Meksi “kryqëzon” Fullanin përgjegjës për supervjedhjen.

Postuar në 06 Shtator, 2014 03:28

Ermelinda Meksi, anëtarja e Këshillit Mbikqyrës në Bankën e Shqipërisë ka “kryqëzuar” guvernatorin Ardian Fullani gjatë dëshmisë së saj dhënë përpara prokurorit Ramadan Troci dhe oficerit Helidon Hysenaj. Meksi për 1 orë e 30 minuta ka shpjeguar për grupin e hetimit se vjedhja e 713 milion dollarëve nga thesari i BSH, është një ngjarje tepër e rëndë, dhe se për këtë përgjegjësi direkte administrative ka titullari i kësaj bankë, Ardian Fullani. Sipas dëshmisë së Meksit, ky i fundit ka pushtet të pakufizuar dhe që nuk e ndalon askush të kryejë kontrolle dhe monitorojë punën në bankën qëndrore.

Këto kontrolle, sipas Meksit nuk janë kryer as nga vartësit e tij por edhe as nga Fullani. Madje ky i fundit edhe kur ka qenë në dijeni të rasteve me shkelje dhe abuzimeve, nuk i ka raportuar ato për diskutim në Këshillin Mbikqyrës me qëllim nxjerrjen e rregulloreve dhe udhëzimeve, që do të ndalonin vjedhjen e parave. Dëshmia e Ermelinda Meksit ka qenë e para, më pas ka vijuar të dëshmojë anëtarja tjetër e këshillit, Ela Golemi dhe ish-inspektorja e Përgjithshme për periudhën 2005-2010 Teuta Baleta.

Dëshmia e Meksit
Deri në këtë fazë të hetimit dëshmia e Ermelinda Meksit konsiderohet nga prokuroria si më e plota, prej nga ku mund të kërkohen përgjegjësit që sollën skandalin e vjedhjes së 713 milion dollarëve nga Thesari i Shtetit. Në dëshminë e saj, Meksi nuk ka lënë pa përmendur dhe pozicionin e Inspektores së Përgjithshme Elivar Golemi, e cila për tre vite me rradhë nuk ka respektuar ligjin për organizimin dhe funksionimin e BSH. Sipas Meksit, dyshohet se kjo shtetase në disa raste ka mashtruar me raporte të ndryshme Këshillin Mbikqyrës, duke anashkaluar realitetin që ndodhte në BSH.

Teksa zbriste shkallët e prokurorisë, Ermelinda Meksi nuk ka pranuar të shprehet për mediat duke u mjaftuar vetëm me fjalinë: ”Iu përgjigja një ftese të prokurorisë për bashkëpunim. Lidhur me këtë çështje dhe në respekt të hetimit kërkoj mirëkuptimin tuaj, më shumë se kaq unë nuk mund të them”.

Dëshmon Golemi
Përreth 2 orë, anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë Ela Golemi ka dhënë dëshminë e saj në përballe prokurorit që po trajton çështjen e vjedhjes së Thesarit të Shtetit. Në një prononcim fare të shkurtër për mediat, Golemi tha se i ka dëshmuar organit të akuzës gjithçka që ajo di mbi vjedhjen e 713 milionë lekëve të rinj nga Thesari i Shtetit. Dëshmova çdo gjë më pyeti prokurori, kaq mund të them, gjithçka që di i thashe në prokurori” u shpreh Golemi.

Baleta: Golemi dhe Ardian Fullani Shkelët ligjin, s’bënë asnjë audit
Teuta Baleta, ish-inspektorja e Përgjithshme e BSH për periudhën 2005-2010 është marrë në pyetje nga prokurorët, ku ka treguar rolin dhe detyrat që ka posti i inspektores së Përgjithshme. Më konkretisht, Baleta ka treguar se roli i inpektorit të Përgjithshëm është të nhgrejë grupe pune me qëllim kryerjen e auditeve dhe kontrolleve të herë pas hershme me qëllim evidendimin e shkeljeve dhe parandalimin e abuzimeve.

E pyetur nga prokuroria se pse inspektorja aktuale e BSH Elivar Golemi nuk kishte kryer asnjë audit për tre vite me rradhë, Baleta është shprehur se nuk kishte dijeni për këtë periudhë dhe se për këtë më mirë është të pyetet vetë shtetësja Golemi. Më tej Teuta Baleta ka shpjeguar dhe raportet që i ka dërguar Këshillit Mbikqyrës deri në peiudhën 2010, kur ka shërbyer në Bankën e Shqipërisë dhe se këto raporte sipas saj janë nënvlerësuar nga guvernatori i bankës Ardian Fullani.

Neglizhimi i një sërë raportesh dhe mos marja e masave në kohën e duhur sipas ish-inspektores së Përgjithshme solli dhe skandalin e rëndë.Në deklarimet e dhëna në prokurori, Tetuta Baleta është shprehur se në vjedhjen e BSH ka dhe persona të tjerë të implikuar. Sipas saj, Ardian Bitraj ka shumë mundësi të ketë pasur bashkëpuntorë brenda dhe jashtë degës së Thesarit të Shtetit, gjë të cilën ata kanë ndihmuar për fshehjen sa më parë të shumave financiare.

Fusha: Hetim destinacionit të parave do verifikohet çdo person i bankës
Kryeprokurori i Tiranës Petrit Fusha është shprehur i bindur se do i shkojë deri në fund hetimit për çështjen e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë. Fusha, në një prononcim të shkurtër për mediat deklaroi se do thirret çdo person dhe se do verifikohen me detaje të gjitha veprimet e të përfshirëve në këtë skandal me qëllim, zbulimin e destinacionit të parave të vjedhura nga Thesari i Bankës së Shqipërisë. Pyetjes së A1 REPORT nëse në përfundim të hetimeve do të ketë shkarkim të Guvernatorit Fullani, prokurori Fusha tha se në përfundim të tyre do të vendoset për përgjegjësinë. Ndërkohë i pyetur lidhur me kohëzgjatjen e këtij hetimi, kryeprokurori Fusha ka sqaruar se shumë shpejt kjo çështje do mbyllet dhe do i dërgohet gjykatës së Tiranës për gjykim. 
 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.