ODIHR, amerikania Mekormak: Përmirësimet do t’i shënojmë në raport

Amerikania Koni Mekormak, shefe e misionit vëzhgues të ODIHR-it, ka folur për Vizion Plus mbi zgjedhjet e 23 qershorit dhe pikëpyetjet që solli ky proces. Për ndërkombëtarët, ngërçi i parë është certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve duke parë përbërjen e cunguar të KQZ-së: Një çështje që mediat dhe analistët tanë e kanë marrë për fakt të kryer që do kalojë nga Kolegji Zgjedhor, pa u shkuar mendja tek ndonjë makinacion shqiptar. Ndërkaq, për Mekormak pikë e dobët mbeti procesi i numërimit (duket se nuk është informuar për zgjedhjet lokale 2011), që “ishte transparent deri diku, por u ndërpre disa herë, pa arsye të forta nga numëruesit, çka duhet parashikuar në Kod”. Në fakt, kodi zgjedhor e parashikon afatin e mbarimit të numërimit, që nuk është respektuar ndonjëherë. Ama, nëse zgjedhjet e ardhshme përveç numërimit të saktë, kapërcejmë dhe hallkën e shpejtësisë, atëherë realisht që dimë (ose më saktë, duam) të bëjmë zgjedhje të lira e të ndershme. Raporti final i misionit do të vijë 8 javë pas zgjedhjeve, pra nga fundi i gushtit.
Re.Pu.
Add new comment