Santorum shpërthen kundër reporterit të NYTimes-it: “Mjaft gënjeve!” Dhe fiton simpatinë e Sara Palin-it

Postuar në 28 Mars, 2012 01:54

Ju kujtohet, besojmë, Sarah Palin. Është gruaja e zgjedhur nga John McCain si kandidate për zv.presidente gjatë fushatës së fundit elektorale në SHBA. Një grua energjike, që u shqua, përveç të tjerash, edhe për një marrëdhënie të vështirë me gazetarët e mediat. Dhe sot po i gjendet pranë kandidatit presidencial, Rick Santorum, në përplasjet që ky i fundit ka me gazetarët. Të djelën, teksa reporteri Jeff Zeleny e pyeti nëse “vijonte të mendonte atë që kish thënë më parë, dmth që Mitt Romney ish republikani më i dobët për të qenë përballë Barack Obama-s”, kandidati Santorum shpërtheu: “Mjaft gënjeve! Ti po deformon fjalët e mija. Prandaj duhet të të vijë turp!”

Shpërthimi i Santorum-it provokoi diskutime të shumta. Dhe Sarah Palin ndërhyn për të thënë të vetën: “Santorum tregoi se kush është, tregoi se ka karakter, i tregoi vendin medias së majtë që deformon fjalët, që të vë në gojë fjalë që s’i ke thënë, e që t’i vë fjalët në një kontekst tjetër.”

Sarah Palin bën një përgjithësim që s’ta mbush mendjen, por duhet thënë se Santorum ka të drejtë në rastin konkret. Është tamam siç thotë ai. Ka thënë që “Romney është kandidati më i dobët mes republikanëve për t’u ballafaquar me Obama-n në çështjen e reformës shëndetësore”, ndërsa gazetari e citonte për gjysmë, vetëm për pjesën e parë të frazës.

M.N.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.