Ministria e Mbrojtjes, miliona (brenda pak ditësh) drejt TV Klan. Dita dhe TCH raportojnë skema të ndryshme

Postuar në 18 Qershor, 2013 14:20

Aleksandër Frangaj u vu në qendër të kritikave të opozitës vitin e shkuar pasi u zbulua se i vëllai i tij, Eduard Frangaj, nëpërmjet një kompanie private kishte përvetësuar miliona euro nga entet shtetërore për realizimin e spoteve televizive. Duket se presioni publik e ka bërë të vetën. Milionat vazhdojnë të rrjedhin lumë për Frangajt, vetëm se ka ndryshuar rubineti, fondet nuk kalojnë më nëpërmjet kompanisë së Eduart Frangajt, por nëpërmjet një kompanie të re, të krijuar në janar të këtij viti, e cila drejtohet nga një nëpunës i Aleksandër Frangajt – raporton e përditshmja DITA. Sipas gazetës që boton në numrin e sotëm dokumenta të QKR dhe urdhëra të Thesarit të Shtetit kompania “Zoom Events” është zyrtarisht në pronësi të zotit Eptan Lohja. Nga raportimet e thesarit të shtetit rezulton se kjo kompani vetëm në 2 javët e fundit, ka arritur të marrë rreth 400 mijë dollarë nga dy kontrata të ndryshme ekskluzive me Ministrinë e Mbrojtjes, falë dy urdhrave të firmosur nga vetë ministri Imami. Z.Lohja në bazë të të dhënave të Qendrës së Regjistrimit të Biznesit, rezulton anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të TV Klan, e të njëjtin funksion mban edhe në televizionin ABC – raporton DITA.

Televizioni TCH në lajmet e sotme, raporton të tjera rrjedhje milionash nga Ministria e Mbrojtjes drejt televizionit Klan. Ndryshon vetem skema. Në datë 21 maj, Ministria e Mbrojtjes, përkatësisht Qëndra e Kulturës, xhiron nga buxheti 99.9 milionë lekë ose afro 1 milionë dollarë për llogari të kompanisë “Zoom Event”.  Vetëm një ditë më vonë, në datën 22 maj, kjo e fundit ja xhiron të gjithë fondin një tjetër kompanie me emrin “Pro Image”. Sipas kësaj skeme transaksionesh, “Zoom Event” ka shërbyer thjesht si ndërmjetës për kalimin e parave publike nga Ministria e Mbrojtjes tek kompania “Pro Image”.  Më pas, kjo e fundit, ka bërë shpërndarjen e fondit në media për publikimin e reklamës së Ministrisë së Mbrojtjes.  Sipas dokumentave, nga data 17 deri në datën 31 maj, “Pro Image” ka shpërndarë gjysmën e fondit, më saktësisht 42.3 milionë lekë.  Pjesa dërrmuese e parave ose mbi 71 për qind e tyre kanë shkuar vetëm për një grup mediatik, atë të “Media 6” që i përket televizionit “Klan” – raporton TCH. (a.n.)

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.