Vrasja e palestinezit dhe një mesazh ndaj investitorëve të huaj

Shtypi është mbushur sot me historinë e vrasjes së financierit palestinez të një fabrike çimentojë në Fushë-Krujë. Ka hamendësime për “punë” të shërbimeve të huaja, por Policia këmbëngul në versionin e një konflikti midis banorëve të zonës ku është ndërtuar fabrika dhe pronarëve të saj. Me të ndodhur ngjarja, Policia ka shoqëruar në komisariat 16 persona, të njëjtët që ishin akuzuar për shpërthime urash, shtyllash tensioni po në të njëjtën zonë me tw njëjtin objekt; fabrikën e çimentos.
Kjo ngjarje mund të kalonte si një raportim i thjeshtë kronike, por jo në këtë rast ku i përfshirë është një investitor i huaj, aq shumë të dëshiruar në vendin tonë, i cili për vite me radhë është konfliktuar me banorët e zonës.
Ka mjaftuar vrasja e zv.menaxherit të kësaj fabrike për të vënë në dyshim në sytë e investitorëve të huaj që janë shumë të ndjeshëm në këto raste, të gjitha thirrjet për një klime të mirë të të bërit biznes në vend, për taksa të ulëta, mbrojtje në gjykatë apo lehtësira të tjera nga shteti.
Përveç se një konflikt midis një biznesi dhe banorëve zonës, ngjarja nxjerr edhe një herë në pah se mbetet ende shumë për të bërë jo vetëm në hapjen e dyerve ndaj investimeve të huaja por edhe mbrojtja e tyre në rastet e konflikteve të ngjashme të pronësisë, të cilat janë problemet që hasin më shpesh të huajt që investojnë në Shqipëri.
S.E.
Add new comment