FMN-BB, një miliard dollarë kredi në tre vjet për Shqipërinë. Me ca kushte

Postuar në 17 Dhjetor, 2013 09:54

Shifra është 1 miliard dollarë dhe lëvrimi i kësaj shume që nuk ka qarkulluar më parë në lajmet mbi negociatat e FMN-së me qeverisë shqiptare, do të kryhet në tre vjet. Fjala është për kredinë që do marrë Shqipëria pas negocimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, në mbështetje të buxhetit. Takimi përfundimtar u zhvillua në orët e paradites në ambientet e Ministrisë, ku të pranishëm kanë qenë Ministri i Financave, Shkëlqim Cani dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Burime nga dikasteri i financave bëjnë të ditur se është arritur që të sigurohet një mbështetje financiare për një periudhë 3-vjeçare, me një total prej 1 miliard dollarë. Për vitin e ardhshëm, FMN dhe Banka Botërore do lëvrojnë deri në 350 milionë dollarë, ndërsa pjesa tjetër, do të jepet në periudhën e mbetur, nga 300 milionë dollarë çdo vit. Palët kanë rënë dakord edhe për kushtet e vendosura: FMN dhe Banka Botërore kërkuan që nga paketa fiskale të sigurohej një rritje e të ardhurave me 18 miliardë lekë, kushti i dytë ka të bëjë me shlyerjen e borxheve ndaj biznesit, dhe i treti me moskrijimin e një situate të ngjashme me sipërmarrjen private. Pritet një konferencë e përbashkët për shtyp në orën 18:00 nga shefi i misionit të FMN-së Nadeem Ilahi, ministrat Cani dhe Ahmetaj, si dhe Guvernatori Fullani.

a.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.