Shqetësimi i PDIU-së për numërimin e votave dhe spoti i LSI-së si garanci

Postuar në 09 Qershor, 2015 10:07

Shpëtim Idrizi preferoi ta pagëzonte me mesazhe morale kalimin e partisë së tij, Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet, drejt koalicionit me mazhorancën aktuale. Idrizi deklaroi se po bëhej një lëvizje që synonte t’i jepte një impuls të ri moral politikës. “Ne nuk jemi parti pazaresh, por parti solidariteti”, tha ai. Pak ditë më vonë, do të shtonte dozën: "PDIU nuk është parti zare", apo se “PDIU është parti e shqiptarëve të ndershëm”, për të ardhur dje në Cërrik, kur foli me termat e PPSH-së: “PDIU është në shtëpinë e çdo shqiptari”. Por edhe Rama është kryeministër solidariteti dhe jo pazaresh. Për kalimin që bëri Idrizi “u shpërblye” me detyrën e nënkryetarit të Parlamentit, zgjedhje që nuk kaloi pa probleme. Plus mori një qëndrim shumë të qartë ndaj Greqisë, që i bën jehonë shqetësimeve ideologjike të PDIU-së. Mirëpo sot shohim një Shpëtim Idrizi të ndryshuar: ka mjaftuar një vendim i “vockël” në KQZ, një konfirmim në Kolegj dhe partia e tij mbetet pa numërues. Interpretimi ligjor është i qartë: je në vend të dytë të një koalicioni merr numërues. Nuk je, nuk merr. Por kreu i PDIU-së i referohet si kriter në këtë përzgjedhje, koalicionit që ka dalë nga zgjedhjet e fundit. Por askush nuk po dëgjon nga ai krah. Teksa shohim fanfarat me të cilat u krye ndryshimi i krahut nga PDIU, ngjan e çuditshme, sesi aktualisht Idrizi po shfaqet i shqetësuar për fatin e votave të partisë së tij. Dhe nuk duhet të jenë pak. “Unë po i bëj thirrje gjithë partive politike sot, ne kemi qenë luajal, ne kemi përkrahur çdo aleancë ku kemi qenë, por sigurisht që pozicioni dhe qëndrimi jonë do të kondicionohet nga raporti që ato do të kenë me votat e PDIU. Ne i kemi të gjithë mekanizmat që ta ruajmë votën e PDIU, por edhe votën e çdo shqiptari”, tha ai në Cërrik. Pse shqetësohet Idrizi? Çfarë e bën të pasigurtë atë nën çatinë e Aleancës për Shqipërinë Europiane? Nëse është fjala për ruajtjen e votës, a nuk i mjafton PDIU-së zhvillimi shumë i rëndësishëm i ditës së sotme, ai përmes të cilit Ilir Meta, kreu i LSI-së, njoftoi edhe realizimin e një spoti publicitar që trajton pikërisht dukurinë e manipulimit të votës? “Unë kam kënaqësinë që t’ju prezantoj edhe spotin më të ri të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të sensibilizuar të gjithë qytetarët shqiptarë që të bëhen pjesë e mbrojtjes së votës së tyre nga çdo tentativë presioni, manipulimi apo blerje votash, pasi vota është forca e tyre, është zëri i tyre dhe ata duhet ta investojnë atë në 21 qershor në mënyrë më të lirë, më demokratike dhe më evropiane”. Fjalë të thëna nga Ilir Meta. A nuk mjafton kjo garanci për partitë shqiptare? Duhen më shumë garanci për luajalitetin e LSI-së?  Së fundmi nga partia e Ilir Metës është arrestuar, pak para zgjedhjeve, një drejtor për çështje korrupsioni dhe menjëherë partia u distancua prej tij. Madje e shkarkoi. Pra “mbajti duar të pastra”.

Ndryshimi dhe diferencat gjëmojnë tjetërkund, aty ku "shqetësohet" edhe PDIU-ja, por ndoshta edhe kryeministri: te Politika e Jashtme. Sot, por ndoshta është rastësi, Meta ka folur edhe për marrëdhëniet me Greqinë, të cilat i ka quajtur shumë të mira duke zhvlerësuar thuajse tërësisht frekuencën prej patrioti që adoptoi kryeministri në konferencën për shtyp me homologun serb. “Unë i shoh marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë si marrëdhënie shumë të mira, ku ka ende çështje që do të diskutohen, që do të zgjidhen bazuar mbi respektin reciprok, bazuar mbi konventat ndërkombëtare, ndërsa një deklaratë këtu e një deklaratë aty nuk besojnë se lëkundin trendin e fuqishëm dhe solid të marrëdhënieve midis dy vendeve tona të cilat janë dy vende anëtare të NATO-s”, tha kreu i LSI-së. Të gjitha këto zhvillime graduale, bashkë me lajmin e pakonfirmuar se LSI-ja po zhvillon një betejë për llogari të vet në këto zgjedhje, sidomos për kontrollin e këshillave, krijojnë idenë e një bashkëqeverisjeje në konflikt të heshtur. PDIU hyri në koalicion me kredencialin e numrave, si garanci më tepër për ruajtjen e shumicës qeverisëse nga PS-ja dhe në këtë drejtim mund të kuptohet “dërdëllitja diplomatike” në adresë të Greqisë. Por çfarë del zbuluar me rastin e PDIU-së është kotësia dhe hipokrizia e moralit që shitet nga partitë shqiptare. Ka mjaftuar vetëm një lëvizje me numëruesit që i gjithë orteku i përbetimeve morale të transformohet në shantazh, kërcënim, presion e të tjera si këto, që në fund do çojnë në nevojën që solidariteti të konvertohet në pazar. Dhe pazari të rishitet si solidaritet. Kuptohet “me qetësi dhe dashuri”. s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.