Shënim: Italia, 52 ditë pa qeveri

Që nga zgjedhjet e 24 shkurtit, prej 52 ditësh, Italia është pa qeveri, pa mazhorancë parlamentare dhe tanimë pa President Republike. Të kuptohemi, zyrat e institucioneve të mësipërme nuk janë bosh. Mario Monti është formalisht Kryeministër dhe Këshilli i Ministrave mblidhet rregullisht, por të gjithë janë në regjim dorëheqjeje, pra vetëm për “administrimin normal” dhe në pamundësi për të kryer vendimarrje politike të qënësishme. Parlamenti i ri është mbledhur sipas afateve ligjore, ka zgjedhur Presidentët përkatës (Laura Boldrini për dhomën e ulët dhe Pietro Grasso për Senatin), por për të qënë funksional duhet të formojë komisionet, përbërja e së cilave duhet të pasqyrojë raportin numerik midis mazhorancës dhe opozitës. Por ndërkohë që nuk egziston akoma as mazhorancë dhe as opozitë, atëhere komisionet nuk mund të lindin duke bërë thuajse të pamundur procesin ligjvënës. Së fundmi, sa për të ndërlikuar më tej situatën, mandati shtatëvjeçar i Presidentit të Republikës fatkeqësisht përfundon në maj, kështu që të enjten e ardhshme Parlamenti fillon procedurën për votimin e Presidentit të ri. Zanafilla e paralizës perfekte të sistemit politiko-institucional italian qëndron tek rezultati i zgjedhjeve të 24 shkurtit. Nga kutia e votimit dolën tre minoranca me një fuqi elektorale çuditërisht të barazpeshuar. Edhe pse në Dhomën e Ulët e majta fitoi 55% të mandateve falë sistemit elektoral duke pasur vetëm 29% të votave, në Senat (ku ndarja e mandateve është ndryshe) asnjë nga tre partitë kryesore (PD-ja e Bersani-t, PdL-ja e Berlusconi-t dhe Lëvizja 5 Yje e Beppe Grillo-s) nuk arrin dot shumicën. Një qeveri mund të krijohet vetëm nëse dy prej tre partive në fjalë do formonin koalicion. Në të kundërt parlamenti do shkrihej dhe Legjislatura e XVI-të do të vdiste që në djep. Por presidenti aktual Napolitano, në bazë të kushtetutës, nuk mund të shpërndajë parlamentin në gjashtëmujorshin e fundit të mandatit, kështu që vendosi të lëri dosjen në duart e pasardhësit. Bersani dhe Berluskoni (të dy të dalë me kocka të thyera nga sfida elektorale e shkurtit me respektivisht 4,5 dhe 6,5 milionë votues të humbur në raport me 5 vite më parë), duke pasur si një shtizë të ngulur në brinjë Lëvizjen e Grillos , duhet të akordohen më parë për Presidentin e ri dhe më pas (ndoshta) për qeverinë. Një lëmsh i vërtetë. E.Xhanari
Comments
Shume mire qe Grillo nuk
<p>Shume mire qe Grillo nuk pranoi te bente marreveshje paszgjedhore, nese ato vota i mori sepse ishte kunder politikes se vjeter, atehere nuk ka te drejte te tradhtoje elektoratin e tij "per te miren e pergjithshme", gjoja sa per te patur nje qeveri qe nuk do funksionte.</p>
Add new comment