Populli shet votën apo qeveria blen votën?

Kur bëhet korrupsion me pronën, me barnat, me jetën, me të drejtën, me tokën, me dijen, me notën pse mos të bëhet edhe me votën? Përvoja 20-vjeçare në Shqipëri ka treguar se kjo lloj marrëdhënie marr-jap dhe jap-marr me shkëmbim dhe shpërblim zarfash e ofiqesh ka patur gjithmonë dy palë, të korruptuarin aktiv dhe të korruptuarin pasiv. Gjithmonë në njërën anë është populli dhe në anën tjetër qeveria ose shteti me nëpunësit e tij. Shqetësimi kryesor i ndërkombëtarëve e në veçanti i amerikanëve në këtë fushatë zgjedhore ka qenë rreziku i manipulimit të zgjedhjeve nga shitja e votës. Ambasadori Donald Lu këto ditë ka qenë shumë aktiv në këtë drejtim, ka stisur shumë takime nga Shkodra në Korçë për të dhënë mesazhin se shqiptarët nuk duhet ta shesin votën. Ajo që ambasadori amerikan nuk thotë është se kujt shqiptarët nuk duhet t’ia shesin votën? Kush janë ata që ofrohen për t’ua blerë atyre votën? Publikisht të gjithë dënojnë blerjen dhe shitjen e votës, si qeveria ashtu dhe opozita, por në terren pazari i votës ndërmjetësohet me oferta nga të besuarit e militantët dhe ajo që është më flagrante me akte qeveritare. Le t’i marrim me radhë: Qeveria tregoi tolerancë zero në aksionin për ndëshkimin e vjedhësve të energjisë dhe mledhjen e debive të papaguara. Reprezalja që “policia elektrike” ndërmori ndaj vjedhësve të energjisë la pas dhe viktima, kujtojmë të vetëvarurin e burgut të Rrogozhinës, i futur në qeli për lidhje të paligshme të energjisë, por dhe ata që mbetën viktima teksa tentuan ta rilidhin energjinë. Në respekt të afateve për shlyerjen e detyrimeve që ishte fundi i muajit shkurt, qeveria tregoi se nuk bënte kompromis në kurriz të ligjit, pavarësisht kostove. Pa dhënë arsye të qënësishme dhe në prag të fushatës për zgjedhjet lokale qeveria vendosi ta shtyjë edhe dy herë të tjera afatin e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, njëherë në fund të muajit mars dhe tani së fundmi në korrik, pra pas zgjedhjeve të 21 Qershorit. Le ta quajmë këtë një manovër që çdo qeveri mund ta bëjë për të ulur zemërimin e popullit në prag zgjedhjesh. Në fund të fundit çdo debitor do ta paguajë një më një energjinë që i ka borxh shtetit. Por janë dy vendime të tjera që e kompromentojnë rëndë qeverinë në pazare dhe oferta për blerjen e votës, duke përdorur për këtë qëllim buxhetin e shtetit dhe paratë publike. Janë dy vendime që u morën në mbledhjen e fundit, pra 10 ditë para zgjedhjeve. I pari ka të bëjë me rritjen e trajtimit financiar për familjet e dëshmorëve me 20 mijë lekë dhe vendimi i dytë për kompesimin e banorëve të përmbytur në Shkodër në vitin 2010. Dy vendime që joshin financiarisht dhe politikisht dy shtresa, veteranët e mbetur në hije nga përkujdesja për të persekutuarit dhe shkodranët fanatikë të Partisë Demokratike. Oferta është para në dorë. Pyetja është pse tani dhe pse ndaj këtyre dy kategorive? Çduhet të bëjë populli në të tilla kushte kur qeveria i ofron para në këmbim të votës, të dëgjojë apelin e zotit Lu apo t’i kërkojë zotit Lu që bashkë me moralin për të mos shitur votën të denoncojë blerësit e votës.
l.mitro

Add new comment