Vendimi i Kushtetueses për lejet e ndërtimit, Greca: Pa u miratuar aktet nënligjore të ligjit për territorin nuk mund të jepen leje

Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila hedh poshtë pjesërisht vendimin e Këshilli Kombëtar të Territorit të gushtit 2014, për pezullimin e lejeve zhvillimore në njësitë e qeverisjes vendore, Adelina Greca, drejtore e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, në një intervistë për “Top Channel” thotë se Qeveria nuk do të ndalet në dhënien fund të abuzimit në territorin e vendit. "Dua t'i siguroj qytetarët dhe të gjithë të interesuarit, se Qeveria nuk do të bëjë asnjë hap mbrapa në betejën për ta mbyllur epokën e lejeve të dëmshme për territorin, të cilat kaq shumë e kanë cënuar Shqipërinë dhe çdo bashki për vite me radhë. Ka një ligj të ri planifikimi territori, i cili është miratuar në korrik të 2014, ka hyrë në fuqi në tetor të 2014, por për t'u bërë i zbatueshëm ka nevojë për aktet nënligjore, të cilat nuk janë ende të miratuara. Pra, pa u miratuar këto akte nënligjore, ligji nuk hyn në fuqi dhe si rrjedhojë, lejet e ndërtimit nuk mund të jepen, sepse nuk ka një bazë ku ato të mbështeten", tha Greca. Drejtoresha e përgjithëshme e AKPT-së tha për “Top Channel” se po punohet për Planin e Përgjithshëm Kombëtar të Territorit ku përfshihen Plani i Zhvillimit rajonal Tiranë-Durrës, sikurse edhe ai për vijën bregdetare nga Derdhja e Bunës deri në Butrint, i cili synohet të përfundojë në shtator të këtij viti.
l.v
Add new comment