Plasari “rikthen” Petro Markon. Shkrimtari para gjyqit: Unë nuk kam tradhtuar

Postuar në 27 Nëntor, 2013 08:25

Aurel Plasari ka bërë sot në Panorama një analizë për shkrimtarin Petro Marko me elementë biografikë brenda. Përpos fakteve të njohura për kontributin e Markos në letërsi, Plasari sjell në vëmendje edhe kryqëzimin e madh të jetës së shkrimtarit me klimën politike dhe sociale të Shqipërisë së viteve ’30. “Pikërisht duke spikatur si ndër më aktivët në debatin intelektual të viteve ‘30, filluan për Petro Markon – krahas përndjekjeve dhe arrestimeve – shenjat e para të thashethemit dhe intrigës rreth figurës së tij. Ishin thashetheme dhe intriga që do të vinin vetëm duke u intensifikuar kur shkrimtari i ri të shfaqej edhe me profilin e një antifashisti militues, luftëtar, të përfshirë drejtpërsëdrejti në konflagracionin tanimë europian”, shkruan Plasari. Në këtë kuptim na vjen e shërbyer me kujdes një karakter njeriu, më shumë sesa një ringjyrosje e profilit të njohur të shkrimtarit. Është një shembull elokuent për të kuptuar rolin e intelektualit në Shqipëri, i vënë shpesh nën stigmatizim, apo nën një rrethim intrigash dhe mërmërimash nëse mund të themi kështu. Gjithsesi, rasti i Markos ka një apel qendror që kulmon me një manifestim të ndërgjegjes: “Unë nuk e kam tradhtuar Luftën spanjolle, por e quaj për nder luftën që kam bërë…Në qoftë se më cilësoni spiun, mos më dënoni me tre vjet, por më jepni dënimin me vdekje”, citon Plasari. Meriton një lexim kjo analizë, që duket se mëton të flasë për një evropian të kohës në Shqipëri.

Më shumë: http://www.panorama.com.al/2013/11/27/petro-marko-mes-zilise-dhe-lavdise/

s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.