Meidani analizon fushatën: negative, e lodhur, me kult individi e me përurime, por pa debat konkret

Postuar në 08 Qershor, 2013 07:15

Rexhep Mejdani analizon sot te Panorama fushatën elektorale përmes një artikulli të titulluar “Shënime Fushate”.

Ai vë re që në këtë fushatë “është ‘ndryshkur’ arma kundër korrupsionit” (në një vend ku korrupsioni është sëmundja kryesore e sistemit).

Tipari i fushatës aktuale është ai negativ” shkruan Meidani. Një fushatë e tillë mund të quhet ndryshe dhe “baltosje” e kundërshtarit” duke e sulmuar personalisht e jo për idetë. Këtu ai fut edhe sulmet në mediet sociale me orientim partiak përmes pseudo-emrave “që zhyejnë opinionin publik, që fyejnë qytetarin e baltosin mjedisin shqiptar.”

Koncepti i “mbushjes” vë re Meidani “e ka origjinën te “forca” e turmës, te reagimi jopaqësor dhe ndikimi elektoral progresiv i saj, por jo te besimi, ndjesia, bindja e vendimmarrja individuale e votuesit të thjeshtë. Pasqyrim i këtij koncepti është dhe transmetimi televiziv i fushatës me kaseta të përgatitura prej vetë partive politike... pikërisht për të krijuar përshtypjen e forcës, mbështetjes dhe fitores. Sidomos për të hutuar ndërkombëtarët!…”

Elementi që shpreh dobësinë politike-publike, është dhe koncepti i përurimit të çdo lloj investimi të madh apo të vogël, të saponisur, të ndërmjetëm, të sapombaruar apo të përfunduar kohë më parë.

Kulti i individit, është një tipar kryesor me dominim të kryetarëve të partive. Sipas Meidanit “ushqyese e keqe e këtij kulti është dhe media, me orientimet e veta politike ndaj njërit grup apo tjetrit, njërit kryetar apo tjetrit..

Ka një frekuencë e ulët në debatin konkret, ku mungojnë përballjet e drejtpërdrejta të përfaqësuesve partiakë që janë zëvendësuar me atë të analistëve e që “ka dobësuar ndikimin publik të këtyre të fundit, sidomos në sajë të pozicionimeve të tyre partiake tepër të dukshme, deri në shkelje të neutralitetit, në kurriz të informimit të pavarur dhe argumentimit logjik.”

Kalimi i dobët nga e përgjithshmja tek e veçanta, nuk mund të zëvendësohet as nga takimet “gju më gju me popullin”; që janë ende të pamjaftueshme, shpesh dhe artificiale. “Madje, në disa raste, ato nuk duken të përgatitura si duhet nga stafet, deri pa konsideruar elementet përkatëse të natyrës politike, ekonomike, kulturore, demografike apo gjeografike.” Shkruan Meidani.

Lodhja elektorale nga të dy krahët duket tek “folësit po përsërisin veten pa improvizimin më të vogël”, madje aty-këtu, “nga “lodhja” po atakohen, gabimisht, profesione të ndryshme, në vend që të konsiderohen vetëm raste shkeljesh individuale apo korrupsioni konkret (...) Përgjithësimi, për kategori të ndryshme, jo vetëm mbjell deziluzion, por dhe provokon pakënaqësi elektorale,” shkruan Meidani..

k.c.

I plotë:

http://www.panorama.com.al/2013/06/07/shenime-fushate/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.