Vjenë/ Serbia merr kryesinë e radhës të OSBE-së. Ivica Daçiç: Do bashkëpunojmë për procesin e paqes në Ukrainë

Nga 1 janari 2015 Serbia merr kryesinë e radhës të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Këtë kryesi e mbajti Zvicra për gjashtë muajt e kaluar. ATSH lajmëron se Zv.kryeministri serb, njëkohësisht ministër i Jashtëm i vendit, Ivica Daçiç deklaroi gjatë marrjes së kësaj kryesie se Ballkani Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe procesi i paqes në Ukrainë do të ishin prioritetet e kryesimit të radhës të OSBE-së nga ana e Serbisë. “Mendoj se rajoni është në rrugën e duhur dhe pres që kryesimi ynë të sigurojë nxitje shtesë për bashkëpunimin rajonal”, deklaroi Daçiç në ceremoninë e organizuar për përfundimin e kryesimit të OSBE-së nga Zvicra dhe marrjen e tij nga Serbia. “Serbia, si vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, është sinqerisht e vendosur të përmirësojë bashkëpunimin me fqinjët dhe vendet e rajonit”, theksoi ai. Kryesimi i OSBE-së nga Serbia do të jetë i rëndësishëm për shkak të krizës në Ukrainë, që sipas Daçiçit përbën një nga krizat më të rënda që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë. “OSBE-ja reagoi menjëherë ndaj kësaj krize, në rrethana jashtëzakonisht komplekse politikem dhe dërgoi një mision vëzhgimi në Ukrainë, çka demonstroi eficencën e organizatës dhe theksoi domethënien e saj globale”, deklaroi Daçiç.
l.v
Add new comment