Bashkia miraton buxhetin, të majtët lënë sallën, Rruga e Kavajës zhduket si pa të keq

Miratohet buxheti i Bashkisë për vitin 2012 mes debatesh që kanë vazhduar mbi 6 orë, deri në orët e vona të natës. Miratimi ka ndodhur në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak, ku mes diskutimeve dhe polemikave buxheti u miratua me votat e vetë mazhorancës. Që në fillim të mbledhjes, pjesa më e madhe e këshilltarëve socialistë kanë braktisur sallën pasi nuk kanë qenë dakord me rendin e ditës, madje as nuk kanë votuar pro tij.
“Këtu kemi një shkelje të hapur të transparencës, sepse ne e kemi marrë ditët e fundit këtë projekt, prandaj ne nuk kemi pasur kohën e nevojshme që të shqyrtojmë me detaje këtë buxhet”, u shpreh kreu i Këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi. Më pas shumica e këshilltarëve të majtë kanë braktisur sallën, ndërsa kryebashkiaku Basha është ndalur tek paraqitja me detaje e projekt-buxhetit.
Ndërkohë, gjatë mbledhjes së djeshme të këshillit bashkiak u miratuan edhe projekt-vendimi për sheshin “Italia”, për ndërtimin e parkimit nëntokësor, ai për ndryshimin e komisionit të strehimit, projekt-vendimi për kthimin e rrugës pedonale në treg çdo fundjavë, ai për ndryshimin e emrit të Rrugës së Kavajës, si dhe projekt-vendimi për pagat e punonjësve.
Në buxhet bie në sy që që investimet do të zënë 33%, shifra më e madhe në këto 20 vjet. Duket sikur, pas konsultimeve me qytetarët, këta t’i kenë kërkuar Bashkisë vetëm t’u bëjë rrugë dhe shtratin e Lanës.
Ndërsa ngjall habi vendimi për ndërrimin e emrit të rrugës së Kavajës, emër që e ka prej 80 e kusur vitesh. T’u ketë shkuar mendja të ndëshkojnë Kavajën që zgjodhi për herë të parë një Kryetar Bashkie të majtë?
n.s.
Add new comment