Selami Xhepa: "Ka një lloj tkurrjeje ekonomike"

Në një intervistë dhënë televizionit News 24, deputeti i PD-së Selami Xhepa deklaroi se buxheti i shtetit për këtë vit ka gjasa të mëdha të rishikohet me ulje, sepse të ardhurat e parashikuara në buxhetin aktual nuk po realizohen.
"Të dhënat paraprake të hershme dëshmojnë se ka një vështirësi në zhvillimin e sipërmarrjes qoftë nga treguesit dhe të ardhurat e buxhetit, por edhe treguesit e tjerë të tërthortë që lidhen me shitjet dhe kështu me radhë, tregojnë se ka një lloj tkurrjeje dhe frenimi që do të thotë se, ashtu edhe siç mund të pritej, viti 2012 do të jetë një vit relativisht më i vështirë, krahasuar me periudhat e kaluara. Fakti që deri tani ka patur një performancë nën nivelin e parashikuar, padyshim që mendojmë se në gjysmën e vitit do të ketë një rishikim, sërish të buxhetit. Sidoqoftë kjo mbetet për t'u parë se si do jetë evoluimi i gjendjes së financave publike në tremujorin e dytë, në mënyrë që të krijohet një pamje më e drejtë për nevojën dhe emergjencën, për rishikimin në buxhet",- tha Xhepa.
Përkthyer në një shqipe të thjeshtë, këto fjalë të Xhepës na thonë se ekonomia jo vetëm që nuk ka patur rritje, por është tkurrur në këtë fillim viti. Dhe gjasat janë sipas Xhepës që tkurrja të vazhdojë. Eshtë i pari zë ky nga mazhoranca që pranon ekzistencën e tkurrjes ekonomike.
E.Zaloshnja
Add new comment