Shqip: Rekomandohet statusi i vendit kandidat, raporti i KE: Veprim dhe vullnet për reformat

Në raportin e përgatitur për vendet anëtare, Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka zbatuar dhe ka konsoliduar masat e reformave të integrimit që lidhen me statusin kandidat.
Rekomandimi:
“Bazuar në gjetjet e këtij raporti, Komisioni konfirmon rekomandimin e tij që Këshilli duhet t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat”.
Në 26 faqe, Komisioni vlerëson se gjatë kësaj periudhe qeveria shqiptare ka treguar veprim konkret dhe vullnet të vazhdueshëm politik për reformat integruese, përfshirë ligjin për shërbimin civil, që shkaktoi tension politik në vend.
Shërbimi civil
“Që nga tetori, çështja e shkarkimeve dhe uljeve në detyrë të personelit, kryesisht për shkak të masave disiplinore dhe të ristrukturimit në institucionet publike, ka krijuar tension politik. Në këto kushte, qeveria ngriu të gjitha rekrutimet e reja deri në korrik, për të lejuar ligjin e ri të bëhet plotësisht operacional, duke siguruar në këtë mënyrë një proces të shëndoshë dhe transparent rekrutimesh. Është kyçe respektimi i plotë i ligjit të zbatueshëm dhe i vendimeve gjyqësore”.
Institucionet e pavarura
Komisioni vlerëson masat e Kuvendit për të forcuar rolin mbikëqyrës ndaj institucioneve të pavarura, me gjithë kundërshtimet për procedurat e emërimit për disa institucione të pavarura.
“Është thelbësore që legjislacioni i zbatueshëm të zbatohet plotësisht dhe profesionalizmi i institucioneve të pavarura të rritet. Procedura e zgjedhjes së drejtuesve dhe bordeve të këtyre institucioneve me mazhorancë të thjeshtë në Parlament mbetet një çështje shqetësuese dhe një rrezik për pavarësinë e tyre. Ndryshe nga legjislacioni për ILDPK, legjislacioni i ri do të përfitonte nga shqyrtimi i ekspertëve ndërkombëtarë. Qeveria shqiptare ka kërkuar rishikim për të vlerësuar performancën, strukturën dhe kapacitetin e institucioneve të pavarura në mënyrë që të forcojë funksionimin dhe pavarësinë e tyre”.
Anti-korrupsioni
Në lidhje me çështjet e ndjeshme për të cilat Këshilli i BE-së në Dhjetor mandatoi Komisionin për të raportuar, dokumenti vlerëson “një vullnet të vazhdueshëm politik për të vepruar vendosmërisht në luftën kundër korrupsionit”, por pengesa hasen për kohën e kufizuar të hetimit, pranimin e provave para gjykatës, ndërsa hetimet vijojnë të kenë më shumë natyrë reaguese.
“Lidhur me track record (gjurmë provash), numri I rasteve të korrupsionit referuar nga prokuroria në policinë e shtetit u rrit 16% gjatë periudhës Tetor 2013-Maj 2014, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Dënimet në Gjykatat e Qarqeve kanë rënë 8% në të njëjtën periudhë, ndërsa dënimet në Gjykatat e Apelit janë rritur me 81%… Në përgjithësi, numri i hetimeve dhe dënimeve mbetet i ulët, sidomos në lidhje me rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Një numër i madh i hetimeve për veprat penale të korrupsionit nuk rezultojnë në dënime përfundimtare, kjo thekson nevojën për të përforcuar pavarësinë, efiçencën dhe përgjegjshmërinë e gjyqësorit, si dhe forcimin e kapaciteteve të policisë dhe prokurorisë”.
ILDPK ka përmirësuar performancën në tremujorin e parë të 2014. Mes rasteve të pasurive të fshehura ka raportuar në prokurori për tre gjyqtarë, një prokuror, një ambasador dhe dy inspektorë. ILDPK duhet të vazhdojë në mënyrë më proaktive të fokusohet te pasuritë e pashpjegueshme me vlerësim më të mirë të rrezikut dhe verifikimit të të dhënave vetjake me deklaratat në dispozicion të pasurisë dhe deklaratat e konfliktit të interesit.
“Në përgjithësi, ka patur vullnet të vazhdueshëm politik për të vepruar me vendosmëri në parandalimin dhe luftën ndaj korrupsionit. Reformat strukturore që janë paraqitur dëshmojnë për një qasje gjithëpërfshirëse, ku marrin pjesë një sërë institucionesh. Procesi I konsultimeve të gjera për të konturuar strategjinë antikorrupsion tregon se qeveria synon të përfshijë një numër të gjerë të interesuarish. Ka nisur puna ndërmjet agjencive për të forcuar hetimet proaktive, analizat sistematike të rrezikut dhe për të kapërcyer pengesat me qëllim përmirësimin e eficencës së hetimit. Për të përparuar më tej në rrugën e saj të vendosur drejt integrimit në BE, Shqipëria do të duhet të përqendrohet në zbatimin e legjislacionit në lidhje me deklarimet e pasurive, të shtohen hetimet pro-aktive dhe të merren masa të mëtejshme për të bërë hetime më të efektshme”.
Krimi i organizuar
Lufta ndaj krimit të organizuar përmbledh veprimet e kryera nga autoritetet vendase për trafikun e drogës, të qenieve njerëzore, krimin ekonomik dhe pastrimin e parave. Në tërësi, vlerësohet se është rritur numri I ndjekjeve penale për trafikun e drogës gjatë kësaj periudhe, si dhe vërehet rritje në bllokimin e sasive të marijuanës (18.8 nga 13.6 t) dhe kokainës (14.5 kg v.s 1.7 kg), ndërsa heroina (25.6 kg nga 44.8 kg) rezulton në sasi më të vogël se e njëjta periudhë një vit më parë
“Në përgjithësi janë paraqitur ndryshime organizative dhe legjislacioni kyç në fusha të organizimit të policisë, trajnimit dhe kontrollit të armëve të zjarrit është përgatitur për miratim. Bashkëpunimi me gjyqësorin dhe policinë ndërkombëtare u intensifikua me zbatimin e marrëveshjeve të ekstradimit. Mekanizmi referues kombëtar ndaj trafikut të qenieve njerëzore u rivitalizua përmes rritjes së bashkëpunimit mes autoriteteve zbatuese të ligjit. Hetimet kanë dhënë disa rezultate pozitive në luftën kundër drogës, trafikut të qenieve njerëzore dhe pastrimit të parave. Duhet intensifikuar lufta ndaj kultivimit të drogës. Për të përparuar me vendosmëri në rrugën e saj të integrimit në BE, Shqipëria nevojitet të zhvillojë track record (gjurmë provash) në luftën kundër krimit të organizuar përmes rritjes së bashkëpunimit ndërmjet agjencive, të rrisë rendimentin për hetimet proaktive dhe për përdorimin sistematik të hetimeve financiare, të forcojë bashkëpunimin rajonal e ndërkombëtar, përfshirë me Europol, dhe të intensifikojë përpjekjet për trajtimin e çdo forme të krimit të organizuar”.
Reforma në sistemin e drejtësisë
Reforma e thellë në drejtësi është thelbësore për të luftuar korrupsionin, sipas komisionit, I cili vlerëson edhe në këtë fushë përpjekjet e bëra deri tani për rritjen e përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit të gjyqtarëve.
“Në përgjithësi, Shqipëria ka treguar angazhimin e saj për reformën në gjyqësor, duke ndërvepruar me Komisionin e Venecias për të përmirësuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe profesionalizmin e sistemit. Janë bërë disa përpjekje për të reduktuar rastet e mbartura dhe për të rritur transparencën e gjyqësorit. Masa janë marrë për të nxitur përgjegjshmërinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve përmes miratimit të procedurave që rregullojnë heqjen e imunitetit të tyre. Një numër sanksionesh janë ndërmarrë në vijim të procedurave disiplinore. Për të përparuar me vendosmëri drejt integrimit në BE, Shqipëria nevojitet të ndjek rigorozisht reformën e gjyqësorit, përmes angazhimit të vazhdueshëm me Komisionin e Venecias, miratimit të dispozitave thelbësore shtesë për forcimin e përgjegjshmërisë dhe pavarësisë, në përputhje me udhëzuesin për reformën e sistemit gjyqësor, si dhe përmes zbatimit të duhur të masave të miratuara”
Në këtë raport vlerësimi, Komisioni Europian vlerëson dhe reformat ekonomike që çuan në rritjen e mbledhjes së të ardhurave nga taksat dhe detyrimet doganore, si dhe shtimin e hetimeve për evazionin me TVSH-në dhe skemat e mashtrimit. Konsolidimi fiskal, i shumëkërkuar nga Brukseli, falë marrëveshjes me FMN do të mundësojë shlyerjen e pagesave të prapambetura prej 3 vjetësh dhe do të nxisë reforma thelbësore në menaxhimin e financave publike, tatime, energji dhe sistemin e pensioneve, thuhet në dokumentin e shpërndarë sot ndaj 28 vendeve anëtare të BE-së.
4 qershor 2014 (gazeta-Shqip.com)
Add new comment