Makthi Topi, Berisha nuk le rast pa e sulmuar

Kreu i mazhorancës, shfrytëzoi ceremoninë e organizuar në nder të 22 intelektualëve të vrarë nga regjimi komunist (i pakuptueshëm fakti se përse organizimi bëhet nëntë ditë pas datës 26 shkurt kur edhe u krye vrasja gjashtë dekada më parë) për të sulmuar sërish Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Presidenti ka qenë vazhdimisht në objekt të sulmeve verbale nga PD-ja, por kësaj radhe është shkuar edhe më tej; ai është barazuar me vrasësit e intelektualëve duke u proklamuar si mbështetës i tyre pasi nuk pranoi të firmos ligjin për lustracionin. “Rreth 5 vjet më parë dërguam në presidencë një përfaqësues duke besuar se i takon të djathtës, por ai refuzon të firmosë ligjin për lustracionin, për të zbardhur të vërtetat për atë institucion që ishte hanxhari që u përdor për të ekzekutuar këta burra dhe 5 mijë të tjerë”, - u shpreh Berisha.
Sulmi ndaj Topit vjen pas incidentit me Protokollin e Shtetit në Lezhë, ku nuk iu lejua të fliste por edhe pas largimit të deputetit demokrat, Gazmend Oketa nga grupi i PD-së duke thënë se do t’i bashkohej Partisë së Topit.
Duket se partia e Topit po përbën një ankth për Kryeministrin Berisha duke qenë një ndër partitë më potenciale për të thithur votat e të përndjekurve, nisur edhe nga statura e drejtuesit të ardhshëm të saj, prandaj edhe bateritë e sulmit janë kthyer pikërisht në këtë drejtim.
S.E.
Add new comment