Shantazhi i Dajtit, Gjykata e Kimeve të Rënda bën apel publik për ndihmë. Gjyqtari i kërcënuar, nën masa mbrojtëse

Një deklaratë e paprecedentë për një histori gjyqësore po aq të paprecedentë në sistemin e drejtësisë shqiptare: Për herë të parë një organ gjyqësor apelon publikisht për ndihmë dhe mbështetje në përpjekjet e saj në luftën kundër krimit. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka reaguar me një deklaratë për mediat, ku dënon ashpër kërcënimet, presionet dhe shantazhet që po i bëhen gjyqtarëve të saj, me qëllim për të shmangur vëmendjen nga ecuria e procesit, pengimit të ushtrimit të funksioneve të tyre dhe zgjatjen e bllokimit të proceseve gjyqësore. Një ditë pas shantazhit nëpërmjet një fotoje të njërit nga familjarët e gjyqtarit Idriz Mulkurti, kryesuesi i trupës gjyqësore së bashku me familjen e tij është marrë në mbrojtje nga reparti “RES”. Mulkurti është i dyti gjyqtar që vendoset nën ruajtje, ndërkohë që më shumë se dy vjet më parë nën mbrojtje u vendos familjarisht edhe një tjetër anëtar i kësaj trupe, gjyqtari Ardit Mustafa. Pas seancës së të martës, u shkaktua një gjendje alarmi në trupën gjyqësore të Krimeve të Rënda. “Prej kohësh gjyqtarët po i nënshtrohen kërcënimeve, presioneve dhe shantazheve të shumta nga të pandehurit, si dhe personat e afërm të tyre. Kërcënimet kanë qenë të llojeve të ndryshme, që nga kërcënimet me jetë dhe cenimi i integritetit fizik dhe moral, deri tek shantazhi, siç është edhe rasti i fundit nëpërmjet publikimit të fotove të montuara që po i ushtrohet familjarëve të gjyqtarëve”, thotë GJKR.
Ndodhur në këto kushte, gjykata kërkon “mbështetjen e Policisë së Shtetit, institucioneve të specializuara në luftën kundër krimit, të gjithë faktorëve të sistemit të drejtësisë, si dhe ndërgjegjësimin e të gjitha medieve në mbështetje të gjyqtarëve të kësaj gjykate në dhënien e drejtësisë dhe realizimin e një gjykimi të drejtë, objektiv në përputhje me parimet kushtetuese dhe ato proceduriale penale”.
a.k
Add new comment