Mapo: Goro: Himara, bashki më vete me Vranishtin dhe Lukovën

Ndryshe nga sa pretendojnë përfaqësuesit e minoritetit grek në vendin tonë në lidhje me përcaktimin e Himarës si një bashki e re së bashku me fshatrat që sot përbëjnë komunën e Vranishtit dhe Lukovës, kreu i pushtetit lokal në këtë njësi, kryetari i Bashkisë, Gjergji Goro e sheh këtë zgjidhje si pozitive. Në një intervistë për MAPO-n, ai kërkon që çështja të mos trajtohet me nota nacionaliste, por në aspektin e përfitimit të qytetarëve. Sipas tij, krijimi i një bashkie me një shtrirje të gjerë, duke përfshirë Lukovën dhe Vranishtin, fuqizon më tej kapacitetin financiar dhe administrativ të kësaj bashkie. Kjo pasi Bashkia që do të administrojë këtë njësi do ketë më shumë të ardhura dhe për rrjedhojë do mund të bëjë edhe më shumë investime në të mirë të banorëve të zonës. Ndaj ai thekson se nuk ka vend për gjykimet që bëri OMONIA, madje i sugjeron asaj që të reflektojë dhe të pranojë zgjidhje e propozuar nga qeveria.
Zoti Goro, komisioni parlamentar për Reformën Territoriale ka miratuar tashmë dy variantet, mbi të cilat do të bëhet ndarja e re e vendit. Cili është vlerësimi juaj lidhur me këtë proces dhe, si e konsideroni ndarjen që propozon qeveria me 39 dhe 47 njësi?
Ne duam variantin me 47 njësi, aty ku del si njësi më vete dhe Himara. Pra, aty ku Himara përcaktohet si një bashki.
Po në këtë variant, Himara bashkohet si një njësi së bashku me Vranishtin dhe Lukovën. Jeni ju dakord me këtë bashkim, apo kërkoni një rregullim tjetër nga ky që propozohet?
Jo, për ne s’ka asnjë problem, pasi shkon në territoret e saja të dikurshme. Pra nuk ka ndonjë gjë. Ne çdo gjë e shikojmë si përfitim për njësinë tonë, përfitim ekonomik. Nuk nisemi nga çështjet etnike personale të ndokujt.
Organizata OMONIA, e cila mbron interesat e minoritetit grek, ka ngritur shqetësim për këtë gjë dhe kërkon që Bashkia e Himarës të mos jetë bashkë me Vranishtin, por vetëm me Lukovën.
Ai është një qëndrim momental, për të cilin në fakt dhe ata duhet të reflektojnë, sepse në fund të fundit dhe ata të tjerët (banorët që sot banojnë në fshatrat që përbëjnë komunën e Vranishtit) himarjotë janë.
Banorët e Vranishtit nuk janë himarjotë…
Jo, himarjotë janë, himarjotë. Historikisht kanë qenë himarjotë.
Pra, ju e vlerësoni pozitivisht ndarjen që propozon varianti i tretë, ai me 47 njësi?
Ideja është këtu që, i kish ardhur momenti që reforma duhet të ishte bërë. Nëse ajo do të kishte nisur që në 2002-2003, pra kur ka filluar si projekt, nuk do të kishim sot këtë vendim drastik për uljen e numrit të njësive vendore. Por momenti e kërkon që bashkitë të kenë edhe mundësitë financiare që të zhvillojnë dhe ato projektet e tyre. Pa financa nuk zhvillohet projekti. Detyrimisht, me një ndarje të tillë edhe territori rritet dhe mundësitë e Bashkisë janë më të mëdha edhe për të investuar, edhe për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.
Me këtë lloj bashkimi, a bëhet Himara një njësi ekonomike efektive, ashtu siç edhe është përcaktuar në grupin e kritereve që miratoi komisioni parlamentar për Reformën Territoriale?
Po, e kthen këtë bashki në njësi të fuqishme, madje dhe turistike, ashtu siç e ka destinacionin.
Add new comment