Tensione mes Kinës dhe Japonisë. Lëvizin edhe SHBA me Rusinë duke rritur ofertën ushtarake

Azia është horizonti i ri i tensioneve dhe rivalitetit ndërkombëtar. Përveç problemeve të herëpashershme të Koresë së Veriut, një tjetër çështje, shumë më e ndërlikuar dhe me implikime të mëdha po merr dimensione të reja në Paqësor. Është fjala për rivalitetin kino-japonez që vjen si trashëgimi edhe e përballjeve ushtarake të Luftës së Dytë Botërore. Dhe me sa duket në kushtet e një rendi ndërkombëtar me ekuilibër të paqëndrueshëm, fuqi si Gjermania dhe Japonia, po lejohen të rimarrin një rol më të madh. Berlini provoi të hynte në skenë si aktor kryesor me krizën ukrainase, ndërkohë që Japonia vlen në rastin e përballimit të presionit gjeopolitik kinez. “Reuters” njofton se Washingtoni dhe Tokio kanë rënë dakord të rishikojnë parimet e bashkëpunimit ushtarak, që konfirmojnë angazhimin e SHBA për sigurinë e Japonisë, duke i dhënë kësaj të fundit, të drejtën e përfshirjes si aktor në një kontekst më të gjerë ndërkombëtar. Sipas agjencisë “Reuters”, këto rregulla të reja, synojnë rritjen e koordinimit mes SHBA-Japonisë dhe Koresë së Jugut, sidomos në dritën e rritjes së fuqisë së Kinës dhe pretendimeve të saj për ishujt Senkaku. Nga ana e vet, Japonia kërkon patrullim të përbashkët, vënë në dukje në vizitën e fundit në ShBA të kryeministrit japonez, Shinzo Abe, për të qenë e mbrojtur dhe e sigurtë ndaj sfidave që paraqesin punimet me natyrë ushtarake nga Kina në Detin e Kinës Jugore(http://www.reuters.com/article/2015/04/27/us-usa-japan-defen...). Por ndërkohë që Washingtoni ofron zgjerim të rolit ushtarak të Japonisë, edhe Kina duket se ka opsione dhe mundësi për të luajtur. Kështu agjencia ruse “Sputinik” raporton se mes Rusisë dhe Kinës është rënë parimisht dakord për shitjen, Pekinit zyrtar, të sistemit të mbrojtjes ajrore S400. Nëse kjo ndodh, Kina bëhet vendi i parë që do të posedojë sistemin jashtë Rusisë dhe siç nënvizon vetë agjencia ruse, kjo do të shqetësonte shumë Japoninë. Kina posedon sistemin paraardhës S300, por ai mbulon një rreze prej vetëm 300 km, kurse S400 arrin deri në Seul, Taivan dhe e mbulon mirë edhe hapësirën e ishujve të kontestuar Senkaku(Diaoyu për Kinën, aktualisht nën administrim japonez)(http://sputniknews.com/asia/20150427/1021438568.html#ixzz3YW...). “Sputnik” shton se baza amerikane në Japoni, Yokosuka, do të shtojë dispozitivin ushtarak dhe se ShBA madje kanë shprehur gatishmëri për të mbrojtur Japoninë edhe përmes përdorimit të armëve bërthamore(http://sputniknews.com/military/20150427/1021444025.html#ixz...). Ky është një qëndrim që përsërit atë të Vladimir Putin, cituar nga mediat disa ditë më parë, sipas të cilit, për mbrojtjen e Krimesë, Moska kishte parashikuar edhe përdorim të armëve bërthamore.
s.z
Add new comment