Veliaj shpjegon incidentin në Ferras dhe falenderon Jozefina Topallin që “denoncoi” autorët

Postuar në 08 Shkurt, 2015 14:50

Kreu i Emergjencave Civile Shemsi Prençi dhe ministri i Mirëqënies Sociale Erion Veliaj janë bërë pjesë e një incidenti ku makinat me të cilën udhëtonin janë bllokuar nga disa persona duke mos u lejuar të shkojnë në një prej fshatrave të përmbytura në Fier. (Video e publikuar nga "Shqiptarja.com": https://www.youtube.com/watch?v=sgfLDUXEZFc)

Më pas, Policia e Fierit shoqëroi në komisariat 4 persona dhe bllokoi nje automjet në dalje të qytetit. 4 personat ishin pjestarë të Forumit Rinor të PD dhe ishin në Fier për të shpërndarë pak me ndihma. Ndalimi i tyre, edhe pse jo zyrtarisht, thuhet se është bërë për shkak të këtij incidenti. Të rinjtë u lanë të lirë pas disa orësh, të shoqëruara nga deklarata dhe reagime të forta nga Partia Demokratike. Pas incidentit, ministri Erion Veliaj ka dhënë intervista telefonike për televizionet ku ka publikuar variantin e tij për ngjarjen. Sipas Veliajt, ngjarja ishte e inskenuar nga Partia Demokratike.

“Ka qenë një autokolonë ushqimesh dhe po udhëtonim drejt një familjeje për t’i dërguar tre vajzave të vogla ushqime. E para ishte makina e Shemsi Prençit, e imja ishte e dyta dhe pastaj një autokolonë me ndihmat që kishim nisur për vajzat. Ne kishim plan të inspektonim shkollat pasi nga nesër do të nisë normalisht shkolla por dispeçeria e shtabit të emergjencave kishte marrë një thirrje nga gjyshja e tre vajzave në Ferras për vajzat që mbetën të bllokuara. Kur morëm informacionin ishim afër dhe kishte një thirrje të ngjashme nga një bari i cili kishte mbetur i bllokuar. Premçi propozoi të shkonim vetë meqë ishim afër. Udhëtuam pa badigardë dhe ishim me makina civile siç edhe mund ta keni parë nga videot e publikuara. U pikasëm nga grupi i ardhur nga Tirana, dhe fillimisht më erdhi mirë kur dëgjova që edhe PD po kontribuonte, por jo për atë që bëri me incidentin e të rinjve. E kuptuam që nuk ishin banorë të zonës se nuk kishin pikë balte në rroba dhe ishte jologjike që banorët të refuzonin ndihmën e dhënë nga shteti” tha Veliaj për “A1 Report”.

Më tej, Veliaj “falenderoi” ish kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli që “ndihmoi” për identifikimin e personave të përfshirë në incident. Veliaj iu referuar faktit se videoja e incidentit ishte shpërndarë në rrjete sociale nga ish-kryetarja e Kuvendit dhe se falë kësaj videoje u arrit identifikimi i personave.

Për më shumë: http://shqiptarja.com/home/1/veliaj-u-nis-m-p-r-ndihm--mb-shtet-sit-e-pd-na-bllokuan-271445.html

n.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.