tymi e gjithë pallatit u kthye në rrezik asfiksie për banorët e bllokuar, të cilët bënin thirrje për t'u ardhur në ndihmë për t'i shpëtuar. Pas rreth 1 ore forcat zjarrfikëse dhe policia, arritën të evakuuonin banorët si dhe të neutralizonin flakët, fatmirësisht pa shënuar viktima në njerëz.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.