Washington Post: Në Shqipëri është më mirë të mos sëmuresh, shërbimi shëndetësor si në disa vende të Afrikës

E përditshmja amerikane Washington Post ka publikuar një hartë ku kategorizon cilësinë e shërbimit shëndetsor në të gjithë botën. Shqipërinë e rëndit pikërisht në ato vende ku mirë është të mos sëmuresh, pasi kurimi në spitale vlerësohet me rrezikshmëri të lartë. Vendi ynë renditet në të njejtën kategori me vende afrikane si Algjeria, Nigeria, Gana, Bregu i Fildishtë apo Etiopia, të ngjyrosura me portokalli. Megjithatë, në Ballkan nuk jemi vetëm. Në të njejtën kategori renditen Kosova, Maqedonia e Bosnje Hercegovina. Edhe në Europën Lindore kemi bashkëvuajtës si Ukraina e rraskapitur nga konflikti i armatosur në lindje të vendit, Bjellorusia e Moldavia. Në rajon, vetëm sistemi shëndetësor grek vlerësohet me nota pozitive, ashtu si vendet e Europës Perëndimore, të ngjyrosura me të gjelbër. Ekstremisht i rrezikshëm konsiderohet sistemi shëndetësor i disa vendeve afrikane, që janë një kategori poshtë asaj ku renditet Shqipëria dhe që në hartë janë ngjyrosur me të kuqe. Harta është përpiluar në bazë të 300 mijë incidenteve në spitale në mbarë botën të regjistruara gjatë vitit 2014, të raportuara nga organizata ndërkombëtare International SOS, e specializuar në shërbime emergjente për klientët që udhëtojnë për qëllime biznesi në vende të ndryshme.
l.m
Add new comment