Akuza drejt Apelit, kërkon mbylljen në qeli të 5 bankierëve.

Postuar në 05 Shtator, 2014 04:54

Teksa prokuroria e Tiranës pritet që sot të fillojë maratonën e pyetjes një e për një të antarëve të Këshillit të Bankës së Shqipërisë, anëtarët e grupit hetimor të kësaj çështje nuk janë pajtuar me vendimin e gjyqtares Fida Osmani, që linte të lirë 5 nga 7 inventarizuesit e arrestuar. Prokuroria Ramadan Troci, ka apeluar masat e sigurisë për shtetasit e proceduar penalisht si Ilir Deden, Medi Markun, Medi Mollën, Fatbardha Gurthin dhe Emiljano Lamçen, duke i kërkuar gjykatës së Apelit të rrëzojë vendimin e shkallës së parë dhe të caktojë masë e “arrestit në burg” për 5 personat nën hetim.

Sipas argumentit të prokurorit Troci, vendimi i gjyqtares Osmani, është kontradiktor pasi për të njëjtën përgjegjësi penale kjo gjyqtare ka caktuar masë “arresti në burg” për dy inventarizues të BSH, ndërsa për 5 personat e tjerë që kanë firmosur proceverbalin është dhënë masë më e lirë, madje për njërin prej tyre Emiljano Lamçen është dhënë masa e “detyrimit për paraqitje”. Në këto kushte sipas prokurorisë përgjegjësia penale për të 7 të arrestuarit ka qenë e njëjtë, por në fakt gjykata ka devijuar, duke dhënë argumentime kontradiktore dhe aspak të bazuara në ligj, duke liruar 5 komisionierët e tjerë.

Për pasojë, akuza kërkon rikthimin në burg të pesë inventarizuesve, pasi sipas saj, ekziston edhe një mundësi për largimin e tyre dhe shmangies nga përgjegjësia penale. Të vetmit inventarizues që mbetën në qeli janë Gentian Jahja dhe Bahri Allushi.

Inventarizues elektricistë
Inventarizimi i Thesarit të Shtetit gjatë vitit 2013 është bërë me hidraulikë dhe elektricistë. Mësohet se i arrestuari Ilir Dedja, mik i një biznesmeni të njohur në Tiranë, ishte në listën e inventarizuesve, por puna e tij ishte të merrej me sistemin e rregullimit të pjesëve hidraulike në Bankën e Shqipërisë. Ndërkohë që inventarizuesi tjetër Mehdi Molla, sipas akuzës ka profesion atë të elektricistit dhe shërbente për mirëmbajtjen e sistemit elektrik të bankës. Këta persona, pra hidrauliku e elektricisti, gjatë vitit 2013 ishin përzgjedhur nga Fullani për të kryer inventarin, vetëm për faktin se ishin të paisur me çertifikatë sigurie.

Mirëpo praktikisht këta nuk kishin asnjë dijeni se si duhet të kryenin inventarin e parave, por thjesht kanë firmosur formalisht, duke sjellë vazhdimin e vjedhjes së BSH. Këto procesverbale sipas akuzës janë mbikqyrur dhe nga një person tjetër, i cili i përkiste një kompanie audituese të brendshme, por ky shtetas nuk është ndaluar për shkak se sipas akuzës ai nuk ka pranuar të firmosë në procesverbale.
 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.