Kurbin, iu ekzekutuan të afërmit nga regjimi, ende s’kanë gjetur eshtrat

Kanë kryer homazhe mbi një varr bosh, pasi eshtrat e katër familjarëve të tyre të ekzekutuar 66-vite më parë nga regjimi komunist nuk janë gjendur ende. Kjo histori tragjike ka ndjekur familjen Gjura nga Spaçi i Mirditës.
Udhëtimi i 4 pjesëtarëve të familjes Gjura drejt një jete më të mirë jashtë kufijve të Shqipërisë rezultoi i pakthim, e për ironi të fatit trupat e tyre janë varrosur pa dëshmitarë.
Për t’i përkujtuar, familja e tyre ka ndërtuar një varr memorial në varrezat e qytetit të Laçit, duke i bërë apel shtetit për gjetjen e eshtrave të tyre.
Në ceremoninë homazhe të organizuar në nderim të tyre kanë marrë pjesë përfaqësues të ish-të përndjekurve politikë, intelektualë, si dhe familjarë të tyre, të cilët kanë vendosur kurora me lule në varrin e ndërtuar në nderim të 4 viktimave.
Në emër të familjes së 4 të viktimave, Gjon Gjura është shprehur se këto varre janë bosh, ndërsa shpreson se amaneti i të parëve të tyre të shkojë në vend për gjetjen e eshtrave të tyre.
Ndërtimi i këtij varri tashmë nuk është vetëm një homazh në nderim të 4 të zhdukurve, por edhe një mesazh për shtetin shqiptar që të tregojë më shumë humanizëm dhe drejtësi për viktimat e diktaturë së egër komuniste të asaj kohë, ku në Mirditë u krye një masakër e vërtetë nga ky regjim.
Add new comment