Rama ka bërë një gjest vulgar në Vienë, por protagonizmi i Ceka-jve është po kaq vulgar

Postuar në 25 Prill, 2013 15:53

Në “sherrin” mes Egin Cekës e Edi Ramës ka ndërhyrë dhe Neritani, i ati i Eginit, diplomat dhe ai. Ka ndërhyrë me një letër të hapur që ia ka dërguar Edi Ramës. E nënshkruan si letrën e një qytetari shqiptar në Romë, por duket se është letra e një babai. Si baba ka shumë të drejtë të shqetësohet, madje shumë, por si qytetar do duhej të ish bërë i gjallë më përpara e për shumë gjëra të tjera më të rënda se sa kapja prej veshi e të birit nga dikush tjetër.

Dhe këtë po ia thotë dikush që sjelljen e Ramës (kapjen e veshit të Eginit, por edhe të kujtdo tjetër në këtë botë) e konsideron fyese, vulgare e harbute. Askush nuk mund të sillet në këtë mënyrë. Në të vetmen pikë ku bie dakord me Cekën është kërkesa bërë Ramës për të kërkuar ndjesë për këtë gjest. Rama duhej të kish kërkuar ndjesë; ai nuk ka asnjë të drejtë në këtë botë të trajtojë me një përbuzje të tillë, dhe të prekë me dorë, dikë tjetër (të prekë me dorë jo në versionin “eskatologjik” të Berishës, amá).

Pjesa tjetër e letrës është e gabuar, tërësisht e gabuar, një melodramë banale. Në këtë vend – përsëris – kanë ndodhur gjëra më të rënda se sa kjo gjë, dhe as Ceka senior, as Ceka junior s’e kanë ngritur zërin (vijojnë të ngrefosen ende me heroizmat putativë të njëmijë viteve më parë, gjatë Lëvizjes antikomuniste, gjithashtu putative). Kështu që një show e një protagonizëm i këtij lloji nuk u ka hiç hije. Ashtu siç nuk i ka hije sjellja e vet të parit të socialistëve, që po kërkon të bëhet i pari i vendit.

Për ata që duan ta lexojnë letrën të plotë, le të shkojnë në linkun http://gazetadita.al/incidenti-i-vjenes-neritan-ceka-leter-edi-rames-duhet-te-me-kerkosh-falje/.

 

M. Nano

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.